Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Karburantet, një skemë e pastër mashtrimi…

Shkatërrimi i distilave vendas, si dhe përqendrimi në pak kompani, deformoi tregun.

Vladimir Puka: Çmimet në rajon, shumë më të ulëta se në Shqipëri.

Mashtrimi me sasitë si ligjësi e aktivitetit do të amortizohej shumë në favor të publikut nëse tregu i karburanteve do të ishte transparent, i qëndrueshëm dhe konkurrues. Përqendrimi i gjithë aktivitetit në gjithnjë e më pak kompani dhe shkatërrimi i menduar mirë i prodhimit të distilateve vendase në 4-5 vitet e fundit, në kushtet e paaftësisë e korrupsionit institucional, çoi praktikisht në humbjen e legjitimitetit të rregullave, ndërsa reagimi i konsumatorit ndaj prepotencës së monopoleve, pothuaj u zerua. Në lidhje me disa lëvizje tërësisht kundër tregut të konkurrencës së ndershme i kemi marrë një intervistë Vladimir Pukës, profesor në Universitetin e Gjeologji Minierave si dhe administrator i “Tetra Oil Albania”…

Në shumë shkrime tuajat, flisni se tregu i karburanteve është oligopol. Si mendoni, kur filloi deformimi i tregut, kur u përqendrua në duart e pak kompanive pjesa më e madhe e tij?

Modeli aktual i tregut oligopolist-hermetik i karburanteve konsiderohet se nisi të përvijohet pas viteve 2008-2009 me strategjinë e privatizimit dhe liberalizimit total të të gjithë sektorit hidrokarbur; dhënia e 85% të aksioneve të ARMO sh.a. në favor të një konsorciumi satelitar të sajuar aty për aty për qëllime të mirëfillta klienteliste, rezultoi spekulim i pastër disa dhjetëra milionë eurove, përveçse bllokim i nënprodukteve cilësore vendase, investime të munguara e hedhjes në rrugë të qindra punonjësve. Ministria e Financave aplikoi gjatë 2009-2011 një Regjim Fiskal (Udhëzimi 17, datë 13.05.2008) mbi TVSH në sektorin e karburanteve që shtrembëroi konkurrencën, pakësoi mundësinë e diversifikimit në çmime e shërbime, hermetizoi tregun në favor të kompanive të lidhura me shtetin, ktheu taksën e korrupsionit në mjet mbijetese për mjaft sipërmarrje të tjera. Në vitin 2012 e në vazhdim, ky lloj tregu u fuqizua dhe u përsos me skema fitimprurëse, duke përfituar nga kriza që uli konsumin e falimentoi një numër të madh kompanish në këtë sektor. Dy-tre kompanive më të mëdha për produktet e distiluara dhe ndonjë tjetre më të vogël për karburantet e rënda, ju dha hapur ekskluziviteti qeveritar për të dominuar aktivitetin me shumicë e vertikalisht atë me pakicë. Mungesa e një ligji organik në sektor, forcoi monopolizimin dhe hermecitetin e tij, sepse Ligji ekzistues 8450, datë 24.2.2013, i amenduar me dhjetëra herë dhe sërish i fosilizuar më keq se ata që e mbajtën të tillë në ish-METE, u krijoi hapësira ligjore abuzive. Natyrisht, atyre ju akordua përkrahja e plotë e agjencive të vartësisë që kishin për detyrë të mbronin publikun e konkurrencën. Asnjëherë këto agjenci, të trysnuara pa tjetër, nuk u bënë palë me qytetarin për të denoncuar e dënuar abuzimin me emër; përkundrazi abuzimet me Virgin, D2 apo D1, janë bërë publike nga media nëpërmjet investigimeve jashtë sistemit zyrtar të kontrollit.

Çfarë do të përmirësonte një ligj organik?

