Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Tërmetet e induktuara dhe ato të ndodhura në Fier

Kohët e fundit janë vënë re një sërë tërmetesh, që edhe pse të vegjël në magnitudë, janë ndjerë nga njerëzit e kanë bërë dëme, kryesisht në zonën e Zharëzës, Fier. Shumë e trajtojnë këtë si një dukuri të re të pavënë re më parë. Po kjo nuk është kështu. Këto tërmete janë të ashtuquajtura tërmete të induktuara, që padyshim në këtë rast lidhen me shfrytëzimin e naftës dhe gazit në këto zona.

Sizmiciteti i induktuar është një drejtim relativisht i ri në sizmologji, zhvilluar kryesisht pas gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë. Ai mori shkas nga bashkëshoqërimi me tërmete i mbushjes së liqenit Mid në Arizona të SHBA-ve në gjysmën e dytë të viteve 1930. Më pas pati prova të mëtejshme në mbarë botën se mbushja e rezervuarëve të mëdhenj mund të sillte tërmete edhe në zona ku ato nuk ishin vënë re më parë. Në Shqipëri, sizmiciteti i induktuar nisi të studiohet me ngritjen e katër stacioneve sizmologjike rreth zonës së liqenit të ardhshëm të Fierzës në fund të vitit 1975. Mbushja e rezervuarit nisi në tetor 1978 dhe maksimumi i thellësisë në të u arrit në prill 1981. Në sajë të stacioneve të vendosura në zonë, mikrosizmiciteti natyral (para mbushjes së rezervuarit) u studiua për rreth tre vjet. Edhe pse terreni ku vendosej rezervuari përbëhej nga thyerje e mikrothyerje aktive tektonike, sizmiciteti ishte nga më të ulëtit në Shqipëri. Në periudhën para mbushjes, u regjistruan 138 mikrotërmete, ndërsa për tre vjetët e para pas mbushjes (tetor 1978 – dhjetor 1981), numri i tërmeteve të regjistruara ishte 305. Nga janari 1982 deri në dhjetor 1992 u regjistruan rreth rezervuarit të Fierzës 740 tërmete, me epiqendër brenda zonës së liqenit. Tërmetet qenë me thellësi 2-12 km. Magnituda më e madhe e këtyre tërmeteve ishte 3.6 (e shkallës Rihter).

Pas kësaj kemi një përshtatje të sforcimeve tektonike me ndikimin e ujërave të liqenit dhe vetëm herë pas here, në vartësi të fluktuacioneve të shpejta të nivelit të liqenit, u vunë re grumbuj mikrotërmetesh.

E njëjta gjë ndodhi me mbushjen e rezervuarit të Komanit, e cila nisi nga fundi i tetorit 1985. Mbushja koinçidoi me një periudhë reshjesh të shumta dhe u shoqërua nga një suorm (grumbuj tërmetesh) i fuqishëm nga 10 nëntori 1985, quajtur sourmi i Nikaj-Mërturit, që u rrit e arriti në një tërmet të ndjeshëm e që shkaktoi dëme të lehta në zonë, me M=4.0, ndodhur në 19 tetor 1985. Periudha më intensive e suormit ishte në nëntor-dhjetor 1985 dhe janar 1986 dhe ai erdhi duke u shuar nga gushti 1986, duke prodhuar 17,096 mikrotërmete (regjistruar nga stacioni sizmologjik i Bajram Currit, më i afërti me zonën epiqendrore). Magnituda maksimale e këtij suormi ishte M=4.2. Pati rreth 300 tërmete të ndjeshme dhe disa shkaktuan dëme strukturore në shtëpi e ndërtesa publike, por jo lëndime në njerëz.

Nga sa shihet, mbushja e rezervuarëve të Fierzës e Komanit mbi lumin Drin ka modifikuar rrjedhën natyrale të çlirimit të energjisë së mikrotërmeteve.

Përveç tërmeteve të induktuara nga mbushja e rezervuarëve të mëdhenj, sizmiciteti i induktuar përfshiu gjithashtu tërmetet e ndodhura nga injektimi në thellësi i fluideve, për qëllime të ndryshme (depozitim mbetjesh, shfrytëzim hidrokarburesh etj.), si dhe nga vetë shfrytëzimi i naftës e gazit. Kjo dukuri e sizmicitetit të induktuar është vënë me kohë edhe në disa nga zonat naftëmbajtëse të Shqipërisë. Tërmeti i Ballshit, 2 mars 1976 (M=4.9), thellësi 11 km dhe intensitet VII ballë, që shkaktoi shumë dëme në zonën përreth, tërhoqi së pari vëmendjen si një tërmet i induktuar nga ky shfrytëzim. Zona naftëmbajtëse e Ballshit ka nisur të shfrytëzohet në 1967.

Një tjetër tërmet që mendohet të jetë induktuar gjithashtu nga shfrytëzimi i naftës është ai i Roskovecit, 16 nëntor 1982, me M=5.7 dhe thellësi rreth 20 km. Pati 66 pasgoditje të këtij tërmeti gjatë njëzet ditëve që pasuan. Intensiteti në zonën epiqendrore ishte VIII ballë dhe pati dëme të shumta në zonën rurale.

