Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

TAP: Si do funksionojë procesi i vlerësimit të tokave

Janë rreth 200 ekspertë që projekti Trans Adriatic Pipeline do të angazhojë për të mbledhur të gjithë informacionin e nevojshëm mbi tokat (njëkohësisht edhe pronarët) nga ku do të kalojë gjurma në tri shtetet, Greqi, Shqipëri dhe Itali. Ky informacion do të krijojë një bazë të detajuar të dhënash kadastrale. Në termat teknikë njihet si procesi LEA, mbi të cilin TAP do të bazojë përfitimin e të drejtave të aksesit mbi tokën për korridorin e ndërtimit ku do të shtrihet tubacioni dhe për atë ku do të vendosen instalimet, si stacionet e ndryshme etj. Pas ndërtimit, TAP-i do të kërkojë gjithashtu servitut toke për korridorin e gazsjellësit dhe zonat e sigurisë. Procesi i identifikimit dhe i rregullimit juridik parashikohet që të zgjasë deri në vitin 2014, kohë në të cilën TAP planifikon të hyjë në marrëveshje me pronarët e tokës. Për “Monitor”, drejtuesit e këtij procesi sqarojnë mënyrën sesi do të bëhet vlerësimi i tokës dhe sesi do të trajtohet kjo çështje në të tria shtetet nga ku do të kalojë tubacioni që do të sjellë gaz nga fushat e Shah Deniz për në Europë. Stela Dhami, drejtoresha e përgjithshme e “Collires International” në Shqipëri, thotë se ky projekt do t’i japë zhvillim të jashtëzakonshëm zonave ku do të kalojë, madje që tani mund të ndihet një “erë” zhvillimi. “Dihet fare mirë se projekte të tilla sjellin zhvillim të mëtejshëm të infrastrukturës, gjë që sjell menjëherë edhe zhvillimin e pronave përreth”, thotë znj. Dhami. Për imobiliarët, panorama e zhvillimit të pronave do të jetë edhe më e qartë kur ky proces të ketë përfunduar identifikimin e plotë.

INTERVISTA/ Flet zyra qendore e TAP në Zvicër:

Vlerësim me çmimin e tregut

TAP ka bërë me dije se ka filluar procesin për vlerësimin e tokave nga ku do të kalojë gjurma, ku konsiston ky proces, çfarë afatesh ka?

TAP është i angazhuar që të përmbushë të gjitha standardet ndërkombëtare, në veçanti ato të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), që shërben si një pikë referimi për të gjitha aktivitetet, përfshirë këtu edhe ato mbi çështjet e aksesit të tokës. Në mënyrë më të detajuar mund të themi se LEA do të jetë një proces i unifikuar, i hapur, i ndershëm dhe transparent. TAP do të jetë i angazhuar që të informojë të gjithë pronarët e tokave në lidhje me LEA-n dhe të sigurohet që procesi është kuptuar drejt. Për këtë, TAP ka kontraktuar kompaninë “RoyalHaskoningDHV (RHDHV)” e cila do të organizojë takime informuese me komunitetet gjatë muajit të ardhshëm. Njoftimet për datat dhe vendtakimet do të bëhen publike nga njësitë vendore dhe media lokale. Hapi i parë i së ashtuquajturës skuadër LEA do të jetë që të identifikojë se cilat toka do të preken nga kalimi i tubacionit dhe të gjejë se cilët janë pronarët. Hapi tjetër do të jetë ai i vlerësimit të tokës dhe i njohjes me vlerën kadastrale, informacione që më pas do të analizohen. Ekipet LEA të TAP-it do të takohen me çdo pronar/përdorues të tokës për t’i shpjeguar procesin e kompensimit, ndërsa do të vizitohet çdo sipërfaqe toke që preket nga kalimi i tubacionit dhe do të realizohet një inventar. Për të gjitha asetet apo tokat që janë të mbjella do të mbahet një rekord të dhënash. Ky procesverbal do të nënshkruhet nga pronari i tokës dhe do të shërbejë si baza për llogaritjen e ofertës së kompensimit. Pasi kjo të ketë përfunduar, TAP do t’i paraqesë një ofertë pronarit/ve të tokës dhe do të kërkojnë që përfundimisht të nënshkruhet një kontratë me secilin prej tyre.

