Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Intervista e Gjiknurit në Top Story

Intervista e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri në emisionin Top Story në Top Channel. Klikoni këtu për të lexuar intervistën e plotë të ministrit në emisionin Top Story.

Sokol Balla: Z.Gjiknuri do të doja ta filloja me një karikaturë që ka dalë këtë javë, në një nga të përditshmet shqiptare. Karikaturisti i njohur Bujar Kapexhiu, të hënën publikonte tek faqja e parë e ‘Mapos’ pikërisht këtë karikaturë. Shikojmë Kryeministrin, Ministrin e Financave dhe CEZ-in që ikën me 95 milion euro. Është në fakt një vendim kontraversial. Dikush e ka quajtur arritje, opozita e ka quajtur një tjetër grabitje që i bëhet interesave shtetërore për shkak të konfliktit me CEZ-in që sipas saj u zgjidh në mënyrë të gabuar nga qeveria dhe ju keni qenë negociatori kryesor apo jo?! Pra, 95 milion paguam CEZ-in apo 95 milion paguam edhe integrimin?!

Ministri Gjiknuri: Një çështje komplekse siç ishte vet konflikti i CEZ-it dhe unë po kaloj tek ajo temë që ju e ngritët me të drejtë, dhe u hap si temë kryesore e ditës, patjetër që çdo lloj zgjidhje do të quhet si kontraversale. Ishte çështje komplekse pasi kërcënoheshin interesa të mëdha të sigurisë kombëtare, ku bëhej fjalë mbajtja peng e sektorit energjetik për një kohë të gjatë, derisa të vazhdonte konflikti në arbitrazh. Gjëra që shumë njerëz mbase si dinë, po dua ta shpjegoj që konflikti do të donte minimalisht 4 deri në 6 vjet në rastin më të mirë të përfunduar dhe ku pala shqiptare akoma nuk kishte paraqitur padinë, kërkesën e saj për këtë çështje. Do të thotë se pala çeke, fatkeqësisht kishte paditur e para Shqipërinë, ndërkohë që Shqipëria duhet të ishte e para që t’i kryente këto veprime. E thënë thjesht shtrohej përpara mbajtja peng e sektorit, ngrirja e gjithë regjimit rregullator, sepse në një situatë 4 deri në 6 vjet, siç e thashë do të ishte e pamundur për qeverinë shqiptare të ndërmerrte masa të tjera për shkak se çdo veprim i saj do të ndikonte në regjimin rregullator. Një prej pretendimeve të çekëve ishte pikërisht për mos respektimin e regjimit rregullator dhe cënimin e investimeve të huaja. E thënë me pak fjalë, të gjithë shqiptarët e dinë situatën në të cilën gjendet sektori i shpërndarjes. Të mos investosh në atë sektor 4 deri në 6 vjet dhe të presësh si do të shkojë një gjyq që nuk ja di kurrë përfundimin nuk ishte zgjidhja e duhur. Në bazë të konsultave të vazhdueshme që kemi bërë me studion ligjore të avokatisë, të kontraktuar për këtë punë, risqet ishin shumë të mëdha, kështu që preferuam një zgjidhje deri diku komplekse. Mund të quhet kontraversale, por përballë kostove të mëdha me të cilat ne përballeshin, rrezikun që kërcënonte sektorin, them se është zgjidhja më e mirë, aq më tepër që fatura financiare do të mbahet direkt nga shoqëria dhe jo nga Buxheti i Shtetit siç thuhet. Rritja e performancës së shoqërisë, për atë vlerë në krye të katër vjetëve nuk është asgjë po të marrësh parasysh vetëm një fakt, ajo vlerë përfaqëson vetëm 50% të humbjeve të energjisë në 1 vit. Sikur të kemi një përmirësim në disa vjet dhe përmes uljes së humbjes së energjisë ajo faturë do të lahej. Çdo zgjidhje tjetër, për mua, për shumë kolegë të mi, edhe për Kryeministrin mund të ketë qenë një vendimmarrje e vështirë. Më kollaj është të thuash, “le të shkojë çështje në gjyq, ç’punë kam unë”, por problemi është se kur flitet për një aset siç është sektori i shpërndarjes, për rreziqet që i kërcënohen këtij sektori përmes konflikteve të vazhdueshme dhe pa e ditur fundin e sigurtë, në një farë mënyre do të thotë t’i nënshkruash fundin.

