Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjiknuri: Standarde të forta për zhvillimin

Shteti do të garantojë standarde më të forta në treg për zhvillimin e sektorëve strategjikë. Rritje e transparencës, bashkëpunim me sektorin privat në hartimin e strategjive të zhvillimit dhe një përfshirje më e gjerë e publikut në këta sektorë. Sipas ministrit të Energjetikës dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, mungesa e këtyre kritereve solli edhe dështimin e privatizimeve të disa ndërmarrjeve me peshë në ekonominë shqiptare.

Dështime, që sollën kosto shtesë si në buxhetin e shtetit, ashtu edhe në imazhin e vendit për tërheqjen e investimeve të huaja. Dhe pikërisht, ministri i referohej dështimit në procedura dhe menaxhim në privatizimet e kompanisë “CEZ Shpërndarje” dhe “Albpetrol”. Këto deklarata, minsitri Gjiknuri i bëri gjatë një konference për zhvillimin e tregjeve kapitale të rajonit. Pjesëmarrës në këtë konferencë ishte edhe presidenti i bursës së Stambollit, që kërkoi një bashkëpunim më të gjerë mes vendeve ballkanike për zhvillimin e ekonomisë dhe krijimin e kushteve të një tregu të përbashkët.

Arnold Dhimitri – TV Scan, 24.09.2013

Turqia gati të ngrejë bursën e Tiranës. Bursa e Stambollit nis diskutimet me palën shqiptare

Bursa e Stambollit, qe zoteron tregun me te madh te kapitalit ne Ballkan, eshte e gatshme te ngreje bursen shqiptare. Presidenti i burses se Stambollit, Ibrahim Turhan, i pranishem ne Shqiperi per Forumin rajonal te tregut te kapitalit, pranon se diskutimet me palen shqiptare kane nisur. 

“Bursa e Stambollit eshte me e zhvilluara dhe me likuidja ne ballkan.Ne zotrojme infrastukturen me te larte, kemi kapacitetin teknik, cdo gje qe nevojitet. Te gjitha keto jemi te gatshem t’i ndajme me vendet e rajonit dhe me se miri me shqiperine. Ne jemi ketu per te lidhur tregjet e kapitalit me vendet e rajonit. Kemi derguar ekspert per te asistuar shqiperine per te bere funksional tregun e kapitaleve”, u shpreh Turhan.

Por a eshte ne gjendje sistemi financiar shqiptar dhe a jane te gateshme kompanite tona te operojne ne burse?

“Shqiperia jo vetem qe ka mundesine per te pasur nje treg kapitali por prej kohesh duhet ta kishte ate.Nuk duhet te medohet te rrisesh ekonomine dhe te zhvillosh biznesin vetem nepermejt tregut bankar.Shqiperia eshte pjese e nje tregu nderkombetar,duke pasur nje burse atehere eshte ne gjendje te terheq me shume investitor te huaj pasi ata mund te investojne ne forme direkte kapitlate ne tregun shqiptar”, vlerësoi ai.

Disa kompani mund te hynin menjehere ne burse.

“Sitemi bankar, Telekomunikacioni, Sektori energejtik dhe ai minerar, tregu i siguracioneve etj, jane gati te hyjne ne tregun e kapitalit. Pervec ketyre, mund te hyjne dhe shume kompani nderkombetare ne kete treg.Ka dhe shume kompani turke ketu qe duan te hyjne. Ne kemi krijuar tregje kapitali dhe per kompanite e vogla dhe te mesme, kompani te tilla ka dhe ne shqiperi. Jemi te gatshem ti ndajme ato dhe me kompani shqipatre. Ne gjithmon kemi qene miq dhe partner te mire”, deklaroi Turhan.

Bursa e Tiranes eshte ngritur prej vitit 2002. Por deri me sot, ajo nuk e ka ushtruar funskionin e saj, pasi asnje kompani nuk eshte e listuar ne te.

TV Klan, 24.09.2013

Fjala e plotë e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri në Forumin Ndërkombëtar “Tregu i kapitaleve në Shqipëri & Rajon dhe Modelet e Zhvillimit”

Kam kënaqësinë dhe unë t’i drejtohem këtij forumi të nderuar. Është shumë e rëndësishme që mblidhni bashkë biznesin dhe përfaqësues të shtetit, sepse në fund të fundit, shteti dhe biznesi duhet të ecin dorë për dore. Kjo nuk është shprehja ime, këtë e ka thënë Tony Blair, jo se është konsulenti i qeverisë “Rama”, por realisht ka thënë një fjalë të mençur përsa i përket mënyrës se si duhet të funksionojë shteti dhe biznesi.