Do të ndiqte të gjithë procedurën që nga mbërritja e karburantit në port deri te stacioni fundor, apo më thjesht konsumatorit. Sot, ne nuk kemi një ent, i cili të monitorojë situatën, të kontrollojë veprimtarinë e shitësve me shumicë, pasi skemat përfituese, sidomos me manovrat me vendosjen e një çmimi përfundimtar tejet të lartë nga këta shitës me shumicë dëmtojnë direkt konsumatorin. Por, nga ana tjetër, dëmtojnë dhe shitësit me pakicë, të cilët në një situatë oligopoli po pranojnë të shesin me kosto gjithmonë e më të larta dhe fitime gjithnjë e më të vogla pikërisht prej skemave abuzuese që kanë vendosur në treg “të fuqishmit”. Pikërisht në kontrollin javor të gjithë kësaj procedure duhet një ent shtetëror, për të mos lejuar fiksimin e çmimit, zhdukjen e konkurrencës, si dhe vjedhjen e xhepave të qytetarit.

Flitet shumë për vjedhjen e konsumatorit në sasi, për të mos folur më pas për cilësinë…

Mashtrimi me sasitë në tregun e karburanteve mbetet pjesë organike e aktivitetit: Stacionet vjedhin blerësit sepse u shërbejnë atyre me pajisje e pompa të amortizuara apo të taruara qëllimisht keq nga inspektorë “të kapur” dhe sepse vidhen nga ata furnitorë që u shërbejnë fluidin stacioneve (sidomos atyre të Bardha) jo në kilogramë, por në autobote me dhoma e kontalitra gjithashtu të amortizuara por dhe të kolauduara keq, nga po këta inspektorë, shpesh në orare të papërshtatshme, në temperaturë të lartë, i pastabilizuar, etj., pra jashtë normave. Siç dhe furnitorët vidhen nga sasimatësit nëpër depozita, në bunkerë e tankerë për arsyet e mësipërme dhe të humbjeve për shkak të fluiditetit të produkteve. Pastaj, është mira që e kthyer edhe kjo në ligjësi, u është paguar doganierëve, tatimorëve e diku më lart. Në fund të zinxhirit, të mos harrojmë babëzinë “profesionale” që gjeneron sektori. Të gjitha reflektohen te marifetet me sasitë e çmimin fundor që publiku paguan në pompë. Sepse tregu ynë me pakicë ofron një numër të madh stacionesh në raport me kriteret, pa kushte teknike e norma projektimi, pa planifikim territorial, popullsie e ngarkese automjetesh, pa konkurs, plus miliarda lekë investime të hedhura e që vazhdojnë të hidhen pa plan biznesi, pa vizion të qartë për rikthimin e tyre, pra pa rregulla. Statistikat zyrtare japin një numër prej 1018 stacionesh, por në terren numri i tyre, pikave apo pompave që furnizojnë karburante të lëngëta e të gazta automotive është më shumë se 1200 e ndoshta më shumë, duke përfshirë këtu ato që punojnë të padeklaruara fare, të paautorizuara apo pjesërisht në funksion, në ndërtim, në proces plotësim dokumentacioni e natyrisht, duke paguar nën dorë. Një model i tillë e ka të pamundur në një përqindje të konsiderueshme të mbijetojë pa mashtrime; nëse nuk ndryshon, publiku do të vazhdojë të jetë i humbur si në kandar, ashtu dhe në cilësi e çmim. Në Shqipëri, paraja ka pak vlerë; kësisoj reagimi i konsumatorit të pambrojtur e të çorientuar nga mungesa e plotë e informacionit dhe e autoritetit shtetëror në sektor, përmblidhet thjesht në dy alternativa për të blerë karburant me pakicë: të blejë cilësinë (përgjithësisht edhe sasinë) sipas standardeve por me një çmim mjaft të “kripur”, ose të blejë 10, 15 e deri mbi 20 lekë litrin më lirë por, me probabilitet të sigurt abuzimi – zgjidh e merr! Në fakt, profesionistë të sektorit thonë se siguria për alternativën e parë mund të garantohet në Tiranë, më pak në Durrës e në pak stacione jashtë metropolit ku çmimi i lartë e shërbimi me “5 yje” shpesh, nuk të siguron cilësinë!

Gazeta Shqip, 24.12.2013