Sokol Balla: Aq më tepër kur mund të ishte një vendim që edhe mund të cënohej nga kjo zvarritje apo jo. Vendimi i marrjes së statusit…. Thoni të vërtetën, ka ndikuar kjo çështje?

Ministri Gjiknuri: Unë nuk dua të hyjë në këtë pjesë. Kur kemi filluar negociatat, kjo çështje nuk ka qenë në tavolinë. Edhe në negociatat tona, nuk është shtruar në tavolinë. Ka qenë një diskutim i mirëfilltë juridik-financiar dhe problemet e përplasjeve të interesave komercale të të dyja vendeve. Por, një gjë është e vërtetë dhe unë nuk kam pse t’ia fsheh publikut, që divorci i sforcuar i CEZ-it në Shqipëri kishte shkaktuar një grirje dhe një ftohtësi të marrëdhënieve midis Çekisë dhe Republikës së Shqipërisë. Natyrisht, çdo shtet përdor instrumentet e tij të presionit politik, gjë që me ç’kam dëgjuar edhe ka dalë nga goja e një zyrtari, por të paktën në tavolinë tonë të negociatave kjo çështje ka qenë jashtë influencës së arritjes së një marrëveshje.

Klodian Tomorri: Një pyetje në lidhje me këtë vendim që u morr për një zgjidhje me mirëkuptim. A është e vërtetë që në dy raportet, përkatësisht në atë të auditimit teknik dhe në atë të auditimit financiar, kompanitë që kanë bërë auditimin inkurajojnë qeverinë shqiptare që të shkojë në arbitrazh. Duke shkruajtur aty tekstualisht që “dëmi që kompania mund t’i ketë shkaktuar Shqipërisë arrin deri në 3 miliard dollarë”?

Ministri Gjiknuri: Kini parasysh, kompanitë janë marrë nga qeveria shqiptare dhe u morën me shumë vonesë. Duhet theksuar kjo, sepse gjëja e parë që duhet të bënte qeveria e asaj kohe ishte fillimi i shpronësimit të aseteve, gjë që e kishte të vështirë, siç e kishim edhe ne të vështirë, sepse nuk lejonte njeri shpronësimin, dhe asnjë institucion ndërkombëtar nuk do ta pranonte atë. Gjëja dytë që duhet të bënin, kishte të bënte me vlerësimin e menjëhershëm tekniko-financiar, gjë që nuk u bë. U bë vetëm në muajt fundit, pasi kontrata për këto kompani është lidhur vetëm nga nëntori, kur qeveria e re shqiptare mori pushtetin. Këta konsulentë u morën nga qeveria për të mbështetur rastin tonë, çështjen tonë. Kuptohet, ata kanë dhënë vlerësimet e tyre, gjëra që duhen. Dihet që Kompania e Shpërndarjes keqperformoi, dihet dhe vlerësimi ekonomik i auditimit patjetër tregon që kompania është në gjendje jo të mirë financiare, pra me një vlerë kapitale minus, nga plus që ka qenë. Kjo për shkak të keqmenaxhimit dhe të situatës së përplasjes që u krijua në të gjithë atë konflikt që ne e trashëguam. Realisht, duhet të shohësh se çfarë opsionesh ke në tavolinë, sepse opsioni ideal është gjithmonë më e mira, të bësh atë që do ti, të dalësh i pa lagur nga çdo gjë. Ndaj, duhen menduar mirë veprimet që do merren, në kohën që do merren dhe se si bëhen. Po të vini re, ishin disa disa veprime të qeverisë shqiptare dhe këto janë argumente që i kemi hedhur në tavolinë edhe me konsulentët tanë, sidomos përdorimi i policisë, konsiderohen se shteti përdori forcën ndaj një kompanie private. Dhe ishin shumë elementë të tjerë të cilët në vazhdimësi ndikuan jo mirë për situatën e Shqipërisë në përballjen me çekët. Nga ana tjetër, koha bën të vetën. Prandaj, thashë disa veprime duhen kryer menjëherë. Çfarë bëri qeveria e Sali Berishës?! E la litarin jashtë. Nuk bëri as auditim kur e morri sepse një auditim i bërë një vit më vonë nuk ka të njëjtën vlerë me auditimin pas marrjes së vendimit. Vlerësimi ka përfunduar këto kohët e fundit nga ana teknike dhe realisht shumë nga investimet të cilat i pretendojnë çekët janë njohur. Janë njohur nga Enti Rregullator i Energjisë, një pjesë janë pranuar, një pjesë nuk janë pranuar.

