Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Duhet të bjerë shi, që të kujtohemi për energjinë?!

Ndodh thuajse gjithmonë kështu. Kur shirat nisin dhe i forcojnë “litarët” e tyre, sidomos në veri të vendit, vëmendja e publikut fillon e përqendrohet tek energjia. Duke kultivuar me tepri shqetësimin se mos do të pësojmë përmbytje, a do të ketë shkarkime të digave, apo nëse do tejkalohen rezervat hidrike. E që nuk mund të themi se s’është i pranishëm tek të gjithë edhe në ditët me diell, por ama, sapo nis sezoni i shirave, ai bëhet akut dhe kësisoj, edhe më i dukshëm. Duket sikur kështu, të gjithë presin shirat për t’u kujtuar për energjinë dhe problemet që ajo mbart ndër vite apo ushqen përditë. Vetëm në ditë stuhish dhe me prurje kërcënuese për digat më të mëdha të vendit, ekranet e vegjël nisin të fokusojnë pamje të tyre, apo njerëzish të lagur dhe që me çizme deri në gju, me zor e çajnë ujin që u ka kapluar shtëpitë dhe të mbjellat përreth. Sikur mezi e presin këtë moment të gjithë, pikërisht për të nisur të flasin mbi energjinë. E kështu, nisin të përmendin me zell të gjithë çështjet dhe problematikat e saj, a thua se ato nuk janë tonat dhe na përkasin të gjithëve, edhe gjatë ditëve kur “thekemi” nga dielli. Borxhi i akumuluar nga Korporata Elektro-energjetike dhe vështirësitë financiare që ajo është duke përjetuar, (për shkak të situatës me shpërndarjen dhe aspak për faj të saj në fakt), është një problem që ekziston dhe mbartet përditë. Por duhet të vijë pikërisht momenti i shirave dhe përmbytjeve që të kujtohemi për to dhe si për t’ia lehtësuar këtë barrë të vetmes kompani që administron prodhimin e energjisë në vend. Sikundër, fjalët “Fierzë”, “Koman” dhe “Vau i Dejës” na shqetësojnë vetëm në ditët kur përmbytemi nga shiu. Në një kohë, që turbinat e tyre punojnë çdo sekondë, për të na dhuruar produktin jetësor të energjisë. Pa folur pastaj, për kompaninë e shpërndarjes së energjisë, e cila në njëfarë mënyre, është pasuri e gjithë shqiptarëve dhe si e tillë, duhet të konsiderohet si një aset i çmuar. Ajo që vlen, është debati sesi ta çojmë para atë, në mënyrë që vendi të furnizohet optimalisht me energji dhe kjo e fundit të mos humbasë në një pjesë të konsiderueshme të saj apo të mos paguhet nga debitorët. Që të gjitha këto, problematika që duhen sheshuar përditë dhe që nuk duhet pritur vetëm momenti i vështirë, kur ato nxjerrin kokën, për t’i quajtur kryefjalë të ditës. Energjia nuk është më pak e rëndësishme se politika. As edhe se shëndetësia apo ndonjë sektor tjetër, gjithashtu me peshë i shoqërisë shqiptare. Sepse përveçse siguron ushqimin e përditshëm të popullatës me një produkt jetësor, siguron edhe të ardhura të konsiderueshme financiare për buxhetin e shtetit. E kësisoj, meriton më shumë vëmendje, si nga publiku i gjerë, edhe nga vetë shteti. I cili tani duket se gjendet në momentin e duhur për të vënë pikat e munguara mbi “i”, të trashëguara nga mosadministrimi siç duhet i këtij sektori jetësor për vendin. Sinjalet për një gjë të tillë, duket se kanë nisur të jepen nga administrata e re që ka marrë në dorë “pincat” për t’i rregulluar telat energjisë elektrike. Tani e tutje, të presim rezultatet. Në mënyrë, që të mos kujtohemi për energjinë, vetëm kur përmbytemi nga shirat …

Koha Jonë, 26.01.2014