Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ministrat mbi mbylljen e konfliktit me CEZ

Deklarata për shtyp për zgjidhjen e konfliktit mbi kompaninë CEZ Shpërndarje

Duke falënderuar median për pjesëmarrjen në këtë komunikim, dua t’i bëj me dije opinionit publik, se mbrëmë më datë 23 Qershor, Qeveria e Shqipërisë dhe Shoqëria CEZ a.s. arritën një marrëveshje për zgjidhjen me mirëkuptim të konfliktit të krijuar që prej janarit 2013, kur Enti Rregullator i Energjisë mori vendimin për heqjen e licencës së shoqërisë çeke në sektorin e shpërndarjes.

Negociatat mes palëve u zhvilluan gjatë periudhës Dhjetor 2013– Qershor 2014, me ndërmjetësimin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Vienë. Duhet të theksoj, se ky organizëm ndërkombëtar, ka luajtur një rol shumë të çmuar në afrimin e qëndrimeve të palëve në negociata, duke qenë njëkohësisht garant për një proces transparent dhe të mirë monitoruar.

Bisedimet për palën shqiptare u kryen nga një grup punë i emëruar nga Kryeministri, kryesuar nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Ministri i Financave dhe ai i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.

Ky grup negociator kishte në përbërje edhe përfaqësues nga disa institucione shtetërore dhe operatorë të sistemit energjitik shqiptar.

Grupi është ndihmuar në këtë proces, nga zyra ligjore ndërkombëtare e kontraktuar për arbitrazhin, si dhe është këshilluar në vijimësi me ekspertët e Bankës Botërore.

Marrëveshja e arritur mes Qeverisë së Shqipërisë dhe kompanisë CEZ a.s. ka për thelb të sajin termat sa vijon:

  1. Transferimi i menjëhershëm në favor të shtetit shqiptar të 76 % të aksioneve të shoqërisë, të cilat zotërohen nga CEZ a.s., duke i dhënë shtetit shqiptar pronësinë e plotë të shoqërisë.
  2. Pala çeke heq dorë nga kërkimi i vlerës 103 milion euro, të paguar për blerjen e aksioneve në vitin 2009 si dhe nga çdo pretendim tjetër financiar që lidhet me vlerën e blerjes së aksioneve dhe investimet.
  3. Shoqëria e re e shpërndarjes së energjisë, kontrolluar tashmë nga shteti, merr përsipër të paguajë palës çeke një vlerë prej 87.1 milion euro. Kjo vlerë u dakordësua të paguhet me këste, duke filluar nga Shtatori i vitit 2014 deri në fund të vitit 2018, me një vlerë të përgjithshme interesi 7.9 milion euro mbi principalin e dakordësuar. Kjo vlerë, përfaqëson kreditë e marra dhe shumat e faturuara e të kërkueshme në çdo kohë nga ana e CEZ a.s.
  4. Marrëveshja, parashikon se palët heqin dorë nga çdo pretendim i mëtejshëm financiar apo ligjor. Pala çeke tërhiqet nga procesi i arbitrazhit, hapur në maj të vitit 2013 sipas rregullave të UNCITRAL, mbështetur në Traktatin e Kartës së Energjisë.

Marrëveshja e dakordësuar do të aprovohet nga Këshilli i Ministrave dhe do të miratohet më pas me ligj nga Kuvendi i Shqipërisë.

Dua të nënvizoj faktin se zgjidhja përfundimtare e konfliktit me CEZ-in jo vetëm që qartëson statusin juridik të shoqërisë, por përfundimisht hap rrugën për investime në sektorin e shpërndarjes, i lënë në kolaps pikërisht për shkak të keqmenaxhimit dhe mungesës së investimeve.

Janë të paktën 200 milion dollarë që pritet të investohen, nga të cilat 150 milion i përkasin Bankës Botërore, dhe do të aktivizohen duke nisur nga ky vit. Tejzgjatja e konfliktit ligjor dhe pasiguria juridike e sektorit të shpërndarjes e bënte të pamundur investimin e këtyre parave.