Sokol Balla: Pra do i binte që shteti në këtë arbitrazh do kishte përballë më shumë veten e vet se sa CEZ-in. Armikun më të madh veten e tij…!!

Ministri Gjiknuri: Realisht, në të gjitha arbitrazhet shteti shqiptar ka vështirësi në komunikim, në koordinim, në gjetje dokumentesh. Vet zyra avokatore na i ka bërë me dije se që nga momenti i heqjes së licencës, deri në Shtator pothuajse nuk është bërë asgjë nga ana e shtetit shqiptar për këtë çështje. Qeveria jonë, kur erdhi në pushtet e trysnuar pozitivisht do të thoja nga të gjitha institucionet ndërkombëtare financiare, kërkoi zgjidhjen me marrëveshje të kësaj çështje. Ky hap u ndërmor pasi sektori kishte nevojë për financime të mëdha, jo për financime çikërima…

Sokol Balla: Bëhet fjalë për alokimin e një kredie 150 milion euro? Apo jo?

Ministri Gjiknuri: Minimalja, sepse 150 milion USD janë vetëm nga Banka Botërore. Ndërkohë është edhe KFW-ja edhe BERZH-i të cilët janë të gatshëm të shkojnë në një shifër mbi 200 milion dollarë, ku pjesa më e madhe do të shkojë në sektorin e shpërndarjes, i cili ka një nevojë imediate. Pra, opsionet janë të vështira.

Sokol Balla: A është e vërtetë, të paktën nga disa informacione që kam unë, se ju keni pasur edhe boshllëqe dokumentacioni në përgatitjen e negociatave…

Ministri Gjiknuri: Boshllëqe dokumentacioni ka patur në vazhdimësi nga pala shqiptare. Jo në negociata, u ulëm në negociata për të gjetur një zgjidhje. Boshllëku në dokumentacion ka qenë në lidhje me ngritjen e padisë dhe çështjen. Mjafton fakti, pala shqiptare e hoqi licencën e sektorit të shpërndarjes dhe nuk bëri padi për pretendimet e saj, por i la mundësi palës çeke të bëjë padi e para. Kjo tregon për ineficencën dhe reagimin me vonesë të shtetit shqiptar në momentin që duhet të ishin më aktiv. Mori një aset dhe mirë bëri që e mori por çfarë është hapi tjetër? Për këtë gjë nuk u mendua asnjëherë. Të them të drejtën, vendimi ka qenë i vështirë, por në kushtet e një përballjeje financiare që mund të kishim në një arbitrazh, për kohën që do të humbte, kostot oportune që do t’i shtoheshin këtij procesi që do të shkonte deri në 6 vjet dhe rrezikun potencial që do të mund të përballeshim me shifra shumë më tepër sesa dyfishi i kësaj vlere, mendoj që është një zgjidhje shumë e mirë në kushtet e Shqipërisë. Çekët kanë hequr dorë nga vlera e privatizimit, sepse ajo vlerë plus edhe një vlerësim që edhe këta e kanë pranuar 11 milion euro në mos gaboj, mbi vlerën e aseteve që kanë blerë çekët në fillim, kemi pranuar të negociojmë vetëm për pjesën e faturave që të përbënin kredi dhe një pjesë të furnizimeve të palës çeke. Pra, tek kjo vlerë që është rënë edhe dakord.

