Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

“Inkurajojmë italianët të investojnë në energji dhe hidrokarbure”

Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri në aktivitetin e organizuar nga Ambasada Italiane në Tiranë

Faleminderit z. Tonuçi për fjalët që the dhe për përpjekjet që po bëjmë për t’i dhënë perspektivë sektorit, për ta forcuar atë. Vërtet kam kënaqësinë që i drejtohem kësaj audience, duke ditur që një pjesë e mirë e investitorëve italianë këtu, janë të fokusuar në sektorin e energjisë. Kjo nuk është rastësi, jo vetëm sepse energjia është gjithmonë një sektor i rëndësishëm, një sektor ku shumë biznese orientojnë investimet e tyre, por kjo lidhet edhe me faktin se Shqipëria ofron mundësi të mëdha. Pavarësisht se mund të ketë patur situata të caktuara me kriza financiare, mund të ketë edhe një gjendje të vështirë si kjo që po kalojmë sot, por gjithësesi diçka e tillë nuk mund ta lëkundë e as ta errësojë perspektivën e investimeve në sektorin e energjisë.

Jemi dëshmitarë që shumë sipërmarrës italianë kanë investuar në burimet e reja shqiptare, në hidrocentralet shqiptare, kanë rriskuar kapitalin e tyre dhe mund të jenë ndodhur edhe në vështirësi kohët e fundit, për shkak të problemeve që ka pasur sektori. Realisht, dua t’ju them se si Ministri dhe si Qeveri po punojmë shumë intensivisht, në një dialog shumë të hapur me të gjithë industrinë, por edhe duke marrë parasysh të gjithë faktorët që e kanë çuar situatën e tregut energjetik në këtë pikë, për të hapur dritaren e rimëkëmbjes. Synimi mbetet që bizneset tuaja të jenë të sigurta, që kapitali juaj të kthehet, por njëkohësisht të ketë një zhvillim të qëndrueshëm në sektorin energjetik.

Ne po përgatisim ligjin e ri për energjinë dhe do të kryejmë një reform të madhe që ka të bëjë me fillimin e liberalizimit të tregut duke krijuar një treg privat të energjisë përtej atyre pak konsumatorëve të cilët përbëjnë një përqindje shumë të vogël të tregut.

Në këtë mënyrë shpreh besimin se do të mund të bëhet sektori më likuid duke eleminuar një nga problemet nga të cilat ka vuajtur vitet e fundit. Shpresojmë që vitin tjetër, 30% e tregut të jetë e liberalizuar, nëpërmjet klientëve industrial, komercialë të cilët do të dalin nga tarifat e rregulluara dhe do të kenë kërkesë për energji.

Shumë nga investimet tuaja, jam i sigurtë se krahas shtetit, si partnerë do të gjejnë edhe mundësi të tjera për shitjen e energjisë dhe do të kenë mundësi të kthejnë investimin e tyre. Në këtë rrugë të vështirë e jo ttë kollajshme për rimëkëmbjen e sektorit, kemi gjetur edhe mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare financiare.

Shumë shpejt, qeveria shqiptare do të nënshkruajë edhe një marrëveshje me Bankën Botërore për një mbështetje të madhe financiare në sektorin energjetik, sidomos në shpërndarje, aty ku ka qenë pika më e dobët që mund të ketë gjeneruar edhe mungesë pagesash për disa nga investitorët privatë. Kjo do të jetë një periudhë tranzitore dhe shumë shpejt, duke pasur një treg më likuid, jam shumë i sigurt që burimet që ka Shqipëria do të jenë në dispozicion edhe për investime të tjera.

Me krenari them se po shohim projekte të tjera të mëdha që po ecin shumë mirë në fushën hidroenergjetike siç është kaskada e Devollit e cila po vazhdon me një ritëm të kënaqshëm.

Pasi ka përfunduar të gjithë dokumentacionin ligjor, teknik dhe projektin, qeveria shqiptare shumë shpejt do të nxjerrë në garë edhe kaskadën e Vjosës, një nga projektet më të mëdha e patjetër që investitorët Italian janë të mirëpritur.

Personalisht kam pasur kontakte me shumë nga investitorët italianë të cilët më kanë shprehur dëshirën që të investojnë në sector. Këto njësi të mëdha gjenerimi, duke pasur një treg më likuid, si edhe duke marrë parasysh faktin se qeveria shqiptare po investon shumë edhe në linjat e interkonjeksionit, do të jenë një garanci e qëndrueshme për biznesin në energji.