Depozitimi nga pala shqiptare e padisë së saj dhe vazhdimi i procesit gjyqësor të arbitrazhit do të kërkonte të paktën 4 deri në 6 vjet kohë. Kostoja e mbrojtjes ligjore, do të shkonte në miliona dollar dhe pa qenë të sigurtë në suksesin e çështjes.

Ndërkohë, fakti se pala shqiptare, në fillimet e konfliktit, u soll si pronare duke futur edhe trupën policore në ambientet e kompanisë, heqja e licencës dhe imponimi i detyruar i administrimit, përkeqësoi dukshëm pozitën e vendit tonë në këtë çështje, dhe siç është bërë e njohur edhe nga këshilltarët tanë juridik, u krijoi mundësi çekëve të bënin padi të parët dhe të krijonin avantazh në arbitrazh.

Qeveria e kaluar refuzoi të kryejë edhe vlerësimin teknik dhe financiar, i domosdoshëm për tu kryer menjëherë pas heqjes së licencës dhe administrimit të detyruar. Këto vlerësime u bë e mundur të realizohen vetëm në shkurt të vitit 2014, çka përfaqësonte një kapërcim kohor mbi një vit nga momenti i marrjes së shoqërisë dhe në mes të negociatave për një zgjidhje miqësore.

P1040505

Në këto kushte, zgjidhja më e drejtë dhe me më pak kosto për palen shqiptare ishte tentimi dhe garantimi i një marrëveshjeje miqësore për të marre nën kontroll shoqërinë.

Mbajtja e “status quo”-së deri sa konflikti i tejzgjatur do të zgjidhej me arbitrazh, përbënte një opsion të rrezikshëm pasi me këtë gjendje që është, duke akumuluar humbje që shkojnë mbi 150 milion euro në vit, sektori energjitik do të vazhdonte ta çonte vendin dhe buxhetin e shtetit drejt një kolapsi financiar.

Pikërisht, duke vlerësuar rriskun me të cilin përballeshin financat publike, organizmat ndërkombëtare përfshirë Bankën Botërore inkurajuan zgjidhjen sa më të shpejtë të konfliktit me CEZ a.s, përmes bisedimeve dhe marrëveshjes me mirëkuptim.

Shprehim bindjen se kjo zgjidhje miqësore përmirëson dukshëm imazhin e Shqipërisë dhe sigurinë juridike për investitorët e huaj.

Faleminderit.
Pjesa e pyetjeve nga gazetarët:

Pyetje: Zoti Cani, bëhet fjalë pra, për një shifër që në total arrin në 95 milion euro. Cila do të jetë mënyra e financimit të këtyre parave. Do të jenë paratë e Buxhetit të Shtetit apo si? Së dyti, a ka përgjegjësi dikush për këtë privatizim të dështuar?

Ministri i Financave, Z.Cani: Unë besoj se u tha shumë qartë, edhe në këtë deklaratë për shtyp të mbajtur nga Ministri Gjiknuri. Këto para nuk paguhen nga Buxhetit i Shtetit por paratë paguhen nga kompania e re CEZ, gjatë një periudhe prej 4 vitesh. 87.1 milion euro do të shlyhen gjatë periudhës 2014-2018, pra, për një periudhë prej 4 vitesh dhe interesi i mbartur për këtë shlyerje me këste në 4 vite është 7.9 milion euro. Të gjitha këto së bashku bëjnë 95 milion euro, të cilat do të shlyhen vit pas viti nga kompania CEZ dhe jo nga Buxheti i Shtetit.