Shpëtim Nazarko: Ti vemë asaj ironisë, sepse e fillove me atë thesin e Bujar Kapexhiut. Po të barazosh edhe vlerat që tha Ministri që kanë marrë, ne afërisht kaq e kemi shitur. Po të shkojmë tek ironia Kapexhiut, në një plan është që avokati e thotë më bukur, po bëhet rrëmujë e po bëhet zhurmë, po ç’bëhet?! Po martohet Sinani, thotë. Po merr prapë gruan e parë. E kishte shteti, ja dha, e morri prapë shteti…Në një plan të parë, unë jam dakord me Ministrin që është një zgjidhje e urtë përballë vështirësive që po vinin në një sektor që është vërtet sektor shumë problematik. Është kyçi i ekonomisë. Natyrisht që në këtë 98-tëshe edhe Kapexhiu, edhe Ministri duhet të na sqarojë sepse është detyrë e shtetit, për të parë tashti që gjatë kësaj kohës që Sinani ka qenë i ndarë, se sa kanë humbur në këtë magazinë një Zot e di. Domethënë gjatë kësaj kohe, z.Ministër, ajo 95 është shumë që ne shohim drejtpërdrejtë. Po se çfarë është bërë gjatë këtyre 2 vjetëve që ka kaluar nga CEZ-i tek neve, rrezik mungojnë një mal i madh me dokumente. Ne shohim atë 95, por mund të jetë edhe 915. Një nga gjenitë më të mëdhenj të racës sonë, që quhet Enriko Kuça, që nuk i kishte dalë emri deri nga vitet ’80, ishte drejtori i Media Bank dhe bëri një operacion të tillë. E privatizoi një nga ato ndërmarrjet e mëdha dhe e ribashkoi prapë tek shteti, por kur ngjiten copat ti e di që prapë mungojnë shumë gjëra në mes. Nuk ngjiten mirë…. Unë besoj që kjo është një pjesë për tu kuptuar. Nga ana tjetër, dua të bëj një kritikë, ose do të jetë pjesë e emisionit, që ju bëtë një arsyetim të thjeshtë, që në momentin që ne kursejmë nga pak ose mbledhim nga pak para nga ato që nuk kemi mbledhur deri tani se ne nivelin e humbjeve e kemi shumë të madh. Unë besoj që për një kohë të gjatë, pa dhënë atë minimumin jetik, është e kotë ti kërkosh 50% të shoqërisë shqiptare që të paguajnë energjinë. Është një propagandë pa vlerë sepse në momentin që një qytetar e përdor energjinë e ka të ardhura 100 mijë lekë, dhe energjia bën 60 mijë lekë, qytetari shqiptar ka vetëm dy variante, të vrasë veten, ose të vjedhë energjinë…Jo,… do vjedh, se në momentin që ti nuk më përcakton minimumin jetik që mua më duhet, 200 mijë lekë për të jetuar, unë nuk kam me çfarë ta paguaj energjinë. Në qoftë se shteti shqiptar nuk vete në këtë histori ky 50% do të bëhet 50, 60…

Sokol Balla: Nëse flasim për perspektivën e CEZ-it, perspektiva e tanishme është që ajo po rishtetëzohet apo jo?! Të kthehet efiçente dhe besoj të shitet prapë apo jo?! Që të kthehet në eficencë ky sektor duhet të ulen humbjet. Po a mund të ulen humbjet dhe vjedhjet duke qenë me metodën, aty ku ishit ju në 2006-2007?

Ministri Gjiknuri: Po rishtetëzohet, po investohet.

Gjergji Bojaxhiu: Jo, unë nuk mendoj që mund të bëhet, megjithatë unë doja të diskutoja pak atë pjesën që z.Gjiknuri e filloi. Unë do të thoja që në radhë të parë duhet ta bëjmë shumë të qartë që përgjegjësia bazë për këtë situatë të sektorit energjetik nuk ka të bëjë me qeverinë e re. Kjo situatë dhe kjo katastrofë e sektorit të energjisë elektrike vjen si pasojë e politikave që u zbatuan 4 vjeçarin e dytë të mandatit të dytë të qeverisë Berisha. Unë i kuptoj të gjitha vështirësitë që Damiani prezantoi për faktin se pse shkuan drejt një zgjidhje kaq të thjeshtë, të menjëhershme dhe për ta mbyllur çështjen. Megjithatë, në radhë të parë duhet të dimë cilat janë efektet negative të kësaj zgjidhje që është gjetur. Sepse na u thanë vetëm pjesët pozitive, të nevojshme, pse duhej bërë. Shpëtimi e preku pak, këtu nuk është problemi që ne e shitëm shpërndarjen 102 milion dhe e riblemë me 95 milion. Këtu është problemi që kanë kaluar 4 vjet dhe gjatë kësaj periudhe humbja dhe gropa financiare që është krijuar në këtë sektor, për arsye të CEZ-it është e jashtëzakonshme. Siç tha z.Gjiknuri, kjo shifra 95 është vetëm gjysma e humbjeve financiare që ka sektori ose kompania në vit. Tani llogarite për 4 vjet, dyfishin e kësaj shifre që kemi paguar.

