Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

KEDS ka investuar veç 6 milionë euro në distribucion

Vetëm 6 milionë euro janë investuar për gjashtë muaj në distribucionin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), e cila tashmë gjashtë muaj është në pronësi të konsorciumit turk Limak &Calik, shkruan sot gazeta Zeri.

Mirëpo, jozyrtarisht, punëtorët e kësaj kompaninë thonë se edhe kjo shumë është e fryrë, për shkak se që nga marrja në menaxhim kompania turke thuaje nuk ka filluar fare me investime, por vetëm ka bërë ndërhyrje kur ka qenë e domosdoshme. Zëdhënësi i konsorciumit turk, Guri Shkodra, ka konfirmuar për gazetën se, deri më tani kompania ka arritur të investojë vetëm 6 milionë euro, edhe pse, sipas tij, deri në fund të vitit kompania ka planifikuar të investojë edhe 11 milionë euro të tjera, dhe se gjatë 15 viteve të ardhshme ajo do të investojë rreth 300 milionë euro në distribucion.

“Pritet që deri në fund të vitit të përfundojë projekti për blerjen dhe montimin e 3,000 njehsorëve tek konsumatorët shtëpiak, si dhe disa projekte tjera në rajonin e Gjilanit, ku është përfunduar projekti i TM në nën-stacionin 110 kV, Gjilani 5. Momentalisht, pritet të përfundojë projekti i TM në nën-stacionin 110 kV Prishtina 7 dhe është duke u punuar në 27 projekte në tension të ulët dhe tension të mesëm në të gjitha distriktet”, ka thënë ai.

Tutje, Shkodra thotë se, konsorciumit turk ka për qëllim edhe përmirësimin e rrjetit të distribucionit dhe furnizimit me energji elektrike, gjë që pastaj do të zvogëlonte humbjet teknike dhe të tjera. Sipas tij, për shkak të vjetërsisë së pajisjeve të trashëguara nga KEK-u, KEDS po përballet me shumë probleme në mirëmbajtjen e rrjetit të distribuimit dhe furnizimit me energji elektrike. Nga ana tjetër, Zëri citon burime të veta nëpër disa komuna të Kosovës, sipas të cilave, që nga marrja në menaxhim e distribucionit kompania turke nuk ka investuar pothuajse asgjë. “Madje, pas fillimit të menaxhimit kompania turke nuk ka blere as uniforma të reja për punëtorë, por i ka përdorur uniformat e vjetra, të cilat punëtorët e KEK-ut i kanë pasur edhe më herët”, citon gazeta të burim të saj.

Gazeta Express, 01.11.2013