Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Punëtorët e KEDS, as greva, as rritje pagash

Punëtorët e KEDS-it, të cilët kohë më parë kërcënonin se do të hyjnë në grevë në rast të mos plotësimit të kërkesës së tyre për ngritje të pagave tashmë po heshtin. Me gjithë kërcënimet për grevë, ajo nuk ndodhi edhe pse e kishin caktuar datën.

Fehmi Pajaziti, kryetar i Sindikatës së KEDS-it, thotë për KosovaPress se ata nuk janë zmbrapsur nga kërkesat e tyre, por se po respektojnë afate ligjore për mbajtjen e grevave.

Megjithëse, muaj më parë kur ata protestonin, theksonin se grevat janë të paevitueshme në rast se s’do të ketë rritje të pagave. Ndërsa, deri tani nuk ka as greva dhe as rritje të pagave për punëtorët e KEDS-it.

“Është e vërtetë që nuk ka ndodhur ende ngritja e pagave. Mirëpo jemi ende në konsultim dhe në bisedime të përditshme, ku një pjesë e madhe, ose pjesa dërmuese mbi 90 për qind të kërkesave sepse nuk kanë qenë vetëm ngritja e pagave, janë të realizueshme dhe të nënshkruara po nga ky menaxhment. Sa i përket pikës së parë që është pika më kyçe, ende nuk është ardh deri tek finalizimi i asaj. Mirëpo mbesim me shpresë, jemi në negociata në dialog me menaxhmentin e KEDS-it, tash që është”, thotë Pajaziti, për Kosovapress.

Ai shpreson se me ndërrimin e strukturës udhëheqëse të menaxhmentit të KEDS-it, gjërat do të lëvizin në të mirë të punëtorëve. Në rast të kundërt, sipas tij grevat do të jenë të pashmangshme.

“Kemi pasur takim me menaxhmentin e KEDS-it, është premtuar se do të ketë lëvizje në paga, ndoshta jo në atë kuptimin sa kemi lyp ne, por do të ketë reflektim në rritjen e pagave, por gjithmonë duke negociuar dhe biseduar, duke i zgjidh problemet të gjitha. Prandaj edhe kjo është një neglizhencë pak ose një ngadalësim pak i hapave për arsye se 500 herë duhet të dialogësh dhe një herë të veprosh, të dalësh në protestë . Sepse me protesta ne shqiptarët jemi të ngopur dhe fatkeqësisht për të keq. Mirëpo në qoftë se nuk ka vullnet pozitiv dhe nuk ka reflektim në kërkesat e punëtorëve do të jenë të pashmangshme”, thotë ai

Me gjithë paralajmërimet për mbajtjen e grevave të cilat dhe nuk ndodhen, Pajaziti pohon se nuk janë zmbrapsur për asnjë moment nga kërkesat e tyre. Ai mohon që kërcënimet e menaxhmentit ndaj punëtorëve të kenë ndikuar në heshtjen e tyre edhe pse pagat nuk u rriten.

Ndryshe, pas rritjes së pagave që ndodhi në KEK, kërkesë për ngitje kanë bërë dhe punëtorët e KEDS-it, të cilët kanë kërkuar rritje lineare të pagave prej 120 euro. Rritje kjo e cila edhe përkundër protestave dhe paralajmërimit për greva, ende nuk është realizuar.

Portali Telegrafi, 13.07.2014