Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Spahiu: 40% e gazit do të përdoret për energji elektrike

Drejtori i Politikave dhe Zhvillimit të Hidrokarbureve në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë shpjegon detajet e projektit

Në një intervistë për gazetën “Shqip”, Dritan Spahiu, drejtori i politikave dhe zhvillimit të hidrokarbureve në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, sqaron rëndësinë e zbatimit të projektit TAP, i cili do të transmetojë gaz natyror nga Shqipëria për në Itali, më pas në Europë.

“Për të pasur një ide më të qartë se cilat janë nevojat e vendit, qeveria do të fillojë hartimin e master-planit të gazit natyror, i cili do të bëjë të mundur planifikimin për ndërtimin e rrjetit të shpërndarjes së gazit”, sqaroi Spahiu. Sipas tij, paraprakisht është rënë dakord që pika hyrëse e gazsjellësit në Shqipëri të jetë Bilishti (Korçë), ndërsa do të përfundojë në Fier, duke përshkuar 35 bashki dhe komuna të Qarqeve Korçë, Berat dhe Fier.

Drejtori i politikave dhe zhvillimit të hidrokarbureve, detajon edhe fazat nëpër të cilat do të nisë zbatimi i projektit, punimet e të cilit do të fillojnë këtë vit, ndërsa do të përfundojnë më 2018-n.

Tashmë nga projektet dhe nënshkrimet, projekti TAP po i afrohet fazës së nisjes së punimeve. Kur do të nisin punimet dhe cilat janë obligimet e qeverisë shqiptare për këtë projekt?

Me vendimin nr. 1, datë 4 korrik 2013, Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar Planin Kombëtar Sektorial për projektin TAP, i cili përbën bazën për lëshimin e Lejes Zhvillimore Komplekse (Leja e Ndërtimit) për projektin TAP. Në zbatim të Planit Kombëtar Sektorial, shoqëria TAP ka aplikuar në janar të 2014-s pranë Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë për të marrë Lejen Zhvillimore Komplekse, Faza I. Miratimi i kësaj leje nga KKT do t’i hapë rrugën fillimit të ndërtimit të projektit më të rëndësishëm në Shqipëri. Pritet që ndërtimi të fillojë brenda vitit 2014 dhe të mbarojë në fund të vitit 2018.

Detyrimet e palës shqiptare për këtë projekt janë të parashikuara në Marrëveshjen me Vendin Pritës (HGA) midis Shqipërisë dhe shoqërisë TAP AG. Kjo marrëveshje, e cila është nënshkruar më 05.04.2013, parashikon qartë detyrimet e palëve, ku pala shqiptare do t’i ofrojë projektit TAP të gjithë mbështetjen e nevojshme për përfundimin e këtij projekti. Për këtë qëllim, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, z. Gjiknuri, Këshilli i Ministrave ka miratuar VKM nr. 1081, datë 18.12.2013 për krijimin e Komisionit Ndërinstitucional për bashkërendimin e punës në zbatimin e projektit TAP. Ky komision do të koordinojë punën e MEI me Ministritë dhe institucionet e tjera, të cilat kanë lidhje direkte me realizimin e projektit si Ministria e Drejtësisë, Mjedisit, etj.

Trans_Adriatic_Pipeline TAP map hartaCila do të jetë gjurma e saktë, nëpër të cilën do të kalojë gazsjellësi në vendin tonë?

Me miratimin e Lejes Zhvillimore Komplekse, pritet që të finalizohet edhe gjurma e saktë nëpër të cilën do të kalojë gazsjellësi. Sidoqoftë, paraprakisht është rënë dakord që pika hyrëse në Shqipëri të jetë Bilishti (Korçë), ndërsa do të përfundojë në Fier. Konkretisht, tubacioni do të kalojë nga 35 bashki dhe komuna të Qarkut Korçë, Berat dhe Fier. Në Fier është parashikuar që të ndërtohet edhe një stacion kompresorësh.

Cilat do të jenë firmat që do të realizojnë punimet?

Shoqëritë, të cilat do të ndërtojnë punimet, përzgjidhen nga kompania TAP, e cila duhet të theksohet që është 100% me kapital privat. Për këtë arsye është kompetencë e kompanisë TAP të realizojë tenderin për ndërtimin e projektit. Me informacionet që ka Ministria e Energjisë dhe Industrisë, është bërë një listë paraprake, por nuk është shpallur ende shoqëria fituese. Ndërkohë, sipas Marrëveshjes së Përfitimeve Vendase, TAP është angazhuar, që të rekrutojë dhe të përdorë burimet vendase, si dhe të bashkëpunojë me bizneset vendase, duke i dhënë përparësi nëse kanë kualifikime të barabarta.

Disa nga të dhënat teknike të punimeve për shtrimin e tubacionit?

Ndërtimi i projektit TAP do të ndjekë kronologjinë e mëposhtme: Faza përpara ndërtimit, që përfshin ndërtimin e rrugëve/urave ndihmëse dhe faza e ndërtimit, që përfshin ndërtimin e tubacionit, të stacioneve të kompresorëve dhe ndërtimin e pjesës në det. Gjatësia e tubacionit në Shqipëri do të jetë rreth 211 kilometra, nga të cilat rreth 60 kilometra në pjesën detare (deti Adriatik).

Kur do të shihen rezultatet e para të furnizimit të popullatës?

Pritet që në fillim të vitit 2019, TAP të jetë i gatshëm të transmetojë gaz natyror nga Shqipëria për në Itali dhe më pas në Europë. Për të pasur një ide më të qartë se cilat janë nevojat e vendit, qeveria do të fillojë hartimin e master-planit të gazit natyror, i cili do të bëjë të mundur planifikimin për ndërtimin e rrjetit të shpërndarjes. Theksohet se vetëm Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi janë të vetmet vende në Europë, të cilat nuk kanë zhvilluar një rrjet shpërndarje gazi. Ndërtimi i TAP-it i hap rrugën ndërtimit të rrjetit të transmetimit në Shqipëri (si OST për energjinë elektrike), ndërkohë që rrjeti i shpërndarjes (si CEZ për energjinë elektrike) kërkon investime shumë të mëdha. Për këtë arsye, vetëm pas përfundimit të master-planit për gazifikimin e vendit, do të kemi një ide të qartë se cila është kërkesa dhe investimet e nevojshme për plotësimin e kësaj kërkese. Sidoqoftë, vlerësimet paraprake janë që Shqipëria do të ketë nevojë për rreth 300 milionë m³ gaz në vit, nga të cilat rreth 40% mund të përdoren për prodhimin e energjisë (Gas to Power) dhe pjesa tjetër për klientët industrialë dhe rezidencialë.

Gazeta Shqip, 28.02.2014