Ne po investojmë në linjën me Kosovën dhe brenda dy vitesh do të jemi të lidhur me linjën e interkonjeksionit. Kosova është vet një vend që importon energji dhe them se do të hapet mundësi edhe për hidrocentralet shqiptare që të agregojnë një pjesë të prodhimit të tyre për të shkëmbyer me tregun e Kosovës. Ashtu siç është, Kosova krijon disa mundësitë mëdha për investime nga ana jonë për shkak të avantazheve që ka në qymyr, në linjit, duke qenë një burim i sigurt, bazë për energjinë e konsumuar.

Them se investimet në interkonjeksione, siç do të vazhdojmë me Maqedoninë, do të krijojnë lidhje më të mira të Shqipërisë. Lidhje më të mira do të thotë më shumë mundësi për tregti, do të thotë çmime më të qëndrueshme, si për konsumatorin ashtu edhe mundësi për të gjithë investitorët për tregtimin e energjisë. Prandaj, në projektin e vitit tjetër kemi fillimin e investimit për linjën me Maqedoninë. Unë them se Shqipëria futet plotësisht në rrjetin rajonal, integrohet me disa opsione, jo më vetëm me një ose me dy opsione. Një vend pa opsione është si ai njeriu pa opsione që nuk ka të ardhme. Vendi pa opsione në çdo fushë, është pa të ardhme.

Fatkeqësisht, projekt i mbetur në letër ka qenë dhe ai për të lidhur Shqipërinë me Italinë. Shumë nga investitorët tuaj që kanë investuar do të dëshironin një lidhje të tillë. Ne i kemi intensifikuar përpjekjet me autoritetet italiane, nuk është një projekt i thjeshtë, por në perspektivën tonë ai është i qartë dhe them se do të jetë një nga arritjet më të mëdha sikur Shqipëria të lidhej më një linjë direkte me Bashkimin Evropian. Kjo patjetër do të thotë mundësi më të mëdha si për investitorët italianë, si për çdo investitor tjetër, por njëkohësisht për këmbimin e energjisë me Bashkimin Evropian.

Shqipëria paraqet edhe oportunitete të tjera, jo vetëm në fushën e hidros, megjithëse kemi burime të mëdha. Janë edhe disa projekte të tjera që ne po punojmë, siç është projekti i Skavicës, ku ne po mendojmë të dalim me një partneritet publik-privat ku edhe KESH-i të mbulojë një pjesë të investimit, për shkak se ky projekt shtrihet në atë kaskadën tonë strategjike dhe shërben si një rregullator shumë i mirë i kaskadës. Por, nga ana tjetër krijon edhe mundësi shumë të mira për investitorët privatë në këtë projekt gjigand.

Nuk dua të lë pa përmendur projekte të tjera në fushën energjetike siç janë mundësitë që ofron Shqipëria në hidrokarbure. Shumë shpejt, qeveria shqiptare do të dalë me paketën e re të rregullave përsa i përket ankandit për fushat e padhëna të naftës. Do ta bëjmë për herë të parë këtë gjë, deri tani në Shqipëri fushat e naftës janë dhënë pa një proces gare. Kjo, mbase edhe për shkak se interesi dikur ka qenë i ulët, por ka ardhur momenti të ecim drejt kësaj faze edhe për shkak të zbulimeve të reja në Shqipëri nga kompania Shell dhe Petromanas të cilat kanë gjetur sasi shumë të mira nafte. Perspektiva duket e mire. Megjithëse nuk mund të themi me një konkluzion të qartë se sasia e naftës është komerciale, këto kërkime e zbulime kanë rritur shumë interesin nga kompani ndërkombëtare për fushën e naftës dhe të gazit.

Për herë të parë do të fillojmë të zhvillojmë ankande për fushat e mbetura. Kjo do të thotë që do të jetë një garë transparente, konkuruese dhe në fund të fundit të gjithë investitorët, përfshi edhe ata italianë, këtë presin nga një qeveri që të jetë transparente dhe ofrojë konkurueshmëri. Ne këtë do të bëjmë, nuk do të ketë më dhënie licencash në ato që quhen lidhjet e shkurtra nganjëherë edhe mes politikës e biznesit.