TAP do të ndjekë një parim gjithëpërfshirës, atë të shmangies së ndërtesave ekzistuese dhe rivendosjen e njerëzve. Do të blihet tokë e kërkuar mbi një bazë të përhershme për instalime mbitokësore (të tilla si për shembull një stacion kompresori) nga pronarët e saj të tanishëm ose do të merret me qira për një periudhë afatgjatë. Gjithashtu do të nevojitet edhe një sasi toke (në përdorim të përkohshëm) për ndërtime. Këto sipërfaqe do të merren me qira nga pronarët dhe më pas do të dorëzohen përsëri në gjendjen e tyre pas ndërtimit (ashtuquajtur në gjendje të rikthyer). TAP do të kërkojë gjithashtu tokë edhe për të ashtuquajturën “E drejtë kalimi” (korridor 8 metër) dhe për atë të zonës së sigurisë (korridor 40 metër). Në rast se këto toka do të jenë të mbjella, atëherë fermeri do të marrë një kompensim me vlerën e tregut.

Në ato raste kur fatkeqësisht nuk mund të arrihet një marrëveshje (pavarësisht përpjekjeve të shumta), TAP do të shfrytëzojë mundësinë e shpronësimit në përputhje me legjislacionin shqiptar. Pra edhe një herë, shpronësimi do të kryhet vetëm në ato raste kur nuk do të arrihet një marrëveshje.

Komuniteti do të kenë mënyra të ndryshme për të dhënë reagimet, për të bërë pyetje ose për të paraqitur një ankesë. Në të gjitha komunat e prekura do të vendosen kuti ku banorët mund të vendosin komentet e tyre, që do të kontrollohen rregullisht nga kontraktorët e TAP. Përveç kësaj, njerëzit e prekur mund të paraqesin ankesë kur ata mendojnë se janë trajtuar padrejtësisht. Për këtë, TAP ka krijuar një të ashtuquajtur “mekanizëm ankimimi”, – një proces efikas dhe i shpejtë për të marrë ankesat/shprehje e shqetësimit nga njerëzit që jetojnë në afërsi të tubacionit. TAP do të angazhohet për t’iu përgjigjur atyre dhe për të ofruar një zgjidhje përkatëse. Ky mekanizëm do të shpjegohet gjatë akteve publike, ndërsa për më shumë mund të vizitohet www.tap-ag.al/ankesa.

A ka momentalisht TAP një “njollë” të hartës së tokave nga ku do të kalojë tubacioni në territorin e Shqipërisë?

Po, TAP e ka identifikuar rrugën e tij. Ai do të nisë në kufirin mes Greqisë dhe Turqisë dhe do të përshkojë Greqinë, Shqipërinë dhe detin Adriatik dhe më pas në pjesën jugore të bregdetit italian nga ku gazi do të transportohet për në Europën Perëndimore.

Seksioni shqiptar i tubacionit do të fillojë në qendër të Bilishtit, në kufirin shqiptaro-grek dhe do të zgjasë 209 kilometra në veri, në zonën bregdetare të Fierit, ku do të bashkohet me Adriatikun. Seksioni shqiptar në detin Adriatik do të jetë 60 kilometra i gjatë. Çdokush që është i interesuar të njohë rrugën në mënyrë më të detajuar mund të shkarkojë “Vlerësimin e ndikimit mjedisor dhe social” për seksionin shqiptar të TAP nga faqen tonë të internetit: www.tap-ag.al/esia/albania

A ka një faturë financiare, sesa do t’i kushtojë TAP-it i gjithë procesi i blerjes apo shpronësimeve të tokave në territorin shqiptar?

Sipërfaqja e saktë e tokës dhe shpenzimet që do të kërkohen për gazsjellësin në Shqipëri do të konfirmohen pasi ekipet LEA të kenë identifikuar të gjithë pronarët e tokave, të kenë regjistruar të gjitha aktivet e prekura nga projekti dhe të llogaritet kompensimi. Kjo pritet të përfundojë nga mesi i vitit 2014. Ajo që është shumë e rëndësishme që të theksohet është se TAP do të përpiqet të shmangë sa më shumë që të jetë e mundur shpronësimin e tokës. Shpronësimi është absolutisht zgjidhja e fundit, në rast se nuk mund të arrihet një marrëveshje midis TAP dhe një pronari toke. TAP beson fuqimisht te dialogu dhe krijimi i marrëdhënieve afatgjata me komunitetet që do të preken. Do të bëhet gjithçka e mundur për të arritur një marrëveshje të ndershme me pronarët e tokave të prekura. Prandaj, ne nuk flasim për “shpronësimin” e tokës, por për servitut dhe blerjen e saj.

