Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Fillojnë procedurat për emërimin e administratorit të përkohshëm të CEZ

Lënda: Njoftim për fillimin e procedurave të përzgjedhjes dhe emërimit të administratorit te perkohshem të shoqërisë CEZ Shpërndarje sh.a

Enti Rregullator i Energjisë, njofton të gjithë të interesuarit për të aplikuar:

1. Për pozicionin e Administratorit te perkohshem të shoqërisë CEZ Shpërndaje sh.a.

2. Kompetencat dhe detyrat e Administratorit në përputhje me “Rregulloren mbi procedurat e emerimit te administratorit dhe kompetencat e tij”, te miratuar me Vendimin nr. 1, datë 10.01.2013, të Bordit të Komisionerëve të ERE-s, ndermjet te tjerave janë:
• Administratori i perzgjedhur nga ERE me emërimin e tij merr në administrim shoqërinë e interesuar. Ai vec të tjerash ka të drejtën dhe detyrimin të operojë dhe mirëmbajë asetet e shoqërisë.
• Përveç sa parashikohet në “Rregulloren mbi procedurat e emerimit te administratorit dhe kompetencat e tij”, Administratorit i njihen gjithashtu të njëjtat të drejta, detyrime, kufizime dhe kushte që zbatohen për administratorët dhe personelin e shoqërisë sipas ligjit per Shoqerite Tregtare.
• Administratori harton dhe paraqet për miratim në ERE cdo ndryshim ne strukturën dhe pagat dhe shpërblimet e punonjësve të shoqërisë së interesuar.
• Administratori kur nuk parashikohet ndryshe nga legjislacioni, zbaton legjislacionin e prokurimit publik lidhur me blerjen e mallrave dhe shërbimeve.
• Drejtuesit e shoqërisë së interesuar të vënë në dispozicion të Administratorit të gjithë dokumentacionin e shoqërisë së interesuar dhe përgatisin një raport për gjendjen e saj të cilën ia paraqesin Administratorit me kërkesë të tij.
• Administratori ka të drejtë të shkarkojë cdo person që refuzon të japë informacionet e kërkuara.
• Administratori brenda 10 ditëve nga data e emërimit të tij merr në dorëzim të gjithë inventarin e aktiveve dhe pasurive të shoqërisë së interesuar dhe gjithë dokumentacionit të arkivës.

3. Aplikanti duhet të paraqesë në ERE dokumentacionin e nevojshem për plotësimin e kritereve si më poshtë:
a. Të ketë kryer studimet e larta;
b. Të ketë një eksperiencë pune si drejtues ekzekutiv per nje periudhe jo me pak se 5 vjecare ne sektorin publik apo privat;
c. Të mos jetë i dënuar për kryerjen e një vepre penale.

Personat e interesuar duhet të paraqesin në ERE brenda datës 14.10.2013, këto dokumenta: Kërkesë për aplikim (ku ndër të tjera të argumentohet qëllimi i aplikimit), Currikulum Vitae, Fotokopje e diplomës, të librezës së punës, certifikatave të kualifikimit, dëshmi të gjuhëve të huaja, vërtetim të gjendjes gjyqësore dhe detajet për t’u kontaktuar (e-mail, tel).
Mosparaqitja e plotë e dokumentave sjell skualifikimin e kandidatit.

Ky njoftim do te botohet ne datat 09.10.2013; 10.10.2013 dhe 11.10.2013 ( tre dite me rradhë), data 11 e përfshirë.

KRYETARI NE DETYRE
Shkëlqim BOZGO

Energjia.al 09.10.2013