Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Të zhdukim plotësisht kulturën e mospagesës së energjisë

Deklaratë e plotë e Zëvendëskryeministrit Niko Peleshi për aktivitetin e Task Forcës për Energjinë:

Në cilësinë e kryetarit të Task Forcës Kombëtare për reduktimin e humbjeve të energjisë, sot dëshiroj që para publikut, të bëj prezente rezultatet paraprake të punës së Task Forcës për një periudhe më pak se një mujore.

Është ngritur në të gjithë Shqipërinë rrjeti i Njësive Operacionale Vendore, nën drejtimin e Prefektëve të Qarqeve, në bashkëpunim me institucionet e rëndësishme si Prokuroria dhe Drejtoritë Rajonale të Policisë, në bazën edhe të një fryme të krijuar me Memorandumin e Bashkëpunimit të firmosur nëpërmjet Kryetarit të Task Forcë-s dhe Prokurorit të Përgjithshëm, në ditën e kostituimit të Task Forcë-s Kombëtare për reduktimin e humbjeve të energjisë.

Dua të them paraprakisht që puna ka filluar me intensitet. Ende nuk është në lartësinë e pretenduar, por rezultati për janarin, pra arkëtimet e janarit, janë rreth 10 milion dollarë më tepër krahasuar me janarin e vitit 2013. Kjo tregon se sa e madhe është rezerva që CEZ Shpërndarje ka për të vjelë tek debitorët, por edhe tek vjedhësit e energjisë elektrike.

Janë tronditëse shifrat e CEZ! Është një humbje prej 43,2 % energjisë elektrike gjatë vitit të kaluar, e barabartë me 200 milion dollarë ose sa 70 % e fuqisë së kaskadës së Drinit. Ndërkohë që, ne jemi në një situatë financiare që sapo i ka shpëtuar gropës financiare të krijuar nga qeverisja e kaluar, përmes mbështetjes nga BB, FMN, një mbështetje e cila është vetëm diçka më shumë se sa ky buxhet i madh që ne e humbasim, pikërisht përmes keqadministrimit, vjedhjeve dhe mospagimit të detyrimeve ndaj CEZ.

Këtë krahasim e bëra për të treguar se sa i rëndësishëm është sot formalizimi i ekonomisë shqiptare, se sa e rëndësishme është që të krijohet një kulturë e respektimit të shtetit, jo më duke e konsideruar atë si një armik dhe si një institucion për tu shmangur, por si një tërësi institucionesh që punon për të mirën e qytetarëve.

Pra, të paguash sot faturat ndaj shtetit, ndaj CEZ në rastin konkret, një kompani e rëndësishme, me një peshë të madhe specifike në buxhetin e shtetit, nuk do të thotë të humbasësh, por do të thotë të fitosh. Kjo është kultura e re që ne duam të implementojmë edhe përmes kësaj Task-Force: kultura e pagimit të detyrimeve nga njëra anë dhe nga ana tjetër, një klime bashkëpunimi, mbështetëse, ndërmjet qytetarëve, subjekteve private dhe shtetit nga ana tjetër.

Gjatë këtij muaji nga Njësitë Operative Vendore në të gjithë Shqipërinë janë kryer 556 ndërprerje të lidhjeve të paligjshme; janë ndërprerë 19384 lidhje të abonentëve debitorë, në të cilat 3717 janë lidhje biznesesh. Të ndërpresësh lidhjet e bizneseve apo të mos lejosh, të eliminosh vjedhjet e energjisë elektrike nga bizneset, ka një dimension të dyfishtë. Së pari, ka të bëjë me atë që sqarova më sipër: Pra me respektimin e detyrimeve të qytetarit dhe të subjekteve private ndaj shtetit; me respektimin e shtetit të së drejtës, por në këtë rast, në rastin e bizneseve, ka të bëjë edhe me garantimin e tregut të konkurrencës së lirë në treg.