Sokol Balla: Shkojmë tek 800-900 milion euro. Çka flitet se në fakt është edhe shifra reale e problemit prapa CEZ-it.

Ministri Gjiknuri: Shifra reale, mjafton vetëm borxhet mes kompanive janë mbi 1 miliard e ca..

Gjergji Bojaxhiu: Dëmi ekonomik që i është shkaktuar Shqipërisë nga kjo humbje kohe 4 apo 5 vjetësh, në qoftëse e marrim nga dita që u dorëzua dhe deri sot që ne po flasim është i jashtëzakonshëm. Në fakt është dëmi financiar më i madh që ky vend ka gjatë gjithë këtyre viteve. Problemi që kam unë është që zgjidhja që ka gjetur qeveria, mund të ngelet te përgjegjësia politike që ka qeveria e mëparshme, por askush si individ në aspektin ligjor nuk merr asnjë dënim për gjithë këtë dëm të jashtëzakonshëm që u është shkaktuar taksapaguesve shqiptarë. Për mua, problemi kryesor është që të gjithë dalin të larë, flasim në kuptimin njerëz përgjegjës që kanë qenë qoftë në Entin Rregullator, qoftë në CEZ, qoftë në Ministrinë të Ekonomisë, Tregtisë dhe të Energjetikës në atë kohë, të cilat duhet të marrin përgjegjësitë dhe duhet të ndëshkohen për këtë katastrofë financiare dhe sektoriale që ka kaluar Shqipëria gjatë këtyre viteve. Fatkeqësia e kësaj është që e mbyll këtë punë, i vë një kapak. Mund të argumentojë sa të dojë qeveria që kjo duhej mbyllur, duhej ecur përpara…

Sokol Balla: Është vërtet një kapak edhe në këtë aspekt, pra ka një pakt që tani iku, mbaroi…

Ministri Gjiknuri: Nuk ka një pakt dhe marrëveshja financiare nuk parashikon amnistira apo pakte të tilla. Duhet parë puna e gjithë institucioneve shqiptare se si kanë vepruar. Unë jam në dijeni të shumë gjërave, që p.sh Enti Rregullator i Energjisë ka funksionuar me urdhrat e Kryeministrit. Mjafton t’ju marr vetëm një fakt e tu them se kjo maskarada CEZ, erdhi si shkak i marrëdhënieve interesante që vet shteti krijoi me shoqërinë, ku herë toleronte njëra e herë tjetra për interesa politike dhe financiare të caktuara. Vetëm një fakt po ju jap, që ulja e çmimit të prodhimit në mënyrë arbitrare, vetëm për të favorizuar çekët, e bërë me urdhër nga Kryeministri, ka qenë një nga kontribuesit e problemeve në sektor.

Gjergji Bojaxhiu: Nuk jemi të sigurtë që e ka dhënë Kryeministri, biles Kryeministri e ka marrë vesh me vonesë. Kjo është një nga ato rastet e vetme ku Enti Rregullator ka marrë një vendim..

Ministri Gjiknuri: Enti Rregullator komandohej nga ish-Kryeministri.

