Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

MEI sqaron artikullin e energjia.al per furnizimin me gaz natyror nga Shah Deniz 2

Ministria e Energjise dhe Industrise reagon mbas artikullit te sotem te energjia.al me titull “Shah Deniz, 80% e gazit ne Itali dhe nga 10% ne Greqi dhe Bullgari; po Shqiperia?!”. Ministria sqaron se:

Aktiviteti i datës 19 shtator 2013 ne Baku, Azerbajxhan sikurse është njoftuar prej Konsorciumit të Shah Deniz 2, kishte te bente me nenshkrimin e kontratave 25-vjecare te shitjes se 10 miliard m3 gaz natyror ne vit, qe do te prodhohet nga ky vendburim, me kompanitë fituese te gares per blerjen e sasive te gazit qe do te prodhohen prej Fazes 2 te vendburimit Shah Deniz dhe qe do te tregetohen ne tregun europian.

Sikurse dihet bleresit qe nenshkruan marreveshjet jane: Bulgargaz EAD; DEPA Public Gas Corporation of Greece S.A.; AXPO Trading AG; Enel Trade SpA; E.ON Global Commodities SE; Gas Natural Aprovisionamientos SDG SA; GDF SUEZ S.A.; Hera Trading srl.; si dhe Shell Energy Europe Limited.

Në lidhje me artikullin e publikuar në portalin www.energjia.al ku thuhet se: “Ajo qe (nuk) kuptohet nga deklarata per shtyp, eshte fakti qe Shqiperia nuk eshte ne planet e furnizimit me gaz natyror nga Shah Deniz 2, megjithese eshte pjese e projektit TAP”, sqarojmë se:

Sigurisht që projekti i Gazsjellësit Trans Adriatik (projekti TAP), i cili kalon edhe nëpër territorin shqiptar (tokë dhe det), drejt Italisë, është një projekt me interesa strategjike për Shqipërinë, por vëmë në dukje se Shqipëria (ose ndonjë kompani shqiptare), nuk janë pjesë e projektit TAP, në kuptimin e të qënurit aksionerë në këtë projekt.

Gjithashtu vëmë në dukje se Shqipëria, por edhe asnjë kompani shqiptare, nuk paraqiti aplikim (kërkesë) për blerje gazi prej vendburimit Shah Deniz Faza 2 dhe për rrjedhojë nuk mund të pritej arritja e ndonjë kontrate afatgjatë direkte për furnizimin e Shqipërisë me gaz nga Faza 2 e projektit Shah Deniz.

Ndërkohë Shqipëria (Qeveria Shqiptare) ka nënshkruar marrëveshje paraprake për furnizim me gaz nga dy kompani aksionere të kompanisë TAP AG: kompania zviceriane Axpo Trading AG si dhe kompania gjermane E.ON Global Commodities SE, të cilat janë ndër kompanitë që kanë nënshkruar kontrata afatgjatë për blerje gazi nga Faza 2 e vendburimit Shah Deniz. Sasitë e gazit të parashikuara në këto marrëveshje janë plotësisht të mjaftueshme për të plotësuar kërkesat e konsumatorëve shqiptarë për një periudhë afatshkurtër deri afatmesme.

Një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm, i cili shpreh jo vetëm mundësinë por edhe sigurinë për marrjen e gazit nga konsumatorët potencialë shqiptarë nëpërmjet gazsjellësit TAP, janë edhe angazhimet që kompania TAP AG ka marrë në kuadër të “Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave, dhe Trans Adriatik Pipeline AG, në lidhje me projektin e gazsjellësit Trans Adriatik (projekti TAP)”, marrëveshje e ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë me ligjin nr. 116/2013, miratuar në datën 15.04.2013.

Konkretisht në këtë marrëveshje, në Aneksin 1 të saj, përcaktohet detyrimi se Investitori i Projektit (kompania TAP AG): “do të projektojë, do të prokurojë dhe do të ndërtojë pajisjet për reduktimin e presionit dhe pajisjet matëse në një pikë të vetme dalëse të pranuar (pika fillestare dalëse shqiptare) për kërkesën e parë sipas skenarit për kapacitetin e rezervimit të referuar në Kushtin TG (c) (ii), këtu më poshtë, nga Sistemi i Gazsjellësit në rrjetin shqiptar të shpërndarjes së gazit dhe/ose linjat direkte të lidhjes…), me kusht që në asnjë rast kapaciteti minimal për Pikë Fillestare Dalëse Shqiptare të mos bjerë nën 0,3 BCM në vit.”

Ndërkohë që për projektin TAP është parashikuar edhe mundësia e lëvizjes së gazit në drejtimin e kundërt, domethënë nga Italia drejt Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit, ç’ka përbën nje mundësi reale per furnizimin me gaz të tregut Shqiptar ne cdo kohe dhe me çmimet konkurruese te burses se gazit ne Itali. Tarifat e transmetimit ne drejtimin Itali-Shqiperi jane vetem 5% e tarifave ne drejtimin Shqiperi-Itali duke krijuar kështu mundësitë e përafrimit real te çmimeve. Kjo mundësi është parashikuar edhe në Marrëveshjen që ka lidhur qeveria Shqiptare me kompaninë TAP AG dhe po ashtu edhe në Vendimin e Përjashtimit nga e Drejta e Aksesit te Palëve te Treta e miratuar se bashku prej Enteve Rregullatore të Energjisë të Italisë, Shqipërisë dhe Greqisë dhe e miratuar prej Komisionit Europian dhe Komuniteti i Energjise.

Sigurisht që angazhimet e kompanisë TAP AG, si dhe të aksionerëve të saj Axpo Trading AG dhe E.ON Rhurgas AG, respektivisht për ndërtimin në tubacionin TAP të Pikës Dalëse Shqiptare, si dhe për furnizimin e tregut shqiptar me sasitë e gazit të rëna dakord, kërkojnë si parakusht ekzistencën e “një rrjet vendas shpërndarjeje te gazit në Shqipëri dhe/ose linja direkte lidhjeje”, për furnizimin dhe shpërndarjen e kësaj sasie gazi tek konsumatorët shqiptarë si dhe ekzistencën e palëve te besueshme te gatshme te hyjnë ne kontrata afatgjata duke plotësuar garancitë përkatëse.

Referuar sa më sipër, është e qartë dhe konkrete që tregu shqiptar i gazit, i cili do të duhet që të ngrihet gjatë kësaj periudhe, do të ketë të gjitha mundësitë për furnizim me gaz duke shfrytëzuar projektin e gazsjellësit TAP.

energjia.al, 23.09.2013