A do të hyjë TAP në negociata të drejtpërdrejta për transaksionet apo kjo do të bëhet vetëm nga agjencia e përzgjedhur?

TAP ka kontraktuar me kompaninë holandeze “Royal HaskoningDHV” (RHDHV) për të gjithë aktivitetet LEA. Kjo është një kompani inxhinierike ndërkombëtare, që ofron shërbime të menaxhimit të projektit dhe konsulencë. Selia e saj gjendet në Holandë. “Royal HaskoningDHV” do të kontaktojë të gjithë pronarët e prekur në muajt e ardhshëm. Ajo do të mobilizojë një ekip prej 200 personash për të kryer aktivitetet LEA në Greqi, Shqipëri dhe Itali.

Me bazën e cilave tarifave do të bëhet blerja e tokës, do të përdorni si çmime referencë ato të tregut shqiptar apo keni një skemë të veçantë?

TAP do të aplikojë një skemë kompensimi për tokën dhe kulturat, e cila do të bazohet në vlerat e tregut.

Formula do të jetë e njëjtë për të gjitha vendet apo do të jetë e veçantë?

TAP do të përmbushë të gjitha kërkesat ligjore kombëtare, në secilin nga të tri vendet ku do të kalojë tubacioni. Ne jemi të angazhuar të zbatojmë të njëjtat standarde dhe parime ndërkombëtare në përputhje edhe me kërkesat ligjoret të çdo vend.

Pas përfundimit të këtij procesi, cili do të jetë hapi i radhës?

Në vitin 2014, TAP planifikon të hyjë në marrëveshje me pronarët e tokave në Shqipëri, për të rregulluar mënyrën e qasjes ndaj tokës. Ndërtimi i rrugëve hyrëse në kantieret e ndërtimit në Shqipëri është planifikuar të fillojë në vitin 2014. Shtrimi i tubacionit do të fillojë në vitin 2015.

Duhet të theksohet fakti se në periudhën 2014-2015, TAP do të fokusohet te procesi LEA në Shqipëri dhe Greqi. Në Itali, ky proces nuk do të fillojë para fundit të vitit 2015.

Çfarë prisni nga shteti shqiptar, cili do të jetë roli i tij në këtë proces?

Në prill të këtij viti, qeveria shqiptare dhe TAP nënshkruan marrëveshjen e vendit pritës (HGA), e cila u ratifikua edhe nga Kuvendi. Ky është një dokument i rëndësishëm për përcaktimin e kuadrit ligjor dhe për realizimin e projektit TAP në territorin e Shqipërisë, pasi në të përshkruhen detyrimet e të dyja palëve. Sipas marrëveshjes, TAP angazhohet për të kontribuar në përmirësimin e jetesës së njerëzve që ndodhen në zonat ku do të kalojë tubacioni.

Sa i përket rolit të qeverisë, TAP është i bindur se do të vazhdojë bashkëpunimi i ngushtë për të marrë mbështetjen e vlefshme dhe për realizimin e projektit në afat.

Transparenca

Aktivitetet LEA të TAP-it do të kryhen në një mënyrë shumë transparente dhe në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare. TAP-i është i përkushtuar për dialog të hapur dhe për të vendosur marrëdhënie besimplota dhe të qëndrueshme me komunitetet, të cilat jetojnë përgjatë gjurmës së ardhshme të gazsjellësit.

Synimi

Synimi është të sigurohet aksesi ndaj tokës, që TAP të ketë mundësi të fillojë ndërtimin e gazsjellësit në afatet e përcaktuara, si dhe të sigurohen personat e ndikuar nga projekti se do të kompensohen në mënyrë të përshtatshme, në përputhje me standardet e BERZH-it.

Mekanizmi

TAP ka krijuar një “mekanizëm ankesash”, një proces ky efikas dhe i shpejtë për të pritur ankesat/shprehjet e shqetësimit nga personat që jetojnë në afërsi të gazsjellësit.

Hapi i radhës

Sfida tjetër për TAP do të jetë nënshkrimi i rezolutës për ndërtimin, e cila është planifikuar që të kryhet një muaj para se konsorciumi i Shah Denizit të japë vendimin përfundimtar për investimin. Kjo pritet të ndodhë brenda këtij viti.