Gjergji Bojaxhiu: E di unë që komandohej, nuk thashë që nuk komandohej. Thashë, i vetmi rast ku Enti Rregullator ka marrë një vendim pa u konsultuar është ai rast. Kjo ka edhe anën e vet qesharake. Problemi qëndron këtu, me mënyrën se si u mbyll kjo çështje, me negociatë e pa shkuar në arbitrazh është e vështirë të kthehesh mbrapsht. Nuk u diskutua asnjëherë përgjegjësia e njërës palë apo tjetrës sepse në këtë rast kjo zgjidhje që u gjet i lë të gjithë njerëzit që kanë përgjegjësi për këtë gjë, se si u arrit në këtë pikë, të mos ndëshkohen. Sepse vetëm nëpërmjet një vendimi me arbitrazh, i cila ka një bazë certifikimin më të madh dhe më të besueshëm atëherë mund të kthehesh mbrapsht në secilin nivel, qoftë tek kompania çeke private..

Sokol Balla: Po ndonjë zgjidhje financiare nuk është apo jo…

Ministri Gjiknuri: Çdo qeveri mundet të gjejë argumentet e saj, qoftë për interes publik, për të marrë një vendim, të shfuqizojë një kontratë apo elementë të tjerë…

Gjergji Bojaxhiu: Qoftë edhe ata oficer policie që shkuan me popullin dhe zaptuan dhe stacionet e kompanisë elektrike.

Ministri Gjiknuri: Unë personalisht si Ministër, edhe si administratë do të bëj gjithçka që në dispozicion të hetimit të vë çdo lloj informacioni…

Sokol Balla: A do ketë një hetim..

Ministri Gjiknuri: Patjetër duhet të ketë. Fatkeqësia në Shqipëri është se u filluan hetimet edhe për shumë çështje të tjera por po pushojnë. Ti ke një proces privatizimi me një garanci false prej 85 milion euro dhe askush nuk përgjigjet dhe pushohet çështja nga prokuroria. Kanceri i drejtësisë shqiptare i ka shfaqur metastazat kudo, edhe në çështjen e sektorit energjetik. Realisht, meriton një përgjigje për gjithë atë aferë çeke që shkaktoi këtë dëm se nuk është vetëm çeke, është një marrëdhënie, një fjetje në krevat mes qeverisë shqiptare dhe palës çeke, të cilët për katër vjet bënë çfarë deshën me sektorin energjetik.

Gjergji Bojaxhiu: Ministrinë përgjegjëse për këtë gjë e ka drejtuar aleati juaj në qeveri sot….

Ministri Gjiknuri: Në informacionet e mia, Kryeministri Berisha ka qenë timonieri i gjithçkaje kur vinte çështje tek sektori energjetik. Nga ana tjetër, unë përballë dhe ne si qeveri të paktën si ministri përgjegjëse, kam një situatë të cilën duhet ta adresoj ligjërisht, ekonomikisht dhe përmes masash e reformash. Për shkak të mos nxjerrjes apo nxjerrjes së përgjegjësisë penale, kjo nuk duhet të na errësojë logjikën për të marrë ato hapa që janë eficente. Pa reforma, pa një model tregu tjetër, pa reforma të thella në sektorin energjetik, situata do të jetë kështu. Situata nuk ka qenë mirë përpara se sa të vinin çekët, keq ka qenë, erdhën çekët vazhdoi edhe më keq. Situata në energjetikë, ju e dini shumë mirë ka qenë një betejë e vazhdueshme gjatë gjithë këtyre 20 vjetëve, për 2-3 arsye që janë themelore dhe mbase do të jetë një sfidë shumë e madhe edhe për këtë qeverisje. Vjedhja, informaliteti në energji është jashtëzakonisht i madh, siç është edhe në sektorët e tjetrë në ekonomi. Kemi të bëjmë me një rrjet të viteve ‘70 i cili kërkon investime imediate. Sakaq, ka qenë politika, me amnistitë, variantet me ndërhyrjet nga më të ndryshmet për interesa politike, që shkarkoi barrën tek KESH-i, shkarkoi barrën tek publiku, ul çmim këtu, mos paguaj atje ndërsa çekët ngritën pretendimet e tyre me institucionet shtetërore. Institucionet shtetërore në krye të listës të debitorëve të mëdhenj. Vet shteti nuk paguante faturat e energjisë.

Klikoni këtu për të lexuar intervistën e plotë të ministrit në emisionin Top Story.

Revista Monitor, 04.07.2014