Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Shqipëria – nga superfuqi energjetike në superfuqi për shkatërrimin e armëve kimike?

Zoti Kryeministër, dëgjova nga ministri juaj i Jashtëm lajmin për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë në Shqipëri. Kam dëgjuar më pas dhe vazhdoj të dëgjoj shumë detaje të tjera teknike që rreken të më bindin se sa i sigurt është transporti, se sa e sigurt është procedura e deaktivizimit e të tjera si këto. Detaje, zoti kryeministër! Detaje, të cilat nga njëri vesh më hyjnë dhe nga tjetri më dalin! Ajo që më ngelet si qime në fyt, mbetet pyetja se si është e mundur që interesi i qeverisë rrallëherë përputhet me interesin publik?

Zoti Kryeministër, dëgjova se këtë akt bamirësie qeveria Juaj, qeveria e një vendi të vogël si Shqipëria pra, po na e bëka në emër të një të Mire të Madhe të Përgjithshme, siç ruajtja e paqes dhe e ambientit në shkallë globale. Mundohem ta imagjinoj se sa torturuese duhet të jetë për një kryeministër për të vendosur, në një det të pafundëm të mirash dhe mundësish për të bërë të mira, se cila është e mira më e mirë për njerëzit e këtij vendi. Ajo e Mira me “M” të madhe, pra! Ajo e Mira gati-gati platoniane! Dhe sërish, ajo që më ngelet si qime në fyt, mbetet pyetja se si është e mundur që ajo e Mira me “M” të madhe që Ju keni ndërmend, të jetë aq larg asaj së mirës me “m” të vogël që kemi ndërmend ne vdekatarët e këtij vendi?

Edhe ai që e ka patur para Jush karrigen kryeministrore duhet të ketë vuajtur nga dilemat e zgjedhjes midis të mirave të shumta dhe ka pas qenë tejet i apasionuar pas të Mirave me “M” të madhe. Siç ishte për shembull centrali bërthamor në Shkodër dhe dëshira për ta kthyer Shqipërinë në një superfuqi energjetike. Apo siç ishte, për shembull, edhe ndërtimi i disa shkollave në Afganistan nga ushtarët shqiptarë. Ndoshta ishin pikërisht këto vizionet për të Mirën me “M” të madhe që e lanë paraardhësin Tuaj pa kryer ca punë të mira me “m” të vogël, siç ishin hapja e shkollave apo qendrave shëndetësore nëpër zona të thella malore apo ruajtja e pyjeve dhe e bregdetit nga shkatërrimi. Ruajuni nga vizionet në shërbim të së Mirës Globale apo Universale me “M” të madhe, z. kryeministër! Besoj se ju kujtohet, se një vizion i tillë në kokën e atij piktorit famëkeq austriak për pak e shkatërroi gjithë Europën.

Zoti kryeministër, s’ka gjë më fisnike dhe më të lavdërueshme se qëllimi Juaj për t’i shërbyer paqes në botë dhe ruajtjes pastër të mjedisit global, por s’duhet harruar shprehja e njohur “charity beginns at home” – bamirësia fillon në shtëpinë tënde. Në shtëpinë tonë të vogël, pra. Nëse dëshironi të bëni gjëra të mira, nëse jeni në politikë me të vërtetë për të lënë gjurmë që do ta sfidojnë vdekjen, fillojeni me gjëra të vogla dhe me hapa të vegjël. E Mira e Përgjithshme, siç thotë Samuel Butler, është pretekst i patriotëve, politikanëve dhe batakçinjve.

Dhe tani, më lejoni ta mbyll me një fabul të vockël që tregon se vlera e së Madhes shfaqet tek gjërat e vogla. Mistiku nga Bagdadi, Abu Bakr Schibli, vdiq në vitin 945. Pas vdekjes, ai iu shfaq në ëndërr një miku, i cili e pyeti: “Si të trajtoi Zoti?” Mistiku ia ktheu: “Zoti më doli para dhe më pyeti: ‘Abu Bakr, e di se përse të kam falur?’ “Për veprat e mira që kam kryer?” ‘Jo’ – ishte përgjigja e Zotit. “Për lutjet e mia, për pelegrinazhin, për agjërimet?” ‘Jo’ – ishte përgjigja e Zotit. “Për udhëtimet e mia në kërkim të dijes?” ‘Jo’ – tha Zoti. “Atëherë, për çfarë më ke falur, Zoti im?” Dhe Zoti u përgjigj: ‘Për asnjërën prej këtyre gjërave të mira nuk të kam falur!’ “Po për çfarë atëherë, o Zot?” Dhe Zoti u përgjigj: ‘Të kujtohet njëherë kur ecje rrugëve të Bagdadit dhe pe një mace të vogël që dridhej nga i ftohti dhe shkonte nga një qoshe muri tek tjetra për t’u mbrojtur nga bora dhe acari, dhe ti u përkule, e ngrite nga toka dhe e mbështolle me mantelin tënd, duke e shpëtuar nga tortura e të ftohtit?’ “Po, më kujtohet!” ‘Ja pra, – u përgjigj Zoti – pikërisht për dhembshurinë që tregove ndaj maces të kam falur’.

Them, zoti kryeministër, se dhembshuria ndaj popullit tënd të vogël që qeveris mund të jetë po aq e Madhe dhe e Mirë sa dëshira për t’i shërbyer një plitike të madhe globale apo një shteti të madh mik.

Gazeta Mapo, 08.11.2013