Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

“Trepça” blen kamion 340.000 euro

Zyra e Prokurimit e Ndërmarrjes “Trepça” përmes një tenderi njëburimor e ka përzgjedhur kompaninë “KWE” si fituese të tenderit për furnizim me një kamion 15 tonësh për bartjen e mineraleve nëntokësore e ku vlera e tij është hiç më pakë se 340 mijë euro. Pra, ofertë ka paraqitur, e vetmja, kompania gjermane “KWE”, për llojin e kamionit, “MK -A15 Dump Truck”, të cilin e vlerëson me çmim prej 340.000 euro.

Sipas zyrtarëve të prokurimit në këtë minierë, ky tender ishte shpallur edhe vitin e kaluar, ku ofertues i vetëm, po ashtu edhe në atë rast, kishte qenë kompania gjermane “KWE”, por ishte anuluar nga menaxhment i “Trepçës”, me arsyetimin se u ishte ofruar çmimi i shtrenjtë diku rreth 358.500 euro.

Por, pasi ka dështuar ky tender dhe nuk kishte pasur ofertues të përgjegjshëm, në vitin e kaluar me 2 Korrik 2013, ishte paraqitur kërkesa njëburimore pranë KRPP-së, me procedurën e furnizimit me këtë kamion me arsyetimin se “Trepça” kishte edhe kamionët e mëhershëm të të njëjtës markë.

Oferta njëburimore interes i “Trepçës”

Sipas Ahmet Gjoshaj, i cili është shef i prokurimit në “Trepça”, ka qenë interesi i “Trepçës” që të futet në një ofertë njëburimore nga kjo firmë gjermane e cila ka përfaqësuesin e saj në Kosovë.

Gjoshaj thotë se pas aprovimit të kërkesës për njëburimore nga KRPP-ja, menaxhmenti i “Trepçës” i ka ftuar përfaqësuesit e kompanisë gjermane së bashku me stafin teknik që të vizitojnë “Trepçën”, dhe kjo kishte ndodhur vjeshtën e vitit të kaluar.

Dhe prapë ishte konfirmuar çmimi i njëjtë.

“Ne në këtë kohë kemi bërë negociata me ta dhe kemi kërkuar që të zvogëlohet çmimi, mirëpo kanë qenë këmbëngulës se ai ka qenë çmimi i tyre definitiv”, ka sqaruar Gjoshaj.

Ai thotë se kanë insistuar në çmim më të ultë pasi që në vitin 2007 ky kamion kishte çmimin 317.000 euro dhe për këtë arsye ishe kërkuar çmimi më i favorshëm.

Dhe pas të gjitha këtyre anulimeve dhe takimeve për gati një vit që kanë zgjatur kompania gjermane kishte ulur për 18 mijë euro çmimin, duke ofruar 340.000 euro çmimin e fundit. “Në këtë çmim është aplikuar edhe doganimi edhe TVSH-ja si dhe janë obliguar që një staf i kësaj kompanie të vijë dhe të prezantojë montimin dhe demontimin e saj”, ka thënë Gjoshaj.

Ai ka bërë të ditur se kontrata pritet të nënshkruhet 10 ditë pas përgatitjes së njoftimit, që i bie me 10 maj të këtij viti. “Kamioni vjen brenda një periudhe 2 mujore”, ka sqaruar Gjoshaj.

Gazeta Zëri, 10.05.2014