Tërmetet e Ballshit 1976 dhe të Roskovecit 1982 mund të shpjegohen me mekanizmin trigerues të lidhur me zhbalancimin izostatik, shkaktuar nga nxjerrja e fluidit nga pjesa e sipërme e kores. Ripërshtatja e sforcimeve dhe tensioneve, shoqëruar nga rivendosja e zhbalancimit, do të përqendrohet në strukturat paraekzistuese. Një shpjegim alternativ për sizmicitetin e shtresave 10-20 km është ai bazuar në presionin paraekzistues të lartë të fluidit në koren e mesme – të cekët, i cili pas tërheqjes masive të fluidit pranë sipërfaqes indukton ndryshime të mjaftueshme në regjimin hidrogjeologjik dhe mund të shkaktojë migrim të ndjeshëm të fluidit në thellësi. Në këtë rast, sforcimi tektonik ekzistues, prekur nga shumë vite shfrytëzimi nafte, shkakton një reagim të kores dhe mund të ketë tërmete të lokalizuara nën zonën e shfrytëzimit. Si tërmeti i Ballshit, edhe ai i Roskovecit, kanë ndodhur pas një periudhe shfrytëzimi intensiv të fushave naftëmbajtëse ekzistuese.

Një tjetër seri përbërë nga tetë tërmete me magnituda në intervalin 3.2-3.8 dhe thellësi vatre 1-27 km ka ndodhur në zonën e Zharëzës, Fier, në qershor-shtator 2009. Këto tërmete lidhen patjetër me shfrytëzimin e naftës dhe injektimin i fluideve në puse. Por edhe shpërthimet e kryera në puset e naftës për hatër të shfrytëzimit mund të ndikojnë tërmetet që pasojnë. Raste të tilla tërmetesh janë vënë re edhe herë të tjera në Shqipëri. Janë për t’u përmendur tërmetet e Kukësit në vitet 1979-1981, të lidhura me shpërthimet e kryera në minierën e Gjegjanit.

Tërmetet e vëna re kohët e fundit në zonën e Fierit, siç thamë, kanë të bëjnë me shfrytëzimin e naftës në këto zona. Kjo dukuri pra nuk është e panjohur. Me futjen e teknikave të reja për të rritur prodhimin e naftës dhe gazit dhe kryesisht të naftës së shisteve argjilore (shale oil), si krijimi i çarjeve (fracking), në SHBA janë vënë re tërmete të shumta në zona ku më parë pothuajse nuk njiheshin, si në Teksas, Ohajo, Tenesi etj.

Edhe pse kanë disa karakteristika që shpeshherë ndryshojnë nga ato të tërmeteve natyrale (si cektësia, shpeshtësia etj.), tërmetet e induktuara nga veprimtaria njerëzore nuk bëjnë shumë dallim nga natyralët. Ashtu si treni që shkon vetëm atje ku ka shina, edhe tërmeti ndodh vetëm atje ku ka thyerje tektonike. Këto thyerje ndodh që dalin në sipërfaqe, por shpeshherë janë të mbuluara nga shtresa e regolitit tokësor dhe zbulohen vetëm me metoda të caktuara gjeologjike, gjeofizike e sizmologjike. Pra thyerjet dhe mikrothyerjet aktive tektonike në zonën e Zharëzës, Marinzës e Roskovecit ekzistojnë. Sforcimeve tektonike natyrale që ushtrohen mbi këto thyerje për efekt të deformimeve shkallëmëdha në kufijtë e pllakave e mikropllakave tektonike, u shtohen tashmë të tjera sforcime shkaktuar nga teknikat e përdorura për shfrytëzimin e naftës dhe të gazit. Dhe kjo bën që të vihen re tërmetet për të cilat janë ngritur në protestë njerëzit në këto zona. Këto teknika shfrytëzuese të naftës e gazit bëjnë pra që të ndryshojë rrjedha e çlirimit të sforcimeve të akumuluara në thyerjet e mikrothyerjet tektonike, duke krijuar kështu një model (patern) të ri të situatës sizmologjike.

Zhvillimi ekonomik e teknologjik i shoqërisë njerëzore është shoqëruar shpeshherë me kundërshti kur, përveç përfitimeve që i ka sjellë njeriut, ky zhvillim ka pasur edhe pasoja negative mjedisore, që përsëri lidhen me jetën dhe të ardhmen e njeriut mbi dhe. Në raste si ky i tërmeteve të Zharëzës, sigurisht që duhen kryer studime të posaçme nga institucionet kompetente dhe shohim me kënaqësi se si Ministria e Industrisë dhe Energjisë po reagon me të shpejtë për të dhënë ndihmën e nevojshme që këto studime të kryhen. Njerëzit kanë të drejtë të protestojnë. Ata duhet të zhdëmtohen nga kompanitë e shfrytëzimit të naftës për dëmet që mund të kenë pësuar. Por ata dhe vendimmarrësit lokalë duhet gjithashtu të informohen saktë për natyrën e këtyre tërmeteve, në mënyrë që në ndërtimet dhe planifikimet e reja të mëtejshme të merret parasysh shtesa e rrezikut sizmik për hatër të tërmeteve të induktuara dhe të reduktohen dëmet mjedisore.

Gjej rastin edhe një herë të bëj me dije këtu nënvleftësimin që i është bërë sizmologjisë në Shqipëri, me reduktimin e saj në një departament të vogël, nga një institut i mirënjohur që ishte në të kaluarën. Për një vend ku dukuritë sizmike janë të theksuara, qofshin ato si natyrale, edhe të induktuara, siç është Shqipëria, ky nënvleftësim është i pafalshëm e me pasoja.

*Autori është konsulent pranë Incorporated Research Institution for Seismology (IRIS), SHBA

Balkan Web, 11.12.2013