Do të marrë fund dita kur bizneset private, ose subjektet private që paguajnë rregullisht detyrimet ndaj shtetit të ndihen të kërcënuar nga konkurrenca e pandershme e krijuar si avantazh i bizneseve të tjera, të cilat iu shmangen detyrimeve ndaj shtetit.

Dua të falënderoj Policinë e Shtetit që ka bashkëpunuar në mënyrë shembullore në të gjithë Shqipërinë, në 494 ndërhyrje të përbashkëta me Task Forcën, si dhe Prokurorinë, ku janë depozituar deri tani 146 kallëzime penale, për të cilat kemi besimin, dhe kemi marrë angazhimin e Prokurorit të Përgjithshëm, se do tu shkohet deri në fund.

Dëshiroj të shtoj edhe diçka tjetër që ka të bëjë me të drejtën morale të kësaj Task-Force. Pika e parë që kemi insistuar në të gjithë Shqipërinë, është kthimi i institucioneve shtetërore dhe i punonjësve të administratës shtetërore, i institucioneve buxhetore dhe jo buxhetore, në shembuj të qytetarisë. Sepse ka qenë akoma më dramatike dhe alarmante, situata e detyrimeve të institucioneve shtetërore ndaj CEZ-it. E aq më tepër e punonjësve të këtyre institucioneve që në fund të fundit, e kanë një punë, krahasuar me një pjesë të mirë të mirë të popullsisë, që sot është në kërkim të një pune. Dhe shumë prej tyre janë gjetur në listat e debitorëve. Madje kemi gjetur qindra e qindra punonjës të CEZ-it, të cilët për muaj dhe vite me rradhë, vetë ata, nuk kanë paguar detyrimet ndaj CEZ.

Nuk mund të kemi sukses në këtë Task Force, në qoftë se nuk i japim asaj të drejtën morale që do të thotë kthimi i punonjësve të CEZ-it, i punonjësve të administratës shtetërore, i punonjësve të institucioneve shtetërore në shembuj të qytetarisë dhe të respektimit të shtetit.

Dëshiroj ta mbyll me këto rezultate paraprake, duke thënë që është një punë e mirë që ka filluar, por ka rezerva dhjetëra milionëshe dhe qindra milionëshe dollarë të mbetura për t’u arkëtuar dhe për të shkuar në arkën e shtetit, në arkën e CEZ-it.

Përtej falënderimit për të gjithë ata qytetarë, që i janë përgjigjur këtij sensibilizimi, për të gjitha ato biznese që e kanë kuptuar se është hequr vija e kuqe dhe tani duhet të fillojë një raport tjetër me detyrimet ndaj të tretëve, me detyrimet kontratuale, me detyrimet ndaj shtetit, dua të them se sot e në vazhdim, toleranca ndaj të gjithë atyre që do të vazhdojnë ti shmangen detyrimeve ndaj CEZ, detyrimeve ndaj shtetit, do të jetë zero.

Ftoj të gjithë qytetarët, të gjithë debitorët, ta kuptojnë se t’i paguajnë këto detyrime, do të thotë që t’i krijojnë mundësinë buxhetit të shtetit, t’ju kthejë më shumë të mira materiale, investime në infrastrukturë, në kopshte, çerdhe, shkolla, të përmirësojmë infrastrukturën tonë energjetike, çka është një element shumë i rëndësishëm që shpesh herë rëndon keqas në kurriz të buxhetit të shtetit, në kurriz të popullit shqiptar.

Pra, toleranca do të jetë zero. Të gjithë ata qytetarë dhe biznese që do t’i përgjigjen apelit tonë do të jenë të falënderuar dhe do t’u jemi mirënjohës sepse kjo është sfida jonë e përbashkët e ndërtimit të shtetit të së drejtës dhe mirëqenies së ekonomisë, shqiptare.

Ju faleminderit!

energjia.al 03.02.2014