Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Çekia: Vendimi për CEZ ndikoi votën pro

Zgjidhja e ngërçit të CEZ-it në minutat e fundit ka ndikuar që Çekia të votojë pro për statusin e vendit kandidat. Ky fakt është bërë i ditur nga ministri i Jashtëm i Çekisë, Lubomir Zaoralek, në një intervistë dhënë për TV Klan, i cili nuk e ka mohuar se mund ta bllokonin statusin. “Nuk duhet të ketë vend për keqkuptime kur bëhet fjalë për detyrimin tonë që të mbrojmë investimet e kompanive tona në vende të tjera, konkretisht në Shqipëri. Ne arritëm në frymë miqësore me shqiptarët të gjejmë një kompromis për çështjen e investimeve të CEZ”, u shpreh Zaoralek. Në lidhje me këtë qëndrim të Çekisë, që është shteti më pro zgjerimit, kryediplomati shton se “varet nga këndvështrimi juaj. Në patëm mirëkuptimin e kolegëve tanë europianë që çështja shihet thjesht si mbrojtje e investimeve të një kompanie të rëndësishme në një vend aspirant, që ka si detyrim krijimin e kushteve për një mirëfunksionim të marrëdhënieve ndërkombëtare. Për sa u përket vendeve të Ballkanit, afrimi i tyre është ende prioritet i politikës së jashtme të Republikës Çeke, por këto vende duhet të përmbushin standardet që rrjedhin nga anëtarësimi i tyre në Bashkimin Europian”.

Zaoralek bën të ditur njëherësh se me palën shqiptare për çështjen e CEZ-it është komunikuar deri në momentin e fundit, gjersa u arrit një kompromis. “Nuk kishte ndonjë diskutim që ta bazoje në fakte këtë kushtëzim që ju thoni, sepse ne u folëm partnerëve tanë shqiptarë këta muaj për parime dhe këtë mesazh e kishin të qartë edhe në Bruksel. Ne nuk kemi zhvilluar ndonjë diskutim dramatik rreth Shqipërisë. Ka çështje që duhen zgjidhur dhe kjo nuk është pengesë për bashkëpunimin me Shqipërinë, por edhe me vende të tjera që kishin rezerva. Po të shihni draftin përfundimtar, duket se Shqipëria ka ende rrugë për të bërë dhe rezultate për të arritur në luftën ndaj korrupsionit, shtetit ligjor dhe reformave të tjera. Ne kemi komunikuar edhe në momentet e fundit me palën shqiptare, nëse mund të arrihej një kompromis për çështjen e CEZ-it dhe është e rëndësishme që ne arritëm marrëveshjen dhe që procesi do të vijojë normalisht”, shtoi kryediplomati çek. Para marrjes së vendimit nga ana e Këshillit të Ministrave të BE-së, Çekia kishte dhënë sinjale të qarta se do ta bllokonte dhënien e statusit, e për këtë fajësonte Shqipërinë për mënyrën se si u trajtua kompania e këtij shteti, CEZ. Një ditë përpara dhënies së vendimit të ministrave të Jashtëm të BE-së, u bë publike arritja e marrëveshjes, ku qeveria do t’i japë CEZ-it si dëmshpërblim shifrën prej 95 milionë eurosh.

Gazeta Shqip, 26.06.2014