Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Saraçini: Shfrytëzimi racional i energjisë, në dobi të kompanive

Ministri i Ekonomisë Valon Saraçini sot qëndroi në Mavrovë ku ka filluar ‘Punëtoria për efikasitetin e energjisë dhe ndryshimet në tregun e energjisë’, që u dedikohet përfaqësuesve të mediave. Punëtoria treditore realizohet në kuadër të Platformës për efikasitet energjetik ‘Mendo dhe kurse’, të cilën Ministria e Ekonomisë dhe kompania EVN-Maqedoni e themeluan para një viti, me qëllim që të motivojnë kompanitë dhe amvisëritë në vend, të shfrytëzojnë në mënyrë racionale energjinë elektrike.

Temë kryesore e punëtorisë është përmbledhja e efekteve nga aktivitetet e deritanishme, si dhe aktivitetet që do të ndërmerren në të ardhmen, si dhe Rregullativa, me miratimin e së cilës do të stimulohet dhe do të rritet përdorimi racional i energjisë elektrike, ose thënë ndryshe do të arrihet efikasitet energjetik.

Ministri i Ekonomisë Valon Saraçini, i cili së bashku me drejtorin e Bordit drejtues të EVN-Maqedoni, Verner Hengst vizitoi këtë aktivitet theksoi rëndësinë e efikasitetit të energjisë për ekonominë, veçanërisht në sektorin real.

‘Me rritjen e përgjithshme të çmimeve të energjisë elektrike, efikasiteti i energjisë nuk mund t’i lihet rastësisë. Kjo ndikon drejtpërdrejt në konkurrencën dhe inovacionet në ekonomi, prandaj qëllimi ynë është dhe do të mbetet zbatimi i saj dhe promovimi i zgjidhjeve dhe teknikave të veçanta, si dhe krijimi i kushteve që do të jenë më të kapshme për kompanitë’, deklaroi Ministri Saraçini.

Ministri Saraçini shtoi se zbatimi i masave të efikasitetit energjetik mund të arrijë kursime në masën 40 deri 50 për qind në vit, dhe sërish u bëri apel kompanive dhe amvisërive të investojnë më shumë për këtë qëllim.

‘Përveç investimeve të reja në prodhimtari, patjetër duhet racionalizim më i madh në shfrytëzimin e energjisë. Pë këtë qëllim zbatimi i efikasitetit të energjisë në familje dhe kompani është vendimtar për sigurimin e stabilitetit të energjisë në afat të gjatë do të thotë më pak kosto për kompanitë dhe më shumë mjete të lira në dispozicion për to’ theksoi Saraçini duke shtuar se në këtë mënyrë kompanitë do të rrisin produktivitetin, efikasitetin dhe konkurrencën, që në kohë krize është e një rëndësie të veçantë, dhe u mundëson atyre edhe hapje të vendeve të reja të punës.

Drejtori i Bordit drejtues të EVN-Maqedoni, Verner Hengst tha se qëllimi i bashkëpunimit me Ministrinë e Ekonomisë ishte rritja e ndërgjegjësimit tek shfrytëzuesit e energjisë elektrike, dhe veçanërisht tek kompanitë, duke pasur parasysh se kërkesa për energji elektrike çdo ditë rritet më shumë.

‘Kërkesa për energji elektrike është në rritje e sipër dhe efikasiteti i energjisë është i rëndësishëm sepse, është një mënyrë e mire për të minimizuar efektet e kësaj tendence globale, dhe gjithashtu për të reduktuar varësinë nga importet e energjisë. Përvoja jonë tregon se me optimizimin e proceseve dhe përdorimin e teknologjive të reja mund të ketë një ndikim të madh në shfrytëzimin e energjisë elektrike dhe shpenzimet për energji’, tha drejtori i Bordit drejtues të EVN-Maqedoni Verner Hengst.

Platforma për efikasitet energjetik filloi vitin e kaluar dhe objektivi kryesor i saj është promovimi i efikasitetit të energjisë dhe zbatimi i tij. Në kuadër të kësaj platforme fokusi është vënë në edukimin e kompanive për nevojën e zbatimit të masave që do të mundësonin reduktimin e energjisë elektrike. Mbi 200 kompani të vogla dhe të mesme janë përfshirë në trajnime për trended dhe teknologjitë e reja në këtë fushë. Platforma ka përfshirë institucionet më të mëdha financiare në vend, të cilat prezantuan mundësitë për financimin e projekteve të tilla.

Platforma për efikasitetin e energjisë është përmendur si një shembull pozitiv edhe në Raportin e fundit të Komisionit Evropian për Maqedoninë, ndërsa në funksion të zbatimit të efikasitetit energjetik Maqedonia ka marrë vlerësim të lartë pozitiv.

energjia.al 02.12.2013