Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Shkelet urdhri i Ramës, HEC-et vijojnë punën

Në zonën e Librazhdit janë dhënë gjithsej 84 leje koncensionare për ndërtimin e hidrocentraleve. Një pjesë e konsiderueshme e lejeve janë dhënë në zona të mbrojtura, madje edhe në parqe kombëtare. Ekspertët e mjedisit, por edhe inxhinierët japin alarmin për shkatërrimin e këtyre zonave. Me gjithë miratimin në qeveri të vendimeve të Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, për pezullimin koncesioneve që janë dhënë pas datës 22 gusht, punimet në këto HEC-e vijojnë.

Vetëm në zonën e Librazhdit, sipas Inxhinierit Fatmir Brazhda i bie që për çdo 1.2 kilometra të ketë 1 hidrocentral në Librazhd. Sipas tij, HEC-et po i marrin frymën, Librazhdi po bëhet një kolaps, pasi janë 84 HEC-e duke filluar që në Parkun Kombëtar dhe deri në të gjithë Zonat e Mbrojtura dhe fshatrat e këtij rrethi. Ndërkohë nga Qarku i Elbasanit, Librazhdi është përcaktuar si një destinacion turistik në vitin 2001. UNDP ka investuar për mbrojtjen e kësaj zone.

Shkatërrimi i mjedisit po vazhdon në mënyrë galopante duke dëmtuar florën dhe faunën në Sopot të Librazhdit. Ndërtimi hidrocentraleve po merr të gjithë ujin e Lumit të Gostimës, ku rritet trofta më e veçantë në Ballkan. Sipas ekspertëve, në Sopot në Gurrat po ndërtohet një tjetër hidrocentral. Të gjitha këto ujëra po merren me tuba, janë me dhjetëra specialistë dhe projektues që i kanë rënë kryq e tërthor gjithë kësaj zone që nga Guri i Pëllumbit dhe deri në kufi me Polisi Vilanin, për të marrë çdo pikë uji.

Ky është një fshat që ka një drejtim turistik dhe bën pjesë në Zonën e Mbrojtur 300 hektarë, ku rritet një florë dhe një faunë shumë e çmuar dhe jo pa qëllim është shpallur Zonë e Mbrojtur, Rezervë Natyrore e Menaxhuar sipas I.U.C.N, më 16 shkurt 1996, ku Shoqata Egnatia dhe një grup specialistësh kanë propozuar që kjo zonë të zgjerohet edhe me shumë.

Turistët

Turistët kanë qenë të paktë në këto vitet e fundit për faktin se udhëtimi deri në këto lartësi dhe bjeshkë të bukura është i vështirë për shkak të infrastrukturës. Jo të paktë kanë qenë vizitorët italiane, çekë, gjermanë, austriakë po ashtu dhe shqiptarë sidomos të trevës së Elbasanit, të cilët kanë dhe lidhje tradicionale me zonën. Sipas biologut dhe ing. Bakram Kullolli , i cila ka hartuar dhe projektin turistik të zonës Sopoti është një zonë me biodiversitet të lartë dhe ka mbi 110 lloje të bimëve medicinale. Gjithashtu janë mbi 40 bimë dhe specie(popullata) që paraqesin rrezik të zhduken dhe propozohen të futen në librin e kuq. Në këtë zonë rriten kaprolli, dhia e egër, gjeli i egër, thëllëza, zardafi, trofta, ketri, macja e egër, nusja e lalës, artini, blini, mështenka, dëllinja e kuqe,dëllinja e zezë,pisha,bredhi, paja,tisi,rrobulli, gështenja e egër etj. Ndërtimi i HEC-ve rrezikon të shkatërrojë gjithë këtë pasuri kombëtare , e cila sipas legjislacionit shqiptar është e mbrojtur. Pezullimi

Zëvendëskryeminsitri Niko Peleshi ka deklaruar se qeveria do të rishikojë të gjitha koncensionet e dhëna nga qeveria e mëparshme, të cilat nëpërkëmbin interesin e qytetarëve. “Pa cenuar marrëdhënien e besimin e investitorëve vendas, do të rishikojmë të gjithë kontratat që nëpërkëmbin interesin publik të shqiptarëve.

Qeveria do të japë një frymë të re bashkëpunimit me biznesin, do të tregojmë integritet në raport me biznesin për të gjitha çështjet që e shqetësojnë. Do inkurajojmë biznesin e huaj e vendas për të shfrytëzuar potencialet që ofron Shqipëria. Vendi ka potencial shumë të madh tek biznesi privat për të ndihmuar projektin tonë madhor.

Do t’i qëndrojmë linjës tonë për të shfuqizuar vendimet që dëmtojnë në themel interesin e qytetarëve. Do të jemi të hapur dhe inkurajues për të krijuar procedura që do të afrojnë biznesin vendas dhe të huaj drejt ekonomisë shqiptare. Kemi interes të inkurajojmë besimin e institucioneve publike te ndërkombëtarët, por dhe tek qytetarët e thjeshtë” theksoi Peleshi.

Gazeta Shekulli, 16.10.2013