Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Sërish borde politike

Qeveria e Kosovës e ka propozuar Berat Rukiqin për kryesues të bordit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). Ndërkaq, për anëtarë i ka propozuar Haki Mjekun, Enver Mulin, Ranko Makiq, Burim Lecin, si dhe Pranvera Dobruna-Kryeziu.

Rukiqi, aktualisht është sekretar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), si dhe asistent në Universitet i ministrit të Financave Besim Beqaj. I kontaktuar nga gazeta, vetë Rukiqi nuk dëshiron të identifikohet si njeri i afërt me partinë në pushtet PDK-në, edhe pse të tjerët e vlerësojnë si të tillë. “Nuk i takoj as partisë në pushtet e as një partie tjetër. Përzgjedhja ime vlerësoj se vjen si vlerësim i profesionalizmit tim dhe pastaj punës disa vjeçare në Odën Ekonomike të Kosovës”, tha Rukiqi i cili shtoi se si udhëheqës i bordit të ri të KEK-ut do të bëjë çmos për të drejtuar këtë ndërmarrje drejt zhvillimit, për çka edhe ka qenë motivi pse ka konkurruar.

Por, ndryshe mendon opozita. Dardan Sejdiu nga Vetëvendosje, thotë për ‘Zëri’ se Rukiqi mund të thotë se ka përfaqësuar bizneset, por ai mbetet njeri i afërt me ministrin Beqaj, dhe përzgjedhja e tij nuk ka të bëjë me profesionalizimin apo personalitetin, por vjen në sajë të përzgjedhjes së njerëzve në pushtet si një njeri i dëgjueshëm. “Këtu kemi të bëjmë me nevojën e pushtetit për me pas njerëz të afërt dhe të dëgjueshëm në krye të bordeve të ndërmarrjeve publike. Ata kërkojnë dhe zgjedhin njerëz adekuat, që kryejnë nevojat e qëllimet e kryeministrit Thaçi, i cili e ka për qëllim të mbajë nën kontroll agjensionet e ndërmarrjet e pavarura të Kosovës”, tha Sejdiu.

Edhe Teuta Sahatqija, nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) thotë se Qeveria ka emëruar njerëz të afërt me ministra e strukturat partiake e qeveritare në krye të bordit të KEK-ut, i cili pos që ka emrin si ndërmarrje e pavarur, ajo vetëm e pavarur nuk është. “Jo vetëm KEK, por edhe ndërmarrjet tjera, agjencitë vetëm emrin e kanë të pavarura, kurse në fakt nuk kanë asgjë të pavarur. Aty vendosen njerëz që në mënyrë përfekte janë të varur nga strukturat e qeverisë së Thaçit të cilët punojnë në emër të pavarësisë e realisht e shkatërrojnë atë pavarësi”, tha Sahatqija.

Muhamet Sadiku tërhiqet nga gara

Qeveria ka lënë bordin e KEK-ut me mandat të përfunduar që dy vite, derisa të mërkurën (dje) për kryesues ka propozuar Berat Rukiqin, ndërsa anëtarë: Haki Mjeku, Enver Muli, Ranko Makiq, Burim Leci, dhe Pranvera Dