Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Zgjerimi i portit, firma greke (Global Petroleum): Tre mln euro dëmshpërblim

Autoriteti Portual në Durrës përplaset me një kompani greke për zgjerimin e rrugës hyrëse. Kompania private nuk pranon zbatimin e projektit për zgjerimin e rrugës hyrëse nga porti, duke sjellë ndryshim të projektit.

Nga tri korsi që ka rruga nga të dyja anët, në njërin krah bëhet me dy korsi për shkak se kompania greke nuk ka pranuar të spostojë mjediset e saj aq sa nevojitej për vijimin e korsisë së tretë. Në këto kushte, e parashikuar për t’u ndërtuar me tri korsi nga të dyja anët, në njërin krah rruga hyrëse e automjeteve në Portin e Durrësit tashmë do të jetë me vetëm me dy korsi për kalimin e tyre. Bëhet fjalë për rrugën nga porta nr.4 tek Ura e Dajlanit deri te terminali i pasagjerëve, investim i cili kap vlerën e 230 milionë lekëve. Në një gjatësi rreth 50-60 metra, projekti ka devijuar dhe shkak për këtë është bërë fakti se njëra prej kompanive që ka ambientet e saj dhe depozitat e naftës shumë pranë vendit nga kalonte gjurma e rrugës nuk ka pranuar të lëshojë sipërfaqen e zënë. Autoriteti Portual ka zhvilluar një sërë negociatash me kompaninë greke të karburanteve “Global Petroleum”, e cila ka marrë me qira mjediset pranë Urës së Dajlanit, sipas një marrëveshjeje 20-vjeçare. Një nga inxhinierët e Autoritetit Portual në Durrës ka sqaruar për gazetën se firmës në fjalë i është kërkuar që të risistemojë gjithë territorin që prekej nga ndërtimi i rrugës, në mënyrë që investimi të vijonte normalisht. Por kompania, përveçse nuk ka pranuar të sistemojë sipërfaqen prej rreth 200 metrash katrorë, ka shkuar më tej duke paditur Autoritetin Portual Durrës me pretendimin se investimi i ri ka krijuar vështirësi në hyrjen dhe daljen e punonjësve të saj në territorin që ka marrë me qira.

Mësohet se pak ditë më parë, në Drejtorinë e Portit ka mbërritur një njoftim nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, nëpërmjet të cilit njoftohet se Autoriteti Portual është paditur nga kompania greke, e cila kërkon dëmshpërblim në shumën 3 milionë euro. Në njoftim thuhet se firma private kërkon dëmshpërblim, pasi investimi i ri i portit ka krijuar vështirësi në hyrjen dhe daljen e mjeteve dhe punonjësve të saj në territorin që ka marrë me qira për 20 vjet. Prej vitesh, në Portin e Durrësit është ndaluar veprimtaria e përpunimit të karburanteve dhe me vendim qeverie ato përpunohen në Porto-Romano. Edhe kompania në fjalë nuk kryen asnjë aktivitet tashmë në Portin e Durrësit, por ngul këmbë për zhdëmtim dhe mban të bllokuar investimin. Tashmë kjo rrugë do të qëndrojë e tillë deri në përfundimin e kontratës qiramarrëse të kompanisë greke, në vitin 2019.

Çështja në duart e Gjykatës

Çështja mes firmës greke dhe Autoritetit Portual të Durrësit tashmë ndodhet në duart e drejtësisë pas padisë për dëmshpërblim. Nga njëra anë kompania “Global Petrolium” kërkon të fitojë 3 milionë euro nga problemet që sipas saj ka sjellë investimi, nga ana tjetër, Autoriteti Portual deklaron se projekti ka qenë për të ndërtuar një rrugë me tri korsi, por kompania e huaj e ka lënë të mangët këtë projekt fillestar.

Gazeta Panorama, 18.10.2013