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP)

TAP-i do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Deniz II në Azerbajxhan për në Europë. Gazsjellësi prej rreth 870 km do të ndërlidhet me atë Trans Anatolian (TANAP) në afërsi të kufirit turko-grek dhe do të përshkojë Greqinë dhe Shqipërinë, si dhe Detin Adriatik, duke dalë përsëri në tokë në jug të Italisë. Kursi i përzgjedhur nga TAP-i mund të lehtësojë furnizimin me gaz të disa vendeve të Europës Juglindore, përfshirë Bullgarinë, Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë dhe të tjerë. Dalja e TAP-it në Itali siguron mundësi të mëtejshme për transportimin e gazit natyror nga rajoni Kaspik në disa nga tregjet më të mëdha europiane si Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra dhe Austria.

TAP-i do të promovojë zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës gjatë gjurmës së gazsjellësit, do të jetë një burim madhor i Investimeve të Huaja Direkte dhe nuk varet nga fonde publike. Është planifikuar që TAP-i të jetë gati të transportojë gazin e parë të prodhuar në fushën e gazit natyror të Shah Deniz-it në Azerbajxhan për në Europë në vitin 2019.

Aksionerët e TAP-it janë BP (20%), SOCAR (20%), Statoil (20%), Fluxys (16%), Total (10%), E.ON (9%) dhe Axpo (5%).

Kush është “Royal HaskoningDHV”

Kompania ka një staf prej 7,000 personash, me 100 zyra, në 35 vende të botës. “Royal HaskoningDHV”, me zyra qendrore në Amersfoort (Holandë), është një ofrues shërbimesh të konsulencës ndërkombëtare, inxhinierisë dhe menaxhimit të projekteve, që renditet në krye të kompanive të konsulencës inxhinierike të zotëruara privatisht dhe që nuk janë të listuara në bursë. Ndërkohë që renditet midis 50 kompanive të para duke përfshirë dhe ato të listuara në bursë.

Ne specializohemi në aviacion, ndërtesa, industri, energji dhe miniera, infrastrukturë, marinë dhe rrugë ujore, planifikim dhe strategji, lumenj, delta dhe brigje, transport dhe menaxhim asetesh, si dhe teknologji ujore.

Përfitimi ekonomik

Sipas një studimi të “Oxford Economics” që ka matur ndikimin e këtij investimi në ekonominë shqiptare si gjatë ndërtimit ashtu edhe në fazën operative të tij, bëhet e ditur se ndikimi i drejtpërdrejtë ka gjasa të arrijë kulmin në vitin 2017, kur do të rrisë Prodhimin e Brendshëm Bruto me 57 milionë euro. Parashikohet që të krijohen 4,200 vende pune (me kohë të plotë dhe të pjesshme). Përfitime do të krijohen edhe nga blerjet e brendshme në zinxhirin e furnizimit të firmave që do të punojnë drejtpërdrejt me TAP. Për të njëjtën periudhë, ndikimi jo i drejtpërdrejtë në PBB do të jenë 39 milionë euro, ndërsa do të krijohen 4,400 vende pune (me kohë të plotë dhe të pjesshme). Këto shifra do të arrijnë në 110 milionë euro dhe 3,100 vende pune në vit me përfundimin e plotë të veprës. Nga ana tjetër, punësimi i këtyre njerëzve do të rrisë mirëqenien për zonat ku ata jetojnë. Studimi tregon se gjatë periudhës 2015-2018 do të arrihen të ardhura shtesë për PBB-në në 106 milionë euro dhe do të krijohen 3,900 vende të reja pune (çdo vit). Në këtë mënyrë, studimi tregon se projekti do të gjenerojë përfitime të rëndësishme për ekonominë shqiptare. Megjithatë, ky raport tërheq gjithashtu vëmendjen në lidhje me “efektet anësore” që kanë të bëjnë me ato parametra që janë të pamundura për t’u matur. Ato përfshijnë vlerë e shtuar të lidhur me infrastrukturën rrugore, investimet në njohuritë dhe teknologjitë, efektet tek firmat lokale, iniciativat e ndërmarra nga TAP AG dhe për të rritur përdorimin e gazit natyror, si një burim alternativ energjie.

Revista Monitor, 26.09.2013