Mundësi tjetra do të ketë për investimet edhe në fushën e gazit. Vërtet dikush do të thotë se TAP-i do të dojë shumë vite, por jo vetëm për faktin që TAP-i është nga projektet shumë të rëndësishme që do të prekë edhe Shqipërinë, ashtu siç prek edhe Italinë, por ka mundësi të mëdha për investitorë italianë për tu përfshirë edhe në këto procese gjatë projektit. Ju keni shumë kompani të specializuara, që vërtet kanë ekspertizën, kanë përvojën, kanë edhe fuqinë financiare për të ardhur dhe për tu bërë pjesë e këtij procesi. Mendoj se me ardhjen e gazit në Shqipëri do të hapen mundësi të mëdha edhe për përdorimin e gazit dhe gazifikimin e vendit. Jo vetëm se gazi mund të shërbejë si një burim shumë i mirë për prodhimin e energjisë në të ardhmen, por edhe për nevojat e industrisë, që e kombinuar kjo edhe me naftën, jam shumë i sigurtë që do të lindë nevoja edhe për industritë petrokimike apo industri të lidhura me të gjithë zinxhirin e hidrokarbureve. Italia patjetër ka përvojën e saj këtu dhe ka kompani shumë të mira. U bëj thirrje edhe njëherë se janë të mirëpritur në Shqipëri edhe në këtë sektor.

Mundësitë që ofrohen përpara nesh mund të mos duken të shpejta por janë afatgjata dhe të sigurta. Janë afatgjata, sepse të them të drejtën janë tektonike përsa i përket sektorit, janë gjëra që e zhvillojnë shumë mundësinë energjetike të Shqipërisë, diversifikojnë burimet këtu, por hapin mundësi të tjera, një zinxhir tjetër investimesh.

Ndaj, unë realisht mendoj se në vitet në vijim, sektori energjetik, pra si nafta, gazi, ashtu edhe energjia elektrike, proceset dhe reformat që ne po ndërmarrim përsa i përket sektorit elektroenergjetik, do të krijojnë shumë mundësi të mira për biznesin italian për të investuar. Nga ana tjetër, unë them se intensifikimi i marrëdhënieve edhe në këtë drejtim, në nivel qeveritar ka qenë i kënaqshëm, por unë them se ka nevojë edhe për më tutje. Këtu dua të përmend edhe nevojën e rinovimit e një marrëveshjeje për njohjen e certifikatave jeshile të energjisë mes dy vendeve. Ne po bëjmë hapat tonë, edhe nga qeveria italiane shpresoj do kemi sinjale pozitive dhe këto patjetër do të jenë një vlerë e shtuar tek investimet italiane në Shqipëri, por edhe tek investitorët shqiptarë që shpesh janë partnerët tuaj.

Së fundi, dua të them se në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë vërtet do të gjeni një derë të hapur, një godinë transparente nga të gjitha pikëpamjet, ku çdo veprimtari do të jetë e hapur për publikun. Po investojmë edhe për krijimin për herë të parë të një regjistri elektronik koncesionesh. Meqenëse e kemi përfaqësuesin këtu, dua ta falenderoj BERZH-in që ka shprehur gatishmërinë të financojë këtë projekt për të krijuar një regjistër transparent koncesionesh, ku të gjithë të kenë mundësi të shikojnë se kush janë koncesionet, koncesionarët, kush janë ato që po ecin dhe po zbatohen, cilat koncesione nuk po ekzekutohen dhe që realisht meriton t’i marrë publiku mbrapsht dhe t’jua japë investitorëve seriozë të cilët vërtet kanë ndërmend të investojnë në Shqipëri.

Unë them se edhe ky mjet sado i vogël, shërben për të lehtësuar burokracinë, është një instrument i nevojshëm pasi transparenca dhe shteti ligjor janë një nga garancitë më të mëdha që investimet do të jenë afatgjata dhe të qëndrueshme, e patjetër këtë kërkon çdo lloj investitori i ndershëm.

Ju falënderoj që më dëgjuat në këtë fjalë dhe duke ju uruar suksese në këtë aktivitet, shpresoj që sa më shumë kompani italiane me teknologjinë dhe me kapitalin e tyre të vijnë të investojnë në sektorin energjetik, pasi është një sektor që ka të ardhme dhe është një nga fushat që Shqipëria vazhdimisht do të ofrojë potenciale shumë të mira.

Faleminderit

energjia.al 05.05.2014