Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Statusi i Shqipërisë në dhjetor. Italia interes për investime në energjetikë

Në dhjetor Shqipëria ka shumë mundësi që të marrë statusin e vendit kandidat dhe Italia ka qenë dhe do të jetë një mbështetëse e fuqishme për Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian. Konfirmimi vjen nga ministrja italiane e Punëve të Jashtme, Emma Bonino e cila po zhvillon një vizitë në vendin tonë.

Nga ana e saj, ministrja e Jashtme e Italisë, Emma Bonino tha se, “kjo është një vizitë e gjerë e jo vetëm një takim me homologun tim shqiptar. Unë kisha një takim me kryeministrin, tani me kryetarin e Kuvendit dhe më pas do të zhvilloj një takim me gratë sipërmarrëse në Shqipëri e do takoj edhe sipërmarrësit”.

“Inkurajova kryeparlamentarin që të intensifikojë marrëdhëniet me homologët e tyre”, tha Bonino. E pyetur për shtyrjen e votimit të projektit TAP, Bonino tha se, “nuk ka asnjë problem. Thjeshtë ishte një shtyrje në Senat për shkak të ndryshimeve në projekt. TAP është një përparësi e jona”.

Duke folur për raportet dhe bashkëpunimin, Bonino tha se, “raportet tona janë shumë të mira, niveli i shkëmbimit shkon mbi 2 miliardë euro por ka ende hapësira për të rritur bashkëpunimin”. Sipas saj, “janë 400 ndërmarrje italiane në Shqipëri, të nivelit të mesëm apo të vogla që ndihmohen edhe prania e një banke italiane. Kjo do të thotë se ekzistojnë kushtet për të tërhequr ndërmjarrje të mëdha italiane sidomos në fushën e energjisë. Të dy vendet tona nuk është se gëzojnë burime natyrore dhe i vetmi burim natyror janë njerëzit”.

Në fokus të bisedimeve do të jetë bashkëpunimi dypalësh mes dy vendeve, axhenda evropiane e Shqipërisë, TAP, bashkëpunimi rajonal, etj.

Italia do të kryesojë presidencën e Bashkimit Evropian në 2014 pas presidencës greke. Presidenca greke dhe italiane e BE-së gjatë 2014 përkon me një strategji të përbashkët që fokusohet në marrëdhëniet e BE-se me vendet e Jugut të Mesdheut dhe me marrëdhëniet me vendet e rajonit Adriatiko-Jonian. “Viti 2014 do te jetë viti i Mesdheut”.

Italia është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë me 2.1 miliard euro shkëmbime në 2012 dhe me një ritëm rritjeje prej 3% ne 2013. Italia është edhe vendi i parë për investimet e huaja direkt në Shqipëri, dhe vendi i dytë donator në raporte bilaterale mbi 300 milion euro.

Nëpërmjet programit të bashkëpunimit IPA Adriatic Cross Border për vitet 2007-2013 janë investuar në Shqipëri 18 milion euro.

Revista Monitor, 09.10.2013