Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ja si u sabotua kujdesi ndaj klientit në CEZ

CEZ që në fillim, për të kamufluar sistemin e vjedhjeve dhe mashtrimeve që bënte në mënyrë sistematike ndaj klientëve shqiptarë, u përkujdes të ngrinte një sistem abuziv ndaj ankesave që ngrinin klientët, pikërisht ndaj këtyre vjedhjeve dhe mashtrimeve që bënte vetë CEZ ndaj shqiptarëve. METE dhe ERE, si dy institucione mbikqyrëse ndaj CEZ, që në fillim bashkëpunuan ndërmjet tyre, që të ngrihej sistemi abuziv ndaj ankesave të qytetarëve kundër vjedhjeve dhe mashtrimeve të CEZ. METE dhe ERE e kishin detyrim ligjor që të ndërtonin sistemin e mbrojtjes së konsumatorit për energjinë elektrike. Mirëpo, në fakt, METE dhe ERE, dhe konkretisht zëvendësministri përgjegjës për energjinë elektrike, Enno Bozdo dhe drejtori juridik i ERE, Eduard Elezi, sabotuan me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve, edhe pse për të ndërtuar këtë sistem të mbrojtjes të konsumatorëve, u vunë në dispozicion miliona euro, ato u harxhuan për qëllime të tjera. METE dhe ERE kanë dështuar plotësisht sepse iu hoq konsumatorëve këshillimi dhe mbrojtja e parashikuar nga projekti i financuar nga Qeveria Spanjolle me 2.1 milionë dollarë që i mori Banka Botërore dhe UNDP, të cilët zhvendosën fondet e parashikuara për avokatinë e konsumatorëve për të bërë ca seminare idiote dhe ca spote. Vetëm drejtori i projektit mori 300 mijë dollarë si pagesë për veten dhe akomodim.

ERE, instrument shërbimi i CEZ

Së pari, gjithë kohën ERE ka kryer rolin e një instrumenti shërbimi për të mbrojtur interesat e CEZ dhe kundër ankesave e interesave të shqiptarëve dhe të vetë shtetit. ERE ka sabotuar sistemin e ankesave të klientit ndaj CEZ. Sikurse përmendëm më lart, ERE, qëllimisht e ka sabotuar projektin spanjoll për ndërtimin e avokatisë së konsumatorëve dhe ka lejuar, që këtë sistem ta ketë vetë CEZ, nëpërmjet të ashtuquajturave zyra të “Kujdesit ndaj Klientit”, që ka hapur vetë CEZ-i dhe që nuk kanë kurrfarë transparente, për të zbardhur ankesat e qytetarëve.
1. ERE nuk ka ushtruar asnjëherë kontroll për të parë sa transparente janë këto zyra të “Kujdesit ndaj Klientëve”. Qytetarët shqiptarë kanë bërë me mijëra ankesa në këto zyra ndaj vjedhjeve, abuzimeve e mashtrimeve që CEZ u bën në mënyrë sistematike. Prova e vërtetësisë dhe faktet janë, derisa qeveria shqiptare, në fillimvitin e 2012, e pranoi që CEZ vjedh dhe abuzon me faturat e konsumit të energjisë elektrike, ndaj ishte edhe një nga arsyetimet dhe argumentat, për të cilat qeveria shqiptare u bazua në heqjen e licencës CEZ të çekëve. Pyetja është: ERE, deri në fillimvitin e 2013, përse ka heshtur gjatë gjithë kohës së ushtrimit të veprimtarisë abuzive e mashtruese të CEZ? Çfarë ka bërë ERE konkretisht në bazë të ligjit, për të mbrojtur konsumatorët shqiptarë ndaj vjedhjeve e abuzimeve të CEZ? Sa janë masat administrative dhe ligjore që ERE duhet të kishte marrë ndaj CEZ, mbështetur në ankesat sistematike të qytetarëve shqiptarë ndaj CEZ? Praktikisht dhe faktikisht, ERE nuk ka bërë asgjë. Edhe në rastet kur qytetarët janë ankuar drejtpërdrejt te ERE, kjo i ka shpërfillur tërësisht këto ankesa. Qytetarët edhe pse janë ankuar në ERE për abuzivitetin që CEZ bën me kolaudimet e matësve të energjisë elektrike, të cilët CEZ i regjistron në mënyrë të atillë, që të shënojnë konsum më të madh nga konsumi real, prapëseprapë ERE nuk ka vepruar, nuk ka vënë në funksionim as drejtorinë e Metrologjisë, e cila ka detyrimin dhe kompetencën ligjore të kontrollojë matësit e energjisë elektrike. Ligji shqiptar përcakton qartë që kolaudimet e matësve të energjisë elektrike kolaudohen nga Drejtoria e Metrologjisë, që është në varësi të ERE, por praktikisht ERE e ka paralizuar këtë drejtori, duke i dhënë CEZ hapësirën e veprimit, që të vetëkolaudojë, ashtu siç i intereson, matësit e energjisë elektrike. ERE nuk ka mbrojtur në asnjë rast konsumatorët shqiptarë, të cilëve shpeshherë u janë dëmtuar pajisjet elektro-shtëpiake, nga luhatjet e mëdha të tensionit të energjisë elektrike. Madje, qëllimisht, deri më sot, ERE nuk ka ngritur as bazën ligjore, por as mundësinë teknike që të vërtetojë këto dëmtime, edhe pse e pranon që në shpërndarjen e energjisë elektrike të CEZ, ka shumë luhatje të energjisë elektrike. ERE nuk ka bërë asgjë, që të parandalojë CEZ për mbifaturimet që penalizojnë shqiptarët, nëpërmjet faturimit mujor të energjisë elektrike.