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Z. Gjiknuri: Vetëm për krahasim. Vlera e gjetjes së marrëveshjes e cila është 87 milion euro, por në total, me gjithë interesat e katër viteve arrin në 95 milion euro, përfaqëson gjysmën e humbjeve dhe vjedhjeve të energjisë që ka Shqipëria në një vit. Mjafton vetëm ky fakt për të kuptuar se çfarë përfaqëson.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Z.Ahmetaj: Edhe një sqarim. Siç tha edhe Ministri i Energjisë, humbjet janë 150 milion euro në vit dhe ndërkohë që hapësira kohore prej 4 vitesh do ti japë Operatorit të Shpërndarjes, tanimë në pronësi shtetërore, mundësinë e shëndetshmërisë financiare dhe aftësi paguese duke reduktuar humbjet. Sa i takon pyetjes suaj se kush është përgjegjësi, ka vetëm një emër: Sali Berisha. Qeveria e tij e la gjithë sistemin energjetik në kolaps, në falimentin të plotë, në borxhe gati 1.1 miliard dhe pikërisht e la Operatorin e Shpërndarjes, deri më dje apo edhe deri në momentin që do kalojë në parlament CEZ Shqipëria, në gjendje financiare të falimentuar. E lanë çështjen edhe juridikisht, me qëllim në disavantazh të shtetit shqiptar dhe në mes të rrugës.

Pyetje: Nëse nuk realizohen paratë nga Operatori i Shpërndarjes, a ka një skenar se si do të mund të bëhen këto pagesa ndaj kompanisë CEZ?

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Z.Ahmetaj: Instrumenti financiar është i strukturuar. Siç e thamë, paratë do të paguhen në vite nga kontabiliteti i Operatorit të Shpërndarjes, pra të kompanisë së re. Është i garantuar në formatin e tij, mbrapa pagesës, pra pagesa do të mbështetet me një garanci bankare, e cila drejtpërsëdrejti gjithashtu do të mbështetet nga shteti shqiptar. Në rastin e mos pagesës nga operatori, sigurisht që shteti shqiptar, detyrimisht do të garantojë palën çeke por ne jemi të bindur se nuk do të vijë asnjëherë rasti që garancia e shtetit shqiptar të aktivizohet. Për mendimin tonë, struktura financiare e zgjedhur është jashtëzakonisht e favorshme për shtetin shqiptar, për buxhetin e shtetit, që nuk cënohet drejtpërsëdrejti, për kompaninë që do të paguajë më pak se sa ka qenë vlera e privatizimit të 76%. Sigurisht që ka qenë një negociatë shumë e gjatë, një negociatë gjashtë mujore.

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Z. Gjiknuri: Sa i takon pyetjes suaj se pse është kjo vlerë kur pretendimet e palës çeke kanë qenë më të larta, unë nuk mund të komentoj shifra por ju garantoj se është më pak se sa gjysma e asaj që mund të kërkohej. Realisht, kjo është dhe vlera e negociatave dhe insistimi ynë për të gjetur një zgjidhje që nuk do të dëmtonte interesat financiare të vendit apo të kompanisë së re të shpërndarjes, e cila merr përsipër këtë detyrim. Në fund të fundit, ky është edhe suksesi i këtyre negociatave dhe nuk kemi pse ta mohojmë.

P1040528(1)Pyetje: Zoti Gjiknuri a ka patur një pretendim të palës shqiptare për dëmshpërblim nga pala çeke dhe a ka lidhje marrja e statusit kandidat me çështjen e CEZ-it?

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Z. Gjiknuri: Së pari, meqenëse e ngritët si çështje, dua të them se pala shqiptare nuk paraqiti një padi. Nga një letër e konsulentëve juridikë të përzgjedhur në atë kohë, u bë e ditur se qeveria shqiptare humbi kohë, nuk bëri asgjë dhe la litarin jashtë. Priti zgjedhjet dhe la litarin jashtë. Sali Berisha dhe qeveria e tij zgjodhi që nëse do të fitonte zgjedhjet, patjetër do shikonte çfarë do bënte por nëse nuk do të fitonte, do ta linte gropën siç ka lënë shumë gropa financiare dhe probleme madhore juridike të hapura për këtë vend. Shpresojmë që me këtë marrëveshje të mbyllim një nga gropat e mëdha. Ishte pala çeke që bëri padinë e para dhe krijuan avantazhe të mëdha. Përtej deklaratave publike, ish qeverisja nuk bëri asgjë, as vlerësimin teknik, as vlerësimin financiar, u soll si pronare, përdori policinë dhe bëri gjithçka duke përkeqësuar pozitat juridike të Shqipërisë. A është bërë dhe kjo me qëllim? Kjo mbetet për tu parë sepse asgjë nuk pati transparencë që nga heqja e licencës e deri çfarë ndodhi më vonë me çekët. Përkundrazi, qeveria e re zgjodhi një organizëm ndërkombëtar të ndërmjetësonte me palën çeke, për të shmangur çdo lloj tymnaje, akuze apo spekulimi politik që është e natyrshme në një mjedis politik si Shqipëria.

