Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Thellohet skandali i BANKERS Petroleum

Njoftim 1:

Thellohet skandali i detyrimeve të papaguara që Kompania Bankers Petroleum i ka patur arkës së shtetit. Çështja e investiguar nga Albanian Screen ka nxjerrë të tjera dokumenta që konfirmojnë se Administrata Tatimore, pas kontrolleve që ka kryer tek kjo kompani, ka gjetur disa shkelje dhe ka vendosur sanksione që arrijnë shifrën prej rreth 25 miliard lekësh, lidhur me shfrytëzimin e naftës pa akcizë që kompania ka të drejtë të fusë në shqipëri. Kompania Bankers Petroleum, nuk e pagoi detyrimin, duke ngritur edhe një padi penale ndaj autoritetit tatimor, jo për të kundërshtuar rezultatet e kontrollit të kryer, por për të argumentuar se me një ligj që hynte në fuqi, 4 ditë pasi u vendos masa e gjobës, nuk i takon këtij institucioni të kryejë kontrolle, por kompetencat i merr autoriteti doganor. Gjykata e Tiranës i dha të drejtë kompanisë për faktin se i takon Drejtorisë së Doganave të ushtrojë kontrolle, kompetencë që më parë e kishte Drejtoria e Tatimeve. Ajo që vihet re është se askush nuk e kundërshton kontrollin dhe rezultatet e tij, pra shkakun e masës së gjobës prej rreth 20 milion eurosh. Në argumentimin e çështjes në gjykatë, Drejtoria e tatimeve përshkruan edhe masat ndëshkimore që i vendosi kompanisë, të ndara sipas zërave. Dokumenti i siguruar nga Albanian Screen, përshkruan se gjoba që Bankers duhej të paguante është përshkallëzuar në këtë mënyrë:

– Detyrim akcizë 798 milion lekë (798 003 272 lekë).
– Gjobë akcizë 1.5 miliard lekë (1 596 006 544lekë).
– Kamat vonesa detyrim akcize 12 milion lekë (12 550 197 lekë).
– Detyrim TVSH 160 mijë lekë (159 358 lekë).
– Gjobe TVSH 160 mijë lekë (159 358 lekë).
– Detyrim tatim fitimi 80 milion lekë (79 679 lekë).
– Gjobë tatim fitimi 80 milion lekë (79 679 lekë).

Siç e përmendëm edhe një ditë më parë, e siç do ta përmendim gjatë gjithë ditëve në vijim, kompania kishte fituar të drejtën për të futur naftë 10 PMM pa akcizë, me pretendimin e përdorimit të saj për qëllime shpimi pusesh nafte. Por drejtoria rajonale e tatimeve, njësia e Tatimpaguesve të mëdhenj, pas kontrolleve që kreu, deklaroi se vetëm një sasi e vogël e kësaj nafte përdorej për qëllime shpimi, ndërsa për pjesën tjetër, nuk kishte deklarim destinacioni, cka ngrinte dyshime se nafta shpërndahej në tregun me pakicë.

Njoftim 2:

Albanian Screen zbulon një tjetër dokument që shton dyshimet mbi skandalin që ka ndodhur me kompaninë Bankers Petroleum dhe detyrimin prej rreth 20 milion eurosh që kjo kompani nuk ia ka paguar arkës së shtetit. Pasi e ka çuar në Gjykatën e shkallës së Parë çështjen, jo për vërtetësinë e masës ndëshkimore, por për faktin se nuk i takon Autoritetit Tatimor të ushtrojë kontrolle, ajo që bën habi është se vetë kompania, e çon çështjen edhe në Gjykatën e Apelit, për ta mbyllur përfundimisht çështjen.

Edhe në këtë rast, Bankers Petroleum padit Njësinë e Tatimpaguesve të mëdhenj, duke mos komentuar arsyen e masës ndëshkimore, por duke i mëshuar faktit se nuk është kompetencë e kësaj drejtorie të kryejë kontrolle, por e autoritetit doganor. E në një kohë kur gjoba prej 25 miliard lekësh, e ndarë edhe në zëra për cdo shkelje (jep tabelën e kronikës së djeshme), nuk u pagua kurrë, kompania nxiton të marrë një tjetër konfirmin procedurial, duke u larguar nga thelbi i masës ndëshkimore.

Në datën 5 shkurt të vitit 2013, Gjykata e Apelit konfirmoi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, se në bazë të ligjit që ka hyrë në fuqi, 4 ditë pasi u konstatua shkelja financiare nga kontrolli i tatimeve, pra në 1 tetor të vitit 2012, i takon Drejtorisë së Doganave të ushtrojë kontrolle dhe të ndërmarrë akte auditi financiar ndaj kompanive. Por ky vendim në vetvete, nuk e kundërshton, nuk e ndryshon dhe as nuk e bën nul raportin e autoritetit të tatimeve, pasi nuk diskutohet në asnjë pikë mbi shkeljet e konstatuara, por vetëm çështje procedurash. Në përfundim, Bankers Petroleum i shpëton gjobës së vendosur për shkelje dhe parregulltësi në pagesat ndaj shtetit.

Raporti i auditit që konstatoi shkeljet, nuk egziston më në tryezën e Drejtorisë së Doganave, ndërkohë që me ndryshimin e administrative, ai është zhdukur thuajse krejtësisht nga vëmendja institucionale. Masa ndëshkimore e autoritetit tatimor, e vendosur në 28 shtator të vitit 2012, u argumentua me mosdërgimin në destinacion të naftës 10 PMM, e cila, në bazë të marrvëshjes me qeverinë shqiptare, hyn pa akcizë në vendin tonë. Pikërisht hyrja e një sasie më të madhe se nevojat, e kësaj nafte, krijon dyshime se Bankers Petroleum e përdori për tjetër destinacion, duke përfituar pikërisht nga fakti që për këtë sasi nuk paguhet akcizë, cka ndikon direkt në cmimin e saj.

Në ditët në vijim, Albanian Screen do të publikojë të tjera dokumenta, që dëshmojnë shmanguien në mënyrë të përsëritur që Bankers Petroleum i ka bërë detyrimeve të vendosura nga autoriteti Tatimor, çka do të thotë se arkës së shtetit i kanë munguar prej vitesh të ardhurat që duheshin mbledhur, sipas ligjit, nga kjo kompani.

Albanian Screen, 08.11.2013