Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Anulimi i koncesioneve, ekspertët mendime të kundërta

Ministria e Energjisë ka anuluar lejet për dhënien me koncesion të 7 hidrocentraleve, që ishin miratuar gjatë ditëve të fundit të qeverisë parardhëse. Burime nga ky institucion bëjnë të ditur për RTV SCAN se, vendimi për pezullimin e koncesioneve ka ardhur për shkak të mungesës së bazës ligjore në dokumentacionin e dorëzuar. Procedurat kanë qenë në fazë zhvillimi dhe vendimi nuk ka lidhje me pasaktësi të hasura nga Agjencia e Prokurimeve Publike.

Eksperti i Ekonomisë dhe ish-këshilltar i Kryeministrit Berisha për çështjen e Financave, Petraq Milo, thotë se, çdo vendim i marrë nga qeveria e mëparshme, deri në ditën e fundit të funksionimit të saj është i vlefshëm. Sipas tij, vendimi i menjëhershëm për anulimin e koncesioneve për ndërtimin e 7 hidrocentraleve tremb investitorët e huaj në këtë sektor dhe do të ketë kosto të tjera shtesë.

Ndërsa eksperti i energjetikës, Gjergj Simaku, thotë se, sektori ka problematika të shumta dhe rregullimi i tij përmirëson klimën e të bërit biznes. Sipas Simakut, ndër lejet e shumta për koncesion që janë dhënë ka parregullsi pasi janë të pakta hidrocentralet që aktualisht janë vënë në punë. Ndërsa, burime nga Agjencia e Prokurimeve Publike, bëjnë të ditur se, janë kthyer për rishikim dokumentacioni i dhënies me koncesion të 10 hidrocentraleve të tjera, lista e të cilave disponohet nga RTV SCAN dhe deri tani nuk është marrë asnjë vendim.

Scan TV, 27.09.2013