Në lidhje me pyetjen e dytë, po ju them me përgjegjësi të plotë, se këto diskutime nuk u filluan me statusin. Këto diskutime u nisën në dhjetor, vazhduan mbi gjashtë muaj. Ishin diskutime financiare dhe tregtare, duke marrë parasysh interesat e vendit dhe interesat e sektorit. Një gjë është e vërtetë, se ky konflikt kishte përkeqësuar dukshëm marrëdhëniet mes Çekisë dhe Shqipërisë. Unë nuk jam këtu të komentoj se si mund të veprojë Republika Çeke me interesat e saja në politikën e jashtme. Dua të them një gjë, që në tavolinën tonë kjo gjë nuk ka qenë prezente. Pjesën tjetër duhet ta kërkoni edhe nga informacionet që janë bërë publike nga qeveria çeke, që nuk e lidhin këtë çështje me statusin e vendit kandidat.

Pyetje: Zoti Gjiknuri ju u shprehët për investime në sektorin e energjisë. Konkretisht çfarë investimesh do të bëhen dhe kur pritet të krijohet mundësia për një riprivatizim të kompanisë?

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Z. Gjiknuri: Një nga arsyet se përse ne kërkonim të merrnim kontrollin dhe pronësinë e plotë të kësaj shoqërie ishte që ti hapnim rrugën investimeve. Një sektor shpërndarjeje pa investime nuk mund të përmirësojë humbjet, nuk mund të përmirësojë performancën e tij ekonomike dhe as nuk mund të bëhet ndonjëherë i gatshëm për privatizim. Janë minimalisht 200 milion dollarë që presin, 150 nga Banka Botërore dhe 50 nga donatorë të tjerë që janë të gatshëm. Kjo do ta krijojë mundësinë që edhe kompania të komercializohet dhe të ketë menaxhim më të mirë, performancë më të mirë, duke përgatitur rrugën drejt formave më komerciale të administrimit të sektorit të shpërndarjes. Këto nuk më duket me vend ti diskutoj tani dhe këtu me ju, por kjo marrëveshje hap rrugën e përmirësimit të cilësisë së këtij sektori dhe sjelljen e tij në parametrat që e kërkon koha. Sistemi energjitik shqiptar nuk duhet të jetë më një plagë që lëngon por të jetë i krahasueshëm me vendt e rajonit, të jetë një sektor i shëndetshëm për investime.

Pyetje: Investimet që do të kryeni do të luftojnë dhe fenomenin e humbjeve që ka karakterizuar sektorin deri më tani. A do të mund të ulet çmimi i energjisë?

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Z. Gjiknuri: Le të respektojmë njëri-tjetrin. Ne jemi këtu për të folur në lidhje me gjetjen e një marrëveshjeje me kompaninë CEZ a.s. e cila lidhet edhe me investimet duke u hapur rrugën pikërisht investimeve. Ky është lajmi më i rëndësishëm dhe dritarja që na hapet. Përndryshe, do të bëja një krahasim, do të ishim si dy palë që luftojnë për një shtëpi që rrënohet dita-ditës, atë që do merrnim do ta merrnim gërmadhë. Ne nuk jemi për të marrë gërmadha por për ta nxjerrë vendin nga kriza në të cilën e morëm.

energjia.al 24.06.2014