Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

TAP fton ndërtuesit; negociata me 20.000 pronarë

TAP u bëri thirrje dje sipërmarrësve shqiptarë të aplikojnë për fazat e tenderimit të objekteve që do të ndërtohen në fazën e parë në gjurmën e gazsjellësit. Knut Steinar Kvindesland, drejtor i Prokurimeve i TAP, para autoriteteve shqiptare dhe kosovare në forumin “Shqipëri-Kosovë” për energjinë dhe industrinë, duke folur për projektin, tha se “ndërtimit, që nis në qershor të vitit tjetër i paraprijnë dy procese: Tenderët e përzgjedhjes së firmave kontraktore dhe nënkontraktore dhe marrëveshjet me pronarët e tokave ku kalon gazsjellësi”.

Pronat ku kalon gazsjellësi

TAP ka bërë studime rreth pronësisë së tokës ku kalon gjurma e tubacionit, ndërkohë që ka ecur me shpejtësi edhe me verifikimet në zyrat e regjistrimit të pasurisë. “Na duhet që me ndihmën e kadastrës të identifikojmë të gjithë pronarët ku do të kalojë gazsjellësi TAP. Fillimisht do të kërkojmë që të bëjmë marrëveshje me pronarët gjithmonë me vlerën e tregut, por kur nuk arrihet kjo, atëherë do të hyjmë në procesin e shpronësimit”, tha Kvindesland. Para disa ditësh është firmosur marrëveshja e bashkëpunimit mes TAP dhe Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive, për sa u përket pronave ku do të kalojë gazsjellësi. Marrëveshja është nënshkruar nga kryeregjistruesi Ilirjan Muho dhe drejtori vendor i TAP-it, Shkëlqim Bozgo. Sipas marrëveshjes, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme do t’i ofrojë informacione të përditësuara mbi pronësinë ku do të kalojë gazsjellësi, në mënyrë që projekti të mos shkaktojë përplasje mes ndërtuesve dhe pronarëve të tokave. Gjithashtu, marrëveshja parashikon edhe bashkëpunim për regjistrimin fillestar të dy zonave kadastrale ku kalon gazsjellësi. Gazeta “Shqip” disponon të dhënat e studimit të kryer nga TAP në terren mbi pronësinë e tokave rurale apo urbane që preken nga gazsjellësi. Sipas studimit, të dhënat e të cilit janë paraqitur edhe në dosjen e kërkesës për marrjen e lejes zhvillimore, në fazën e parë rezultojnë mijëra prona pa pronarë të përcaktuar qartë. Sipas studimeve, numri i pronarëve privatë që do të kompensohen për dëmet ose do t’u blihet toka, është 17904 persona, ndërsa 5881 prona rezultojnë të jenë publike. Por 2119 prona, sipas këtij studimi nuk kanë pronësi të përcaktuar qartë. Studimi përcakton se, pronësi e papërcaktuar do të thotë që nuk ka informacion në lidhje me parcelat e veçanta brenda kadastrës për disa arsye (p.sh. regjistrim fillestar i zonave kadastrale që nuk është kryer i plotë). Si rrjedhim, nuk është e mundur që të jepet një deklaratë e besueshme nëse parcela është në pronësi publike apo private. Sipas studimit, është e rëndësishme që, përveç parcelave brenda korridorit 52 m., të merren në konsideratë dhe të llogariten gjithashtu edhe parcelat në korridorin 400 m. Ky fakt duhet të jetë i vlefshëm për impiantet/objektet e tjera, të cilat janë brenda ose kryqëzohen me korridore të ndryshme.

Ndërtimi i rrugëve

“Në fazën e parë do të ndërtohen rrugët e aksesit, të cilat janë 24 të tilla. Do të ndërtohen 57 km rrugë të reja rurale dhe 44 km rrugë të tjera do të rindërtohen. Ndërkaq do të ndërtohen dy ura të reja”, – informoi drejtori i prokurimeve, ndërkohë që ftoi firmat shqiptare të konkurrojnë në të dy nivelet, kontraktore dhe nënkontraktore. “Kemi tri lloje të ndryshme kontratash sipas objekteve, – tha Kvindesland. Në bazë të tyre, TAP do të tenderojë për ndërtimin e rrugëve të aksesit, blerje të materialeve dhe pajisjeve, ndërtimin e stacioneve të fuqishme të kompresimit, instalimin e tubove, etj.”. Kvindesland tha se do të parakualifikohen ata që janë të aftë dhe publikimi është bërë në websitet europiane. “Më 16 maj publikojmë pyetësorin e parakualifikimit, i cili është proces elektronik. Deri tani kemi marrë përgjigje të mira. Nëse të gjitha këto kompani do të parakualifkohen, do të ulim listën deri në 8 tenderë”, shpjegoi Kvindesland. “Ne, – vazhdoi Kvindesland, – inkurajojmë kontraktorët dhe nënkontraktorët lokalë që të marrin pjesë në tenderë, kemi interes që të bashkëpunojmë me ta, por nuk do të ketë diskriminim, qoftë pozitiv, qoftë negativ”, saktësoi Kvindesland duke përcaktuar: “Në qershor 2015 fillojmë punimet, në vjeshtë 2016 nis ndërtimi i tubacionit në tokë”.

Piketat

  • Projekti – Studimi i parë u krye në vitin 2003. Studimi i realizueshmërisë u përfundua nga EGL e AXPO në mars të vitit 2006 duke konfirmuar realizueshmëri teknike, ekonomike dhe mjedisore
  • TAP AG – TAP AG u regjistrua si kompani më 13 mars 2007. Studimet paraprake të vlerësimit të ndikimit përfunduan në mars 2007. Në vitin 2008, TAP nisi projektimin inxhinierik
  • Shah Deniz – Në shkurt 2012, TAP u përzgjodh nga Konsorciumi Shah Deniz. Në qershor 2012, partnerët e Shah Deniz nënshkruan një Marrëveshje Bashkëpunimi me TAP-in
  • Tubacionet – Në mars 2013, TAP-i përfundoi fazën fillestare të Projektimit Inxhinierik të Detajuar dhe filloi procesin e parakualifikimit për prodhuesit e tubacioneve
  • Leja – Më 8 prill 2014, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi Lejen Zhvillimore Komplekse, Faza 1 për TAP, përmes së cilës kompania fillon ndërtimin në Shqipëri.

Gazeta Shqip, 30.04.2014