Shteti dhe biznesi janë si ato dy hemisferat e të njëjtit trup dhe duhet që të harmonizojnë interesat e publikut me interesat ekonomike. Pa marrë parasysh interesat e publikut në shumë sektorë strategjikë, shteti nuk do të jetë në krah të biznesit. Apo anasjellas, kur shteti nuk krijon mundësinë që të përfshijë biznesin në të gjithë projektet e rëndësishme, duke u kthyer në një organizëm rentier, siç shpesh ndodh fatkeqësisht në ekonomi që mbulohen nga korrupsioni apo nga inefiçensa, atëherë kjo ka ndikim të drejtëpërdrejtë në atë që quhet dështim ekonomik. Fatkeqësisht, ne në Shqipëri kemi qenë shumë afër dhe kësaj.

Shteti nuk ka qenë dorë për dore me biznesin, pasi shpesh shteti është kthyer në një rentier. Unë jam përfaqësues i një portofoli të rëndësishëm, portofol që ka shumë sektorë strategjikë brenda, dhe që realisht janë platforma nga ku mund të zhvillohet Shqipëria në të ardhmen. Janë burimet natyrore, por njëkohësisht është edhe një nga barrat më të mëdha të këtij sektori që është sektori energjetik. Nuk kemi pse ta fshehim, pavarësisht nga pikëpamjet e ndryshme që mund të ketë secili, problemi i sektorit energjetik nuk është vetëm mungesa e burimeve të energjisë. Problemi më i madh është financiar, dhe ky problem ka ardhur nga mungesa e një vizioni, dhe e kujdesit të duhur nga ana e shtetit për të imponuar ato standarde që normalisht duhet t’ua impononte operatorëve në treg. Këtu, e kam fjalën edhe për privatizimin e dështuar në sektorin e shpërndarjes së energjisë, i cili realisht e ka futur të gjithë sektorin në një krizë të rëndë financiare. Normalisht, njerëzit kanë të drejtë, shteti duhet të promovojë partneritetin publik-privat. Kjo është e vetmja formë! Shteti duhet të nxisë privatizimet, por privatizimet jo si qëllim në vetvete me parimin ‘unë heq dorë nga prona publike, fus ca para në buxhet dhe nuk kujdesem më se çfarë ndodh’.

Kur themi ekonomi në sektor strategjik, duhet të marrim parasysh dhe ato objektiva social-ekonomike që i duhen vendit për të ardhmen dhe pikërisht kjo hallkë ka munguar. Ky dimension ka munguar dhe ky s’duhet të mungojë më. Unë si përfaqësues i kësaj qeverie, jam i bindur se qeveria shqiptare e ka një nga çështjet themelore në programin e saj ruajtjen e dimensionit publik në çdo partneritet public-privat.

Kjo nuk është për të trembur asnjë biznesmen, kjo është për të harmonizuar pikërisht ato interesa që thamë; që shteti dhe biznesi duhet të ecin dorë për dore.

Kjo ndodh dhe në sektorin e naftës, ku publiku ka të drejtë të pyesë, si ka mundësi që pasuritë e mëdha të Shqipërisë nuk sjellin ose sjellin shumë pak para në portofolin e publikut?! Çfarë po ndodh me të? A është ky interesi i shtetit, që vetëm të nxisë disa eksplorues dhe shfrytëzues të naftës shqiptare, pa pasur dhe detyrime për mbrojtjen e interesit të publikut? Jo, kjo nuk duhet të jetë, kjo nuk i intereson mbi të gjitha vet sektorit të naftës.

Ashtu siç është dhe sektori minerar, i cili prap është një nga platformat, një nga mundësitë e mëdha të zhvillimit të eksportit të këtij vendi. A është shteti, ai që duhet të mbyllë sytë përpara shfrytëzimit jo të duhur, përpara neglizhimit të çdo kushti teknik, përpara shmangies së çdo detyrimi ndaj publikut në këtë sektor?! Dhe pikërisht, vet sektorit kjo nuk i intereson. Ato që janë shoqëri serioze, e dinë se po ka një recetë të vlefshme për zhvillimin ekonomik, ndaj shumë recetave apo teorive të ndryshme ekonomike, meqënëse po flasim për modele ekonomike, për mua ka një që është e pakundërshtueshme; kur një sistem është gjithëpërfshirës dhe funksionon sipas rregullave! Kjo është receta më e mire. Shteti ligjor është receta më e mirë për zhvillimin ekonomik, çdo gjë tjetër është e rëndësishme, por pa shtet ligjor kjo është e pamundur. Këtu fillon një nga rregullat që shteti duhet të bëjë, se si operatorët e ndryshëm privat do të hyjnë në treg, transparenca.

Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka një barrë shumë të rëndë, edhe në këtë aspekt. Fatkeqësisht ka pasur namin e një ministrie të mungesës së transparences, kjo nuk duhet të ndodh më! Fatkeqësisht, në Shqipëri nuk gjen cilat janë koncensionet e dhëna, cilat janë afatet, cilët nuk janë duke performuar, cilët kanë shkelur afatet e kontratave? Për këto gjëra nuk mund të rrihet indiferent.

