Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Energjia e Gjelbër në Korenë e Jugut

Koreja e Jugut është një nga konsumatorët dhe importuesit më të mëdhenj të energjisë në botë. Qeveria ka në plane të ndërtojë më shumë centrale bërthamorë për t’iu përgjigjur kërkesës në rritje, por disa qytete besojnë se energjia e gjelbër është një rrugë më e mirë drejt pavarësisë energjitike. Ndërtesa e bashkisë së Seulit e ka mirëpritur energjinë e rinovueshme. Në tarracën e saj ka mbi 1000 panelë diellorë të cilët prodhojnë energji elektrike dhe ngrohin ujin e ndërtesës. Zoti Kook Joung-yean është drejtori i departamentit të energjisë për qendrën e bashkisë. Ai thotë se panelët prodhojnë 28 përqind të energjisë së nevojshme për bashkinë, por ai shpreson që ato të kenë një ndikim më të madh se sa thjesht simbolik.

“Ne dëshirojmë gjithashtu të inkurajojmë sektorin privat të investojë në energjinë e rinovueshme. Mund t’u tregojmë se panelët diellorë funksionojnë këtu, me shpresën që ata të ndjekin shembullin tonë.”

Koreja e Jugut ka burime të kufizuara natyrore. Sipas Bankës Botërore, rreth 82 përqind e energjisë së konsumuar në vend vjen nga importet, kryesisht të qymyrit dhe naftës. Zoti Park Ji-young, një analist i energjisë në Institutin Asan për Studimet e Politikave në Seul, thotë se zhvillimi i teknologjive të gjelbërta është një mënyrë për të pakësuar varësinë ndaj importeve.

“Burimi i energjisë së ripërtëritshme është i pashmangshëm për Korenë, për të vazhduar zhvillimin e qëndrueshëm të saj, por njëkohësisht edhe cilësinë e jetesës për qytetarët.”

Zoti Park thotë se projektet e energjisë së gjelbër, si ato tek bashkia e Seulit, duhet të inkurajohen, por ato vetëm nuk mund t’u përgjigjen nevojave të vendit. Centralët bërthamorë prodhojnë rreth një të tretën e energjisë elektrike të konsumuar nga Koreja e Jugut. Gjenden rreth 23 centralë në vend, dhe gjatë dhjetë viteve të ardhshme, qeveria ka në plan të ndërtojë edhe nëntë të tjerë. Reaktorët vazhdojnë të jenë një mënyrë e rëndësishme për sigurimin e energjisë për Korenë e Jugut. Zoti Kim Jong-kyung është presidenti i Shoqërisë Koreane për Energjinë Bërthamore. Pavarësisht shqetësimeve të shtuara rreth energjisë bërthamorë pas katastrofës së Fukushimës në Japoni, zoti Kim thotë se reaktorët në fakt janë një teknologji gjelbër.

“Lëshohet vetëm 10 gramë për kilovat orë dioksid karbon në mjedis. Emetimet nga gazi i lëngshëm natyror, për shembull, janë 55 herë më të larta. Prandaj energjia bërthamore është energji gjelbër. Patjetër që ka shqetësime rreth sigurisë, por nëse ato zgjidhen, energjia bërthamore mbetet më e pastra për mjedisin.”

Shqetësimet rreth sigurisë janë shtuar gjithashtu tek disa nga centralët e Koresë së Jugut. Gjatë vitit të fundit, tre reaktorë janë ndaluar së punuari pasi u zbuluan tre çertifikata të falsifikuara për sigurinë. Dhe disa nga zyrtarët qeveritarë janë pushuar nga puna ose janë burgosur sepse kanë pranuar ryshfete nga furnizuesit e pjesëve të reaktorëve. Përgjegjësi për energjinë tek Bashkia e Seulit Kook Joung-yean thotë se skandalet e sigurisë dhe të korrupsionit thjesht i bëjnë panelët diellorë dhe teknologjitë e tjera të gjelbërta më tërheqëse.

“Kjo teknologji po zhvillohet shpejt dhe ne kemi mbështetjen e qeverisë. Kështu që, mendoj se në të ardhmen këto lloje energjie do të zëvendësojnë atë bërthamorne dhe burime të tjera të energjisë së parinovueshme.”

Zoti Kook shton se kur të ndodhë kjo, Koreja e Jugut do të jetë me të vërtetë e pavarur ndaj importeve të energjisë.

Zeri i Amerikes, 03.10.2013