Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjiknuri dhe Tungland: Gati Task Forca për të çuar përpara projektin

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri priti dje në një takim Drejtorin menaxhues të projektit TAP, Z. Kjetil Tungland dhe ekipin që e shoqëronte.

Z.Tungland falenderoi Ministrin për mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë projektit të gazsjellësit në të gjitha fazat e deritanishme ndërsa theksoi se mbetet ende punë për të bërë që të ecet përpara.

Drejtori i projektit shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar në zbatimin e marrëveshjeve për të cilat është rënë dakord ndërsa Z.Gjiknuri e Z.Tungland ranë dakord që të thellohet koordinimi në të gjitha hapat e mëtejshëm.

Ministri Gjiknuri njohu Z.Tungland me faktin se brenda pak ditësh do të mund të ngrihet dhe të funksionojë njësia Task Force posaçërisht për të shtyrë përpara projektin TAP. Kjo strukturë do të mund të koordinojë veprimet dhe nevojat dypalëshe për të mos humbur kohë në ndërtimin dhe shfrytëzimin e përfitimeve që vijnë nga gazsjellësi.

Z.Gjiknuri premtoi krijimin shumë shpejt të një sektori të veçantë në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, i specializuar për çështjen e gazit duke e kthyer tanimë në një nga prioritetet e axhendës së këtij institucioni.

Z.Tungland shprehu gatishmërinë e bordit të TAP-it për të mbështetur nga ana teknike funksionimin e Task Forcës ashtu sikurse garantoi pjesëmarrjen në nismën për hartimin e një masterplani për shtrirjen e gazit në Shqipëri.

Zyrtari i TAP-it tha se në terren do të mund të ketë përfitime të tjera indirekte për komunitetet lokale, siç janë investimet në infrastrukturë pasi do të ndërtohen rrugët në ato pjesë ku kalon tubacioni i gazsjellësit.

Ministri Gjiknuri kërkoi nga ana e drejtorit menaxhues të projektit TAP që të shihet me prioritet mundësia që edhe Kosova të mund të jetë një përfituese e rrjetit të gazit.

Ministri vuri theksin edhe tek rëndësia që në zbatimin e projektit TAP të mund të angazhohen kompanitë vendase përmes një procedure sa më transparente.

Z.Tungland vlerësoi se ka standarde që duhen përmbushur dhe nëse kompanitë vendase janë në gjendje që të jenë të gatshme për tu përfshirë, ato mund të garojnë për të qenë pjesë jo vetëm në segmentin e punimeve në Shqipëri por edhe në segmentet e tjera të gazsjellësit.

Z.Gjiknuri nënvizoi se është me shumë rëndësi që paralelisht me ndërtimin e gazsjellësit të mund të punohet edhe për procesin e ndërtimit të rrjetit të shpërndarjes së gazit në Shqipëri në mënyrë që vendi të përfitojë sa më shumë nga ky projekt i rëndësishëm.

energjia.al, 10.10.2013