Shteti, patjetër duhet të marrë masa që të mbrojë interesin publik, por njëkohësisht t’i krijojë mundësi atyre operatorëve seriozë që duan të hyjnë në këtë treg për t’i pasur këto të dhëna. Ndryshe, gjithçka do të jetë e errët dhe asgjë e mirë nuk do të ndodhë edhe për publikun, por edhe për zhvillimin ekonomik të vendit.

Realisht këto janë disa nga sfidat. Sfida ka, oportunitete ka. Vërtetë sektori mund të jetë në gjendje të vështirë, por oportunitetet janë aty, Shqipëria ka burime natyrore, Shqipëria ka mundësi, ka një pozicion të mirë strategjik.

Fatmirësisht, jemi të përfshirë edhe në projekte të mëdha ndërkombëtare, siç është gazsjellësi TAP, por edhe ne duhet të shfrytëzojmë maksimumin e tij. Ne nuk duhet të jemi thjesht vëzhgues të një tubi që është shumë i rëndësishëm për transportimin e gazit në Europë, dhe të lëmë pa zhvilluar sektorin e gazit në Shqipëri. Ky është një oportunitet edhe për biznesin shqiptar, dhe për çdo investitor të huaj për të hyrë në këtë treg. Mundësia është aty. Kjo, jo vetëm do të krijojë një burim të ri të energjisë, një diversifikim të burimit energjetik, por do të sjellë sistemin në parametra më të pranueshëm në ekonomi, do të jetë një ndihmë e madhe për shumë aktivitete prodhuese në vend.

Le mos ta humbim këtë oportunitet. Kjo, në fakt është thirrje jo vetëm për ju, kjo është thirrje dhe për autoritetet publike, për të bërë gjithçka që në momentin që gazsjellësi të kalojë në Shqipëri, të jenë dhe operatorët aktiv në tregun shqiptar që të mund ta shfrytëzojnë këtë gaz. Marrëveshjet janë aty, angazhimet janë aty, garancia që Shqipëria do të marrë gaz është aty. Është shumë e rëndësishme që operatorët të përfshihen në shpërndarjen e këtij produkti, dhe për t’i ardhur në ndihmë industrive të ndryshme shqiptare. Ashtu siç kemi folur shumë për koncensionet në fushën energjetike, patjetër që edhe kjo ka qenë një oportunitet për shumë biznese shqiptare, por fatkeqësisht kjo gjë ka kaluar një situatë kaosi.

Jeni vet dëshmitarë që është krijuar një treg i zi i atyre licencave. Njerëz që kanë marrë letra dhe që fatkeqësisht nuk kanë gjetur investime. A është kjo e ardhmja? A është rruga thjesht dhënia e licencave pa një strategji të caktuar se çfarë do të bëhet në këtë treg? Pa ditur se sa e përballon konsumatori shqiptar një pjesë të këtyre tarifave? Se çfarë perspektive ka për shfrytëzimin e kësaj energjie?

A duhet Shqipëria të lidhet me rrjetet europiane? Po. E tha mirë z. Buxhuku:- E ardhmja është integrimi me rrjetet europiane të energjisë. Dhe, këtu në fakt po i bëj dhe një lloj përgëzimi edhe për idenë e përfshirjes së burses, apo do ta thoja më gjerë të përfshirjes së publikut shqiptar më gjerë në ekonominë shqiptare në sektor strategjik, që të fillojnë ta ndiejnë që është e tyreja.

Në qoftë se shumë kompani shqiptare, por edhe individë shqiptar do të kenë mundësi të bëhen pjesë e projekteve të mëdha strategjike, do fillojnë t’i konsiderojnë ato si mallin e tyre, edhe energjinë si mallin e tyre, jo thjesht si një utilitet që shteti ka detyrë për t’ia dhënë. Ashtu siç edhe projektet e tjera strategjike, le ta krijojnë këtë mundësi. Unë them se nxitja e kësaj gjëje, dhe më vjen mirë për organizatën e cila e ka marrë përsipër nismën, ta mbajë në një farë mënyre dhe të informojë publikun, por njëkohësisht edhe autoritet publike se sa e rëndësishme është pjesëmarrja e publikut të gjerë në ato investime strategjike. Na interesojnë investitorë serioz, por njëkohësisht na intereson edhe pjesëmarrja e gjerë e publikut në projekte të mëdha, pasi populli shqiptar për këto pasuri që ka duhet të ndiejë benefitin e tyre.

Unë si minister, marr angazhimin tim që të mbaj një komunikim të hapur me biznesin, të siguroj transparencën më të madhe dhe të nxisim të gjithë ata operatorë seriozë që duan të investojnë në Shqipëri, që Shqipëria të jetë me të vërtetë një vend ku të funksionojë ajo aksiomë që unë e thashë që në fillim dhe që është shumë e domosdoshme: Shteti dhe biznesi të ecin dorë për dore!

energjia.al, 24.09.2013