Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gazi, mes potencialeve e problemeve

Flet Dorian Duçka, zëvendësministër i Energjisë dhe Industrisë: Interes i lartë nga të huajt, duam të bindim kompanitë shqiptare…..

Shumë shpejt, Shqipëria do të mund të vendosë në lidhje me kuotat e gazit që do të mbeten brenda territorit. Ndërsa konfirmohet se në realizimin e infrastrukturës nuk do të mungojnë kompanitë shqiptare. Sa i përket tregtimit të gazit që do të qëndrojë, edhe drejtuesit e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë konfirmojnë se ka shfaqje për interes nga ana e tyre, edhe pse ka zëra se ato nuk duan të përfshihen.

Deri në vitin 2030, kërkesa botërore për furnizim me gaz do të rritet me 2%, ndërsa parashikohet që prodhimi të ulet. Kjo kërkesë do të udhëhiqet kryesisht nga tregje si ai aziatik. Në këto kushte, ekspertët shprehen se duhet të investohet në projekte të reja të gazit natyror, që duhet të përmbushin kërkesën botërore, gjithnjë në rritje. Varësia europiane ndaj importit nuk ka qenë kurrë kaq e madhe, për shkak të rritjes së kërkesës dhe rënies së prodhimit. Ekspertët thonë se është e rëndësishme të krijohen kontrata të reja gazi, e për këtë Europa duhet të sigurojë lidhje me tregjet e tjera, si p.sh. me Azinë.

Për të garantuar siguri në furnizim, Europës i nevojitet një infrastrukturë e madhe dhe moderne (rrjet transporti, depozita, terminale rigazifikimi etj.), që mund të financohen vetëm nëse mbulohen nga kontrata në terma afatgjatë. Këto kontrata që janë historikisht më të ulëta se ato aziatike, në të ardhmen mund të jenë më konkurruese sa u përket çmimeve. Europa, veçanërisht strukturat e Bashkimit Europian, janë duke intensifikuar përpjekjet për të rritur pavarësinë e furnizimit me gaz kryesisht nga Rusia (nisur edhe nga kriza në Ukrainë).

E të gjitha këto përbëjnë arsye të mjaftueshme se përse Shqipëria, edhe pse është një nga të paktat shtete të Europës Juglindore që nuk gëzon lidhje me asnjë rrjet ndërkombëtar, po shihet si një vend me burime të mëdha gazi natyror dhe nafte. Testimet nga kompani ndërkombëtare për ekzistencën e këtyre potencialeve kanë rezultuar të suksesshme dhe kanë tërhequr ndjeshëm vëmendjen kundrejt vendit të vogël të Ballkanit Perëndimor. Natyrisht kjo edhe falë shpalljes si fitues i projektit të Trans Adriatic Pipeline (TAP) me anë të së cilës Shqipëria, si pjesë e saj, synon të marrë një rol në arenën gjeopolitike të Kontinentit të Vjetër, por dhe të sigurojë furnizim me energji konstante, eficiente dhe me kosto të ulët.

Megjithatë, Shqipëria vazhdon të vuajë nga një sërë problemesh strukturore që e bëjnë të pamundur në terma afatshkurtër zhvillimin e gazit. Parashikohet që kërkesa e vendit për gaz, deri në vitin 2020, të jetë në 1.3-1.5 miliardë metër kub. Krijimi i tregut të gazit të lëngshëm vështirësohet edhe për shkak të kostove të larta të krijimit të infrastrukturës.

Për ekonominë shqiptare është shumë e rëndësishme zhvillimi i këtij tregu, si një alternativë në kushtet kur ajo furnizohet me energji nga dy burime kryesore nga nënproduktet e naftës, që zënë rreth 60% dhe nga energjia elektrike (me bazë hidro) që zë rreth 28%. Por, në rastin e krijimit të një tregu të ri të gazit, si fillim, konsumatorët kryesorë do të ishin: termocentrali i Vlorës, që është i përgatitur për të konsumuar gaz, që ka mundësi konsumi deri në 300 megavat, ai i Fierit, ku do të bëhet edhe kalimi i projektit TAP, si dhe konsumi në industri të tjera si ajo e çimentos, çelikut apo e metaleve, etj. Në këtë situatë, kur kërkesa nga këto industri për gaz është urgjente, lidhja e Shqipërisë me rrjetet europiane të gazit është domosdoshmëri.

