Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Raporti: Korrupsioni me energjinë në Ballkan

Nga Kroacia në Mal të Zi, marrëveshjet e dyshimta të energjisë po ndikojnë negativisht në ekonominë e rajonit, sipas një raporti të publikuar gjatë javës së energjisë së qëndrueshme të Komisionit Europian.

Raporti, i udhëhequr nga Marko Prelec, nga Balkans Policy Research Group, tërheq vëmendjen për korrupsionin masiv që ka goditur sektorin e energjisë në Europën Juglindore.

I titulluar “Kush përfiton më shumë nga niveli i lartë i korrupsionit në sektorin e energjisë të Europës Juglindore?”, raporti liston vetëm disa nga skandalet e korrupsionit që kanë goditur Europën Juglindore gjatë viteve të fundit.

Midis tyre, skandali i minierave “Kolubara” në Serbi, çështja INA-MOL në Kroaci, e cila çoi pas hekurave ish kryeministrin Ivo Sanader, për marrjen e një ryshfeti prej 10 milionë eurosh, rasti maqedonas i kartelit të tregtimit të energjisë, në të cilin katër firma u akuzuan se diktuan çmimin për importin e energjisë në një tender në vitin 2012, ose skandali në mal të zi me USAID, ku paratë e dhuruara nga SHBA-të për qeverinë u shpërdoruan nga biznesmenët e dyshimtë.

Pjesa më e madhe e rasteve, me përjashtim të ish kryeministrit kroat dhe dy çështjeve në Kosovë (njëra që përfshinte një të huaj dhe tjetra një gazetar), kanë mbetur të gjitha pezull, ose janë mbyllur pa akuza. Ndonjëherë ato as nuk janë hetuar.

29 miliardë euro investime të planifikuara

Me 28.8 miliardë euro investime në energji të planifikuara nga Komuniteti i Energjisë në Ballkanin Perëndimore deri në 2020, dhe një infrastrukturë që do të duhet të zëvendësohet, sektori i energjisë në rajon pritet që të rritet në mënyrë dramatike.

Kjo nënkupton se nivelet e korrupsionit do të rriten në mënyrë proporcionale në një rajon ku papunësia tek të rinjtë është tepër e lartë dhe emigracioni ekonomik po bëhet një fenomen masiv.

“30 miliardë është një shumë tepër e madhe parash dhe imagjinoni se me 10-15% të lësaj shume, sa i pasur mund të bëheni,” komenton Garret Tankosic-Kelly nga South East Europe Change Network (SEE Change).

Korrupsioni në rajon është i përhapur në të gjithë sektorët, por Tankosic-Kelly thotë se ka një sërë faktorësh që e bëjnë atë më serioz në sektorin e energjisë.

Sigurimi i energjisë në rajon është gjithashtu në rrezik, siç është treguar nga kriza ukrainase.

“Është kritike për stabilitetin e energjisë. Është shumë e rëndësishme të ketë një sistem të rregullt, të diversifikuar, në gjendje për t’u përballur me goditjet dhe ajo që ndodh me energjinë është se ata shkojnë drejt gjërave që dinë: marrëveshja të ndyra për qymyrin dhe investime hidro shumë të këqija, kur ata duhet të orientoheshin drejt eficiencës së energjisë, diversifikimit të burimeve të rinovueshme,” thotë Tankosic-Kelly.

Në një rajon ku rreth 20% e energjisë humbet ose vidhet, pjesa më e madhe e vendeve në rajon kanë dy deri në katër herë më pak eficientë se mesatarja e Bashkimit Europian.

Mungesa e politikave për eficiencën e energjisë dhe hezitimi për të kursyer energji në përgjithësi është gjithashtu i lidhur më shumat e mëdha të parave që vijnë nga korrupsioni në këtë sektor, paralajmëron ai.

Revista Monitor, 25.06.2014