Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Saraçini: Investimet në energji do të krijojnë vende të reja pune

Ministri i Ekonomisë Valon Saraçini sot morri pjesë në ceremoninë e shënimit të nisjes së projekteve investuese të USAID-it në energji të pastër dhe menaxhim industrial. Në eveniment përveç Ministrit Saraçini ishin të pranishëm dhe kishin paraqitje edhe zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Vladimir Peshevski dhe ambasadori i SHBA-ve në Republikën e Maqedonisë, Paul Wohlers.

Projektet për investime në energji të pastër dhe menaxhim industrial do të fokusohet në mbështetjen e Qeverisë në përmirësimin e kuadrit ligjor për planifikimin, inicimin dhe zbatimin e proceseve dhe procedurave për të zvogëluar emetimin e gazeve serë në baza afat-gjatë në mënyrë që të rritet zhvillimi ekonomik, përmirësimi i menaxhimit me mjedisin dhe për të arritur qëllimet e zhvillimit, si dhe për të rritur konkurrencën e industrisë duke ulur shpenzimet e energjisë.

Ministri Saraçini në fjalimin e tij theksoi se energjia e pastër do të thotë reduktim i ndotjes, fatura më të ulëta të energjisë, por ajo gjithashtu ka dimension ekonomik – duke kontribuar për të hapur vende të reja të punës dhe të reduktimit të importeve të energjisë, çmimi i së cilës nuk duhet të neglizhohet.

“Në këto pak vite, nga ana e Qeverisë, janë krijuar dhe implementuar projekte në efikasitetin e energjisë dhe në burimet e ripërtëritshme të energjisë, që kanë kapacitetin për të reduktuar nivelin e papunësisë, për të përmirësuar cilësinë e jetës për qytetarët dhe për të kontribuar në kursimin e energjisë dhe të mjeteve për të”, tha Saraçini, duke shtuar se promovimi i efikasitetit të energjisë dhe përdorimi më i madh i burimeve të ripërtëritshme të energjisë, së bashk kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit.

Sektori industrial, sipas Saraçinit, zë pjesën më të madhe të konsumit final të energjisë në vend, me 33.95 % dhe karakterizohen me intensitet të lartë të energjisë. Projekti i USAID-it për menaxhim Industrial paraqet një qasje inovative për industrinë e Maqedonisë, sa i përket monitorimit të konsumit të energjisë, menaxhimit dhe identifikimit të masave të mundshme për përmirësimin e tij. Gjithashtu, projekti do të sigurojë zbatimin e parë të standardit ISO për menaxhim me sistemin e energjisë MKS EN ISO 50001, që është miratuar nga Instituti për standardizim në vitin 2011.

“Duke instaluar sisteme moderne për menaxhimin e energjisë, kompanitë do të jenë më mirë në gjendje të rregullojnë konsumin e energjisë dhe të marrin vendime strategjike për të përmirësuar efikasitetin e tyre të energjisë”, tha ambasadori i SHBA-ve në Republikën e Maqedonisë Paul Wohlers, duke shtuar se kursimet e energjisë në të vërtetë do të thonë kursime të kostos.

Ambasadori theksoi se politikat e mira të qeverisë mund të nxisin dhe të stimulojnë këtë lloj të investimeve të gjelbra dhe të krijojnë industri të reja.

“Republika e Maqedonisë si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian përballet me sfida për të trajtuar në mënyrë efektive, reforma serioze në sektorin e energjisë. Duke përdorur një të tretën e energjisë totale të konsumuar në Maqedoni, me luhatshmëri të lartë të çmimeve dhe konkurrencë të ashpër për një vend në tregun rajonal dhe evropian të produkteve të tyre, kompanitë industriale duhet të analizojnë më mirë mënyrën e tyre të konsumit të energjisë dhe ti përshtatin aftësitë e tyre organizative për të menaxhuar më mirë përdorimin e saj. Me strategjitë për shfrytëzimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe përmirësimin e efikasitetit energjetik në vend pritet që deri në vitin 2020 20 % e energjisë në vend të jetë nga burimet e rinovueshme”, tha zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Vladimir Peshevski.

energjia.al 04.12.2013