Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

OJF-të mjedisore ofrojnë mbështetjen e tyre kundër humbjeve në rrjet

Në një letër drejtuar Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, 19 OJF mjedisore i kanë ofruar ministrisë bashkëpunimin e tyre në një fushatë kombëtare informim-ndërgjegjësimi kundër humbjeve në rrjet. Ky problem po merr vëmendjen gjithmonë e më të madhe të qeverisë, sikurse tregon krijimi i task-forcës dhe konferenca e fundit e shtypit e kryeministrit Rama.

OJF-të mjedisore janë veçanërisht të interesuara në zgjidhjen e këtij problemi kombëtar, sepse niveli i lartë i humbjeve po pengon investimin në energjitë e rinovueshme të diellit dhe erës, si dhe po shton dëmet mjedisore nga konsumi i energjive të pista të importit. Gjithashtu, po ndërtohen pa kriter HEC-e dhe po shkatërrohet rrjeti hidrik, për të plotësuar nevojat për energji, të fryra artificialisht nga çmimi që (s)paguajnë përvetësuesit. Prandaj OJF-të mjedisore ju drejtuan ministrit Gjiknuri me ofertën për bashkëpunim. Më poshtë mund të lexoni letrën e plotë:

Drejtuar: MINISTRIA E ENERGJISË DHE INDUSTRISË, Z. Damian Gjiknuri, Ministër

Për dijeni: MINISTRIA E MJEDISIT, Z. Lefter Koka, Ministër

Subjekti: Humbjet e energjisë ne rrjet, problem kombëtar

I nderuar Z. Ministër,

Më 26 Nëntor u organizua një takim i disa shoqatave mjedisore dhe ekspertëve të energjisë në lidhje me humbjet e energjisë në rrjet, si nje problem me shume rëndësi për ekonomine dhe mjedisin. U vleresua si i rëndë fakti që Shqiperia humbet mbi 40% të energjise, niveli më i lartë i humbjeve në rajon, që përkthehet ne vlerën e rreth 150 milionë eurove humbje në vit. Ulja e humbjeve dhe rritja e efiçencës së energjise (deri në vitin 2018 efiçenca duhet të rritet me 9%) është gjithashtu dhe një nga detyrimet e vëndit tonë ndaj BE-së.

Prandaj ne këtë takim u theksua me forcë nevoja e nje fushate informim-ndërgjegjësimi të publikut dhe tërë shoqërisë në lidhje me uljen e humbjeve në rrjet.

Disa nga shoqatat tona në kuadrin e projekteve po punojnë në këtë drejtim duke ofruar mbështetjen e tyre në përmirësimin e këtij problemi, por situata kërkon një fushatë informim-ndërgjegjësimi shumë më të gjërë dhe më të fuqishme. Kjo detyrë do kërkonte bashkëpunimin dhe me forcat tuaja për të ndërtuar një fushatë kombëtare informim- ndergjegjësimi në fushën e uljes së humbjeve të energjisë elektrike.

Me nderime,

Xhemal Mato

Në emër të shoqatave:

  • AJMMI, Sarandë
  • Clean and Green Prespë, Korçë
  • Egnatia, Librazhd
  • Ekomjedisi, Durrës
  • Forumi Ndërkufitar i Liqenit të Shkodrës, Shkodër
  • Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA), Tiranë
  • Klubi Ekologjik, Elbasan,
  • Mbrojtja e Natyrës dhe Administrimi i Mjedisit, Adriatik, Vlorë
  • Mbrojtja e Mjedisit Kukës
  • Mbrojtja e Mjedisit Natyror, Berat,
  • Milieukontakt Albania, Tiranë
  • PSEDA-Iliria, Tiranë
  • Qendra “Aarhus”, Shkodër,
  • Qendra “Grupimi Ekolevizja”, Tiranë
  • Qendra Mjedisore per Zhvillim, Edukim dhe Rrjetezim (EDEN), Tiranë
  • Qendra për Kërkim, Bashkëpunim dhe Zhvillim (CRDC), Vlorë,
  • Shoqata Miqësia Ulëz, Mat
  • Shoqata në Mbrojtje të Jetës dhe Ekosistemit, Borizanë, Krujë, Genc Laçi
  • Together for Life, Tiranë

Ekolëvizja, 14.01.2014