Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Koncesionet e hidrocentraleve

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese zhvillon seancë dëgjimore me Shoqatën Shqiptare të Energjisë së Rinovueshme.

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvilloi sot një seancë dëgjimore me Shoqatën Shqiptare të Energjisë së Rinovueshme lidhur me problematikat që investitorët, vendas dhe të huaj hasin gjatë zbatimit të projekteve energjetike.

Të pranishëm në këtë seancë dëgjimore ishin z.Vasil Gjika, zv/kryetar i Bordit të Shoqatës, z. Fatbardh Çangu, anëtar i bordit të shoqatës, z. Eugen Liçi, Drejtor Ekzekutiv, z. Shkëlqim Kërluku, menaxher i projekteve dhe z. Agim Kadiu, ekspert i atashuar pranë shoqatës.

Në fjalën e tyre, përfaqësuesit e Shoqatës Shqiptare të Energjisë së Rinovueshme kërkuan garantimin e partneritetit që ekziston në koncept dhe në mënyrë kontraktuale midis qeverisë dhe investitorëve të ftuar nga qeveria dhe që, sipas tyre, kanë plotësuar të gjitha detyrimet e parashikuara në kontratë.

Në total, investimet në sektorin e energjisë kapin shifrën e rreth 200 milionë eurove, ndërkohë që ndërtimi i HEC-eve të reja ka sjellë rritjen e kapacitetit prodhues të Shqipërisë, gjenerimin e vendeve të tjera të punës dhe duke pasur parasysh faktin që këto invetime janë kryer në zona rurale të thella, zbutjen e varfërisë në këto zona dhe përmirësimin e infrastrukturës.

Përfaqësuesit e Shoqatës Shqiptare të Energjisë së Rinovueshme shprehën mbështetjen e tyre për nismën e ndërmarrë nga qeveria shqiptare për nxitjen e investitorëve vendas dhe të huaj, për shfrytezimin e potencialeve të burimeve hidrike për prodhimin e energjisë elektrike, si dhe për hartimin e një kuadri ligjor për mbështetjen e këtyre investimeve. Sipas tyre kjo është një nismë strategjike që duhet të vazhdojë duke i bërë edhe përmirësime, të cilat vijnë si rezultat i menaxhimit të rritjes së fuqisë së instaluar të burimeve të reja.

Ata theksuan se investitorët në këtë sektor përballen me procedura burokratike dhe zvarritje nga ana e zyrtarëve të administratës për nxjerrjen e lejeve të ndryshme; me probleme gjatë ndërtimit; me probleme të operimit që kanë të bejne me shkaqe teknike, ligjore, finaciare jo të shkaktuara nga biznesi, etj. Duke u ndalur konkretisht në situatën aktuale në sektorin e energjisë, përfaqësuesit e kësaj shoqate nënvizuan se një pjesë e mirë e koncesionarëve që janë në prodhgim kanë vështirësi të theksuara në pagesat e faturave të tyre nga ana e KESH-it; vonesa në rimbursimin e t.v.sh-së gjatë investimit; çmimi i produktit, është në nivelin më të ulët në rajon, probleme të theksuara me linjat e transmetimit dhe çështje të tjera teknike.

Në këto kushte, Shoqata Shqiptare të Energjisë së Rinovueshme kërkoi mbështetjen e Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese për trajtimin me seriozitet të këtyre investitorëve në të gjitha grupet e interesit; ndikimin e komisionit për përpilimin e një strategjie afatgjatë që për zhvillimin e sektorit të energjisë, duke përfshire energjine e prodhuar nga burimet e rinovueshme; përshtatjen e një kuadi ligjor më fleksibël dhe marrjen e masave apo incentivave në këtë drejtim, bazuar në praktikat më të mira rajonale dhe njohjen dhe përfshirjen e grupeve të interesit për të gjitha ato çështje që kanë të bëjnë me investimet në energji.

Në vijim, përfaqësuesit e kësaj shoqate iu përgjigjën pyetjeve të deputetëve lidhur me impaktin mjedisor të ndërtimit të HEC-ve, respektimin e të drejtave të pronarëve në tokat e të cilëve është ndërtuar hidrocentrali, problemet e hasura gjatë zbatimit të legjislacionit në fuqi, etj.

Duke marrë shkas nga fakti që përfaqësuesit e kësaj shoqate deklaruan se gjatë këtyre muajve kanë pasur kontakt vetëm me zyrtarë të lartë Ministrisë së Energjisë, por jo me ministrin, deputeti i Partisë Demokratike, z. Gjergji Papa tha se ishte absurde që të mungonin kontaktet me përfaqësuesit e një sektori kaq të rëndësishëm.

“Të gjithë e dimë sa të rëndësishme janë për ekonominë shqiptare investimet në sektorin e energjetikës, duke filluar nga rritja e investimeve të huaja direkte, sistemi gjenerues i punësimit, zbutja e varfërisë në zonat e thella rurale ku zakonisht kryhen investimet për ndërtimin e këtyre HEC-eve, përmirësimi i infrastrukturës në këto zona, etj. Ajo që më shqetëson është fakti dhe më duket absurditet që një sektor kaq i rëndësishëm, një investim kaq i rëndësishëm i bërë gjatë këtyre viteve nga ana juaj në ekonominë shqiptare të mos keni kontakte institucionale me ministrinë e linjës, me Ministrin e Energjisë,” tha deputeti i Partisë Demokratike, z.Gjergji Papa.

Nga ana e tij, Kryetari i Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, z. Eduard Shalsi vuri në dukje se problemet në sektorin e energjisë janë të trashëguara dhe nuk janë krijuar muajt e fundit, dhe se zgjidhja e këtyre problemeve kërkon një strategji zhvillimi që të përfshijë të gjitha hallkat e sistemit energjetik.

“Sistemi energjetik është në një pikë shumë kritike, pikërisht për shkak të një mungese të plotë strategjie dhe një lëvizjeje kuturu të cilës i është nënshtruar gjatë të gjithë këtyre viteve. Investitorët e nderuar që sot kanë ardhur në komision janë vetëm një hallkë e këtij sistemi të çakorduar dhe sigurisht që ndërhyrja duhet të jetë e plotë. Nuk mund të rregullojmë një hallkë të tij pa e ndërthurur me të gjitha hallkat e tjera të sistemit. Ky sistem ka nevojë për një reformë totale: institucionale, ekonomike, financiare, administrative,” tha z. Shalsi.

Më tej, z. Shalsi njoftoi se Ministri i Energjisë do të jetë shumë shpejt i pranishëm në komision për të prezantuar strategjinë e plotë për sistemin energjetik shqiptar, që synon të ofrojë zgjidhje serioze dhe afatgjata në këtë sektor tejet të rëndësishëm për ekonominë e vendit.

energjia.al 04.03.2014