Ankesat dhe harresa e institucioneve përgjegjëse

Zyrat e “Kujdesit ndaj Klientit” janë kthyer në zyra “Kujdesi ndaj vjedhjeve për klientët”, pasi asnjë ankesë e klientëve, që depozitohet në këto zyra të CEZ nuk jepet rrugëzgjidhja. Përkundrazi, edhe pse janë me mijëra ankesa të shqiptarëve për vjedhje, abuzime dhe mashtrime që u bën CEZ në faturimet e konsumit të energjisë elektrike, ato ankesa nuk janë kurrë transparente, pasi qytetari nuk ka asnjë mundësi, që të ballafaqohet kurrë me ballafaqimin. Ato ankesa CEZ i arshivon në harresën, shpërfilljen, duke mbytur kështu edhe zërin e ankesës, pasi më parë CEZ ka gjetur ortakun e vet te ERE dhe METE. Dhe jo vetëm. Asnjë prokurori nuk e ka marrë mundimin të hetojë ankesat e qytetarëve ndaj abuzimeve, vjedhjeve dhe mashtrimeve që u bën sistematikisht CEZ, shkallë e gjykatave në Shqipëri, nuk ka zhvilluar asnjë seancë gjyqësore, që të gjykojë ankesat e qytetarëve shqiptarë ndaj vjedhjeve, abuzimeve dhe mashtrimeve që CEZ u bën shqiptarëve. Edhe pse shteti shqiptar arsyetoi dhe argumentoi se CEZ abuzon me konsumatorët shqiptarë, ndaj edhe i hoqi licensën çekëve në fillimvitin e 2013, prapëseprapë, tani shteti shqiptar nuk ka asnjë provë gjyqësore, që të argumentojë në arbitrazhin ndërkombëtar që do të bëjë ndaj CEZ të çekëve, që gjykatat shqiptare kanë gjykuar ankesat e shqiptarëve për vjedhje, abuzime dhe mashtrime që CEZ u bën shqiptarëve. Kjo, sepse, në ditët e “mjaltit” midis CEZ dhe qeverisë shqiptare, ku rolin ndërmjetës e luante Enno Bozdo si zëvendësministër përgjegjës i METE për energjinë elektrike, qeveritarët shqiptarë favorizonin çdo interes të drejtuesve çekë të CEZ kundër interesave të shqiptarëve dhe shtetit shqiptar. Kaq e vërtetë është kjo, sa shteti shqiptar, me propozim të ERE, në 2012 i uli CEZ çmimin e blerjes të kilovatorit, nga KESH, nga 2,8 lekë kvv, në 2,2 lekë/kvv, duke i shkaktuar KESH, që është kompani shtetërore, mbi 50 milionë euro dëm vjetor. Ndërkohë, shteti shqiptar i lejoi CEZ në fillimvitin e 2012, rritjen çmimit të shitjes të kilovatorëve në 7,7 lekë/kvv, pa tvsh, për kuotën e 300 kvv/muaj, për konsum familjar, ndërsa mbi këtë shumë, çdo kilovator paguhet me penalitet të dyfishit të çmimit. Ndërsa për bizneset kjo shumë e konsumit të energjisë elektrike është e shumëfishuar. Si ka mundësi që shteti shqiptar të lejojë që CEZ të ketë 6 herë më shumë diferencën e çmimit të shitjes nga çmimi i blerjes të energjisë elektrike? A nuk është kjo një vjedhje e ligjëruar nga shteti shqiptar? Në cilin vend të botës ndodh që shteti, të lejojë që cilado kompani të ketë diferencë, 6 herë më shumë çmimin e shitjes nga çmimi i blerjes?

Agjensia e lajmeve sot news, 26.11.2013