Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Zv.Ministri Bejtja në Athinë: Nxisim investimet në energjitikë

Zv.Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Ilir Bejtja mori pjesë në punimet e konferencës së mbajtur në Athinë me temë “Investimet në energji për vitin 2014: Bashkëpunimi rajonal dhe siguria e energjisë”.

Z.Bejtja mbajti një fjalim në të cilin deklaroi se reforma strukturore në sektorin e energjisë në Shqipëri do prekë të gjithë sektorët. Z.Bejtja tha se po punohet me kuadrin ligjor për këtë sektor dhe se ai do të jetë në përputhje me direktivat e BE-së për energjinë, duke shpresuar se kjo do të nxisë zhvillimin e shpejtë të sektorit dhe do të rrisë interesin për burimet energjetike të Shqipërisë.

Duke renditur disa nga hapat, Zëvendës Ministri theksoi se do të krijohen hapësirat e nevojshme për të gjitha bizneset në sektor, për t’i lehtësuar nga çdo vështirësi.

“Qeveria jonë është duke punuar edhe në lehtësimin e procedurave për menaxhimin e sektorit në tërësi, si dhe në sistemin fiskal, në mënyrë që të shmangen shtrembërimet e konkurrencës në sektor, dhe për të rritur interesin për investime”, nënvizoi z.Bejtja.

Një hap tjetër, jo më pak i rëndësishëm, sipas tij i përket projektimit të një sektori në harmoni me qëllimet rajonale dhe të Bashkimit Evropian për zhvillimin e sektorit.

“Ne jemi pjesë e komunitetit rajonal dhe evropian të energjisë, dhe ne jemi duke zhvilluar projekte dhe nxitjen e politikave me fokus të tillë. Duke qenë pjesë e bashkimit për Mesdheun në zhvillimin e energjisë, rrit shanset dhe politikat tona për të zhvilluar sektorin, duke përdorur praktikat më të mira dhe në të njëjtën kohë duke përfituar benefite nga bashkëpunimi rajonal dhe më gjerë”, shtoi z.Bejtja.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në projektet TAP dhe IAP, gazifikimi i Shqipërisë dhe krijimi i një masterplani në këtë drejtim, projektet që kanë të bëjnë energjitë e rinovueshme, si edhe duke konsideruar shumë të rëndësishme marrëveshjet dypalëshe që kemi sidomos me vendet e rajonit tonë si Greqia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe kohët e fundit me Italinë, do të rrisë fuqinë tonë për energji, dhe do të mbështesë më shumë zhvillimin tonë ekonomik, si dhe praninë tonë shoqërore dhe politike në rajon.

Sipas z.Bejtja, duke pasur parasysh kushtet klimatike të vendit tonë, program tjetër shumë i rëndësishëm në energji elektrike do të jetë përdorimi i energjisë diellore dhe energjisë së erës.

energjia.al 21.01.2014