Në Shqipëri, ekspertët parashikojnë që kërkesa fillestare për gaz të jetë nga 300-500 milionë metër kub në vit.

Si një hap të parë në këtë proces, qeveria shqiptare do të realizojë një studim të plotë të tregut vendas, do të vlerësojë dinamikën e kërkesës dhe të ofertës, si dhe do të angazhohet për të realizuar infrastrukturën, duke diversifikuar edhe mënyrat e financimit të tij. Ky studim shikohet edhe si “magneti” që do të tërheqë investitorë.

Industria shqiptare e gazit ka një rrjet transmetimi rreth 400 kilometra tubacion, që nuk janë në kushte të mira teknike përdorimi. Nevoja për gaz dhe plotësimi i saj është në raport të zhdrejtë. Kërkesa është jashtëzakonisht e lartë, ndërkohë që furnizimi e ka të pamundur ta kënaqë atë. Burimet vendase të gazit nuk mund të kontribuojnë në mënyrë domethënëse në bilancin energjetik të lëndëve të para. Sistemi i gazit është praktikisht jashtë përdorimit.

Aktualisht, vendi ynë ka një prodhim minimal gazi natyror, rreth 10 milionë metër kub, sasi gati e papërfillshme dhe që shërben vetëm për të plotësuar një pjesë të kërkesave të rafinerive dhe proceseve teknologjike të industrisë së naftës. Rezervat e gazit në vendburimet e njohura të gazit natyror e të naftës të vendit tonë llogariten të jenë 3 miliardë e 630 milionë metër kub. Gjithsesi prodhimi vendas i gazit është parashikuar në një nivel minimal, bazuar në shfrytëzimin e vendburimeve ekzistuese të gazit natyror dhe të naftës. Për të siguruar futjen e gazit natyror në Shqipëri është duke u bashkëpunuar me partnerët e huaj në dy drejtime, në atë të gazsjellësve dhe në atë të terminaleve të GNL-së. Në këndvështrim strategjik, Shqipëria vlerësohet të jetë një vend transiti i rëndësishëm. Shqipëria është pjesë e studimit rajonal për gazifikimin e financuar nga BB dhe KfW. Si pjesë e rajonit të Europës Juglindore dhe anëtare e traktatit për krijimin e Komunitetit të Energjisë ka shprehur interes për lidhje me rrjetet rajonale të gazit. Shqipëria ka mbështetur konceptin e unazës së gazit për Ballkanin Perëndimor (Unaza e Gazit e Komunitetit të Energjisë.

Vendi ynë ka një pozicion të favorshëm gjeostrategjik që mund të shërbejë si një nyje rajonale për rrjetet e gazit; si një treg i mundshëm për konsumin e gazit natyror, i cili brenda një periudhe 10-vjeçare mund të arrijë deri në 1.5–2 miliardë metër kub. Gjithashtu ekzistojnë kapacitete të konsiderueshme për depozitimin nëntokësor të gazit, që shkojnë deri në disa miliarda metër kub.

Synimet kryesore që ka vendi ynë për zhvillimin e tregut të gazit dhe në pjesëmarrjen e projekteve për gazifikimin, janë: lidhja e Shqipërisë me rrjetin ndërkombëtar të gazit (korridori Euro-Aziatik dhe unaza e gazit e Komunitetit të Energjisë); përgatitja e legjislacionit të nevojshëm në përputhje me kuadrin ligjor europian; përdorimi i gazit natyror si një burim alternativ energjie edhe për prodhimin e energjisë elektrike nëpërmjet centraleve elektrike dhe termike.

Për të lexuar intervistën e Z.Dorian Duçka klikoni këtu

Revista Monitor, 01.06.2014