Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nevojë urgjente për reformë në sektorin energjitik

Nga Gjergj Simaku

Debati i hapur së fundi në gazetën “Shqip” dhe kërkesa e drejtë e redaksisë për të debatuar për çështje të rëndësisë së veçantë në sektorin e energjisë elektrike, siç janë ato të modelit të tregut energjetik apo të kuadrit ligjor që ndihmon zgjidhjen e problemeve akute të tij, më tërhoqi vëmendjen dhe më shtyu të hedh disa shënime, si vijim i trajtimit të problematikave të tilla në vite; për shkak të përvojës në këtë fushë apo edhe për shkak të pozicionit zyrtar të tanishëm.

Çfarë mund të them si fillim? Atë që është e njohur dhe që përsëritet si një refren nga të gjithë: situatën e vështirë të sektorit, problemet e mbledhura në vite dhe ende të pazgjidhura, nevojën për të qëndruar “ashpër” në vizualizimin real të sektorit dhe ofrimin e zgjidhjeve që i japin njëherë e përgjithmonë përgjigje pozitive shqetësimeve të ngritura.

Kam disa pika takimi, pra që kanë qasje të njëjtë me atë të ofruar në “Shqip” nga z. Agron Hetoja, administrator i KESH sh.a. Sikundër, në dijeninë time, ka edhe pika të tjera që duhet të bëhen pjesë e debatit, pra edhe e zgjidhjes. Po ndalem specifikisht te këto të dytat.

Po rilexoja me vëmendje deklaratën e Entit Rregullator të Energjisë (ERE): “Bordi i Komisionerëve të ERE-s, në mbledhjen e tij të datës 15 dhjetor 2011, vendosi miratimin e çmimeve të energjisë elektrike për konsumatorët tariforë për Periudhën e Tretë Rregullatore 2012-2014. Bordi i Komisionerëve, pasi ka shqyrtuar dhe vlerësuar me objektivitet dhe pa asnjë paragjykim aplikimet e Kompanive si KESH sh.a., TEC Vlorë sh.a. (i cili sot nuk funksionon), HEC Lanabregas sh.a., HEC Ulëz Shkopet sh.a., HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2 sh.a. – për përcaktimin e tarifës së prodhimit të energjisë elektrike, OST sh.a. – për përcaktimin e tarifës së transmetimit të energjisë elektrike dhe CEZ Shpërndarje sh.a. – për përcaktimin e tarifës së shpërndarjes së energjisë. …ERE ka marrë gjithashtu në konsideratë argumentet, llogaritjet, mendimet dhe propozimet e grupeve të interesit dhe shoqatave të konsumatorëve të shprehura në seancën dëgjimore publike të datës 30.11.2011 si dhe është udhëhequr në këtë proces në parimet e: a) Transparencës dhe mbrojtjes së konsumatorëve nga mundësia e veprimit të efektit monopol – ERE ka trajtuar me kujdes të veçantë mbrojtjen e konsumatorit nga veprimi i dukurisë “monopol” në sistemin e furnizimit me energji elektrike dhe ka realizuar një proces tejet transparent në shqyrtimin e aplikimeve; b) Mbulimit të kostove dhe sigurimit të të ardhurave të nevojshme për shoqëritë – ERE vlerëson se çmimet dhe tarifat e miratuara të energjisë elektrike, sigurojnë të ardhurat e nevojshme për shoqëritë KESh sh.a., TEC Vlora sh.a., OST sh.a. dhe OSSH sh.a. për të siguruar një furnizim të pandërprerë me energji elektrike të konsumatorëve tariforë për Periudhën e tretë Rregullatore 2012-2014…

…Pas përfundimit të këtij procesi, Bordi i Komisionerëve të ERE-s, vendosi të miratojë të njëjtën strukturë tarifash për çdo grup të klientëve tariforë si ajo ekzistuese. ERE, edhe përgjatë Periudhës së tretë Rregullatore 2012-2014, vendosi të ruajë të njëjtat çmime si dhe sistemin tarifor me dy blloqe, duke lënë në fuqi një çmim prej 7.70 lekë/kWh për konsumin deri 300 kWh, dhe për konsumin mbi 300 kWh një çmim prej 13.50 lekë për kWh. ERE mendon se kjo strukturë dekurajon shfrytëzimin e energjisë elektrike për ngrohje dhe gatim dhe këto dy shërbime mund të garantohen nga burime alternative me kosto konkurruese”.

Jo pa qëllim iu referova këtij vendimi dhe e vendosa të plotë edhe datën e deklaratës: 15 Dhjetor 2011! Theksoj gjithashtu se me vendime të vitit 2004-2005, mbeten aktuale dy blloqet, të cilat kanë vazhduar, ndërkohë që situata energjetike vazhdonte të ishte problematike.

Po aktualisht? Për hir të së vërtetës duhet përmendur se vazhdon një model tregu i deformuar: Kompania publike e Transmetimit (OST), është përgjegjëse për koordinimin e aktiviteteve të tregut. Kompania publike e Gjenerimit (KESH), gjithashtu vepron si një furnizues publik me shumicë dhe është përgjegjës për të përballuar kërkesat e të gjithë konsumatorëve me çmime të rregulluara. Energjia elektrike shpërndahet nga Kompania “ČEZ Shpërndarje” tek e cila pala çeke ka 76% të aksioneve të sistemit të furnizimit publik me pakicë (OSSH-së), pjesa tjetër 24% zotërohet nga shteti shqiptar. Ka gjithashtu edhe 40 prodhues të pavarur të energjisë, që zotërojnë 68 HEC-e deri në 15 MW, me një kapacitet total të instaluar prej 121 MW. Në total janë 15 operatorë aktivë në tregun e energjisë elektrike.

Sikundër përmendet drejt në analizën e Administratorit të KESH sh.a., importet e energjisë elektrike kryen kryesisht nga KESH-i si furnizues publik me shumicë (për të mbuluar kërkesën) dhe nga “CEZ Shpërndarje” (për të mbuluar humbjet në shpërndarje). Sipas rregullave në fuqi, OST zbaton alokimin e 75% të kapaciteteve transmetuese ndërkufitare, duke i lënë të lira, furnizuesit publik me shumicë “CEZ Shpërndarje” 25% të kapaciteteve.

Sfida e sektorit? Humbjet në Shpërndarje!

Sfida më e madhe për sistemin e energjisë elektrike në Shqipëri mbetet niveli i lartë i humbjeve të përgjithshme në sistemin e shpërndarjes.

Nga ana tjetër, qeveria është e vendosur të respektojë, jo vetëm pavarësinë ligjore të ERE-s, por edhe vendimet e tij. Sipas mendimit tim, nevojës për reforma, ERE duhet t’i përgjigjet me një sjellje proaktive, në funksion të mjedisit të ri të krijuar, ku pjesëmarrësit në treg ndërveprojnë reciprokisht.

Unë vazhdoj të gjykoj se Enti Rregullator i Energjisë Elektrike (ERE), duhet të kishte përcjellë te konsumatori ERW-n e re të paketës së tretë në përputhje me direktivat e BE-së, një draft pakete ligjore e cila çon drejt liberalizimit dhe futjes së koncepteve reale të tregut kombëtar dhe rajonal të energjisë elektrike. Kjo ka të bëjë pikërisht me sjelljen proaktive që përmenda më sipër. Sikundër mund të gjykohet se vetë rregullimi është një ndërhyrje e shtetit, i cili nëpërmjet rregullave dhe modelit të tregut, ushtron kontroll direkt dhe indirekt në veprimtaritë e operatorëve shtetërorë ose privatë në sektorin e energjisë.

Pra, nëpërmjet ERE-s, shteti “kontrollon” çmimet dhe tarifat si forma më e zakonshme e rregullimit ekonomik ne sektorin energjetik. Por rregullimi shkon shpesh përtej çmimeve të thjeshta apo kontrollit të tarifave. Operatorët e tregut kërkojnë zakonisht aprovimin e shtetit edhe për marrjen e vendimeve minimale për operim dhe investim. Në fakt, duket një lloj konfuzioni lidhur me rregullimin.

Nëse Shqipëria do të kërkojë realisht investime private në sektorin e saj të energjisë, ajo duhet patjetër të adoptojë një sistem të ri rregullator mbështetur në autoritetin që i lejon misioni që ka marrë përsipër – mbrojtjen e interesave të konsumatorit. Ligji i ri që po përgatitet për sektorin e energjisë elektrike në Shqipëri është një model i adoptimit të stilit të ri të rregullimit.

Pse rregullim specifik i sektorit të energjisë elektrike?

Përse duhet të hartohen rregulla të veçanta për sektorin e energjisë elektrike? Përgjigjja është e thjeshtë: rregullimi nevojitet për të parandaluar ushtrimin e energjisë monopol nga një monopol natyral. Kjo sigurisht nuk konsiston në pasjen e një rregullimi specifik të sektorit kur konkurrenca është fizibël. Por për zhvillimin e ekonomisë së vendit, i cili duhet të fillojë të privatizojë sektorin energjetik, ku, përfitimet kryesore të rregullimit nuk vijnë nga eliminimi i humbjeve efektive nëpërmjet energjisë si monopol. Përfitim i madh vjen nga krijimi i sistemit të pronës private, i cili mund të reduktojë humbjet e prodhuara nga kapaciteti afatshkurtër, kostot rrjedhëse dhe operimet joefektive kaq të zakonshme në KESH sh.a. Vetë privatizimi, nuk kërkon gjithmonë një rregullim specifik të sektorit.

Për konsumatorët nuk ka rëndësi nëse monopoli i ri është natyror ose jonatyror, ato thjesht duan të jenë të mbrojtur nga çmimet e këtij monopoli. Në qoftë se ato besojnë që qeveria nuk po i mbron ata nga monopolistët e rinj, privatizimi nuk do të zgjasë gjatë. Ky ishte destinacioni i një privatizimi “thuajse monopol” dhe të dështuar të shpërndarjes nëpërmjet CEZ.

Investitorët gjithashtu duan mbrojtje

Stili klientelist i ERE-s në vitet e fundit (me mbështetjen maksimale të qeverisë së mëparshme), ka lejuar investime të vogla në impiantet e gjenerimit dhe sot ato kërcënohen të shndërrohen në pengje ekonomike. Prodhuesit e pavarur të energjisë (PPE) p.sh., shpesh flasin për nevojën e një “mjedisi të qëndrueshëm rregullator”. Kjo, si një mënyrë politese e thënies, do të thotë se “pas firmosjes së kontratës së shitjes së energjisë, pres që ajo të respektohet”.

Investitorët nuk do të investojnë në këtë vend, nëse ata besojnë që investimi i tyre do të humbasë nëpërmjet shpronësimit direkt ose nëpërmjet disa veprimeve të vogla rregullatore, që i shtohen shpronësimit “de facto”. Në një vend si Shqipëria, me pak ose aspak histori të pronës private në sektorin e energjisë, rregullimi duhet të bindë investitorët privatë që duhet të mbulojnë kosto të arsyeshme dhe të fitojnë një përfitim të sigurt, krahas rrezikut që marrin përsipër.

Rregullimi, nga ana tjetër, është thjesht një mekanizëm që i lejon një qeverie të formulojë dhe të institucionalizojë zotimet e saj për të mbrojtur konsumatorët dhe investitorët. Ideale do të ishte që politikat e implementimit të entit rregullator të specifikohen në ligjin për energjinë. Atëherë, rregullimi nuk duhet të jetë më shumë se një seri kontratash specifike transaksionesh midis qeverisë dhe PPE-ve. Kur privatizimi është më komprensiv, p.sh. privatizimi i shpërndarjes së energjisë, duhet të krijohet një agjenci efektive rregullatore, sepse është e pamundur të paraspecifikohen të gjitha termat e rregullimit në një ose më shumë kontrata.

Nuk është e nevojshme të komentoj më tutje për çështje që dihen. Publiku me siguri, më shumë se kurrë, kërkon transparencë. Në qoftë se enti rregullator është proaktiv dhe në funksionin e tij të drejtpërdrejtë, ai duhet të ndërveprojë në mënyrën të barasvlershme me të gjithë aktorët e tregut, të bindë se rritjet në çmime reflektojnë kostot e caktuara apo të subvencionuara më parë nga shteti, dhe jo përfitime monopoli. Kjo ka munguar totalisht në Shqipëri. Por nuk duhet të mungojë. Transparenca duhet të ketë tre dimensione bazë: Specifikimi i rregullave, hapja e procesit dhe shpjegimi i vendimeve. Nëse vërtet kërkojmë një model të ri tregu dhe kuadër rregullator bashkëkohor. Dhe kjo na përket të gjithëve, tani sa nuk është vonë…

Gazeta Shqip, 07.06.2014