Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Arrihet marrëveshja e shumëpritur me CEZ

Deklaratë e Përbashkët e Qeverisë Shqiptare dhe CEZ Grup:

Palët e përmendura mëposhtë shpallën se sot kanë nisur një zgjidhje miqësore të marrëveshjes. Marrëveshja për zgjidhjen e kontratës është rezultati i negociatave të gjata të palëve pjesëmarrëse në mirëbesim me ndërmjetësimin e Z.Dirk Buschle, Zëvendës Drejtor i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Vjenë, Austri.

Negociatat u mbajtën në ambientet e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë. Kjo marrëveshje zgjidh të gjitha pretendimet midis CEZ-it dhe Republikës së Shqipërisë në lidhje me investimet e CEZ-it në CEZ Shpërndarje dhe sektorit energjitik shqiptar.

Sipas kërkesave të ligjit shqiptar termat e përfundimit të marrëveshjes do të jepen gjatë procesit të miratimit përfundimtar nga autoritetet shqiptare. Të dyja palët zotohen se kjo marrëveshje nuk përmban asnjë element të paligjshëm nga secila prej palëve.

Deklarata për shtyp e ministrave për zgjidhjen e konfliktit me kompaninë CEZ Shpërndarje:

Duke falënderuar median për pjesëmarrjen në këtë komunikim, dua t’i bëj me dije opinionit publik, se mbrëmë më datë 23 Qershor, Qeveria e Shqipërisë dhe Shoqëria CEZ a.s. arritën një marrëveshje për zgjidhjen me mirëkuptim të konfliktit të krijuar që prej janarit 2013, kur Enti Rregullator i Energjisë mori vendimin për heqjen e licencës së shoqërisë çeke në sektorin e shpërndarjes.

Negociatat mes palëve u zhvilluan gjatë periudhës Dhjetor 2013– Qershor 2014, me ndërmjetësimin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Vienë. Duhet të theksoj, se ky organizëm ndërkombëtar, ka luajtur një rol shumë të çmuar në afrimin e qëndrimeve të palëve në negociata, duke qenë njëkohësisht garant për një proces transparent dhe të mirë monitoruar.

Bisedimet për palën shqiptare u kryen nga një grup punë i emëruar nga Kryeministri, kryesuar nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Ministri i Financave dhe ai i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.

Ky grup negociator kishte në përbërje edhe përfaqësues nga disa institucione shtetërore dhe operatorë të sistemit energjitik shqiptar.

Grupi është ndihmuar në këtë proces, nga zyra ligjore ndërkombëtare e kontraktuar për arbitrazhin, si dhe është këshilluar në vijimësi me ekspertët e Bankës Botërore.

Marrëveshja e arritur mes Qeverisë së Shqipërisë dhe kompanisë CEZ a.s. ka për thelb të sajin termat sa vijon:

  1.  Transferimi i menjëhershëm në favor të shtetit shqiptar të 76 % të aksioneve të shoqërisë, të cilat zotërohen nga CEZ a.s., duke i dhënë shtetit shqiptar pronësinë e plotë të shoqërisë.
  2. Pala çeke heq dorë nga kërkimi i vlerës 103 milion euro, të paguar për blerjen e aksioneve në vitin 2009 si dhe nga çdo pretendim tjetër financiar që lidhet me vlerën e blerjes së aksioneve dhe investimet.
  3. Shoqëria e re e shpërndarjes së energjisë, kontrolluar tashmë nga shteti, merr përsipër të paguajë palës çeke një vlerë prej 87.1 milion euro. Kjo vlerë u dakordësua të paguhet me këste, duke filluar nga Shtatori i vitit 2014 deri në fund të vitit 2018, me një vlerë të përgjithshme interesi 7.9 milion euro mbi principalin e dakordësuar. Kjo vlerë, përfaqëson kreditë e marra dhe shumat e faturuara e të kërkueshme në çdo kohë nga ana e CEZ a.s.
  4. Marrëveshja, parashikon se palët heqin dorë nga çdo pretendim i mëtejshëm financiar apo ligjor. Pala çeke tërhiqet nga procesi i arbitrazhit, hapur në maj të vitit 2013 sipas rregullave të UNCITRAL, mbështetur në Traktatin e Kartës së Energjisë.

.

P1040555

Marrëveshja e dakordësuar do të aprovohet nga Këshilli i Ministrave dhe do të miratohet më pas me ligj nga Kuvendi i Shqipërisë.

Dua të nënvizoj faktin se zgjidhja përfundimtare e konfliktit me CEZ-in jo vetëm që qartëson statusin juridik të shoqërisë, por përfundimisht hap rrugën për investime në sektorin e shpërndarjes, i lënë në kolaps pikërisht për shkak të keqmenaxhimit dhe mungesës së investimeve.

Janë të paktën 200 milion dollarë që pritet të investohen, nga të cilat 150 milion i përkasin Bankës Botërore, dhe do të aktivizohen duke nisur nga ky vit. Tejzgjatja e konfliktit ligjor dhe pasiguria juridike e sektorit të shpërndarjes e bënte të pamundur investimin e këtyre parave.

Depozitimi nga pala shqiptare e padisë së saj dhe vazhdimi i procesit gjyqësor të arbitrazhit do të kërkonte të paktën 4 deri në 6 vjet kohë. Kostoja e mbrojtjes ligjore, do të shkonte në miliona dollar dhe pa qenë të sigurtë në suksesin e çështjes.

Ndërkohë, fakti se pala shqiptare, në fillimet e konfliktit, u soll si pronare duke futur edhe trupën policore në ambientet e kompanisë, heqja e licencës dhe imponimi i detyruar i administrimit, përkeqësoi dukshëm pozitën e vendit tonë në këtë çështje, dhe siç është bërë e njohur edhe nga këshilltarët tanë juridik, u krijoi mundësi çekëve të bënin padi të parët dhe të krijonin avantazh në arbitrazh.

Qeveria e kaluar refuzoi të kryejë edhe vlerësimin teknik dhe financiar, i domosdoshëm për tu kryer menjëherë pas heqjes së licencës dhe administrimit të detyruar. Këto vlerësime u bë e mundur të realizohen vetëm në shkurt të vitit 2014, çka përfaqësonte një kapërcim kohor mbi një vit nga momenti i marrjes së shoqërisë dhe në mes të negociatave për një zgjidhje miqësore.

Në këto kushte, zgjidhja më e drejtë dhe me më pak kosto për palen shqiptare ishte tentimi dhe garantimi i një marrëveshjeje miqësore për të marre nën kontroll shoqërinë.

Mbajtja e “status quo”-së deri sa konflikti i tejzgjatur do të zgjidhej me arbitrazh, përbënte një opsion të rrezikshëm pasi me këtë gjendje që është, duke akumuluar humbje që shkojnë mbi 150 milion euro në vit, sektori energjitik do të vazhdonte ta çonte vendin dhe buxhetin e shtetit drejt një kolapsi financiar.

Pikërisht, duke vlerësuar rriskun me të cilin përballeshin financat publike, organizmat ndërkombëtare përfshirë Bankën Botërore inkurajuan zgjidhjen sa më të shpejtë të konfliktit me CEZ a.s, përmes bisedimeve dhe marrëveshjes me mirëkuptim.

Shprehim bindjen se kjo zgjidhje miqësore përmirëson dukshëm imazhin e Shqipërisë dhe sigurinë juridike për investitorët e huaj.

Faleminderit.

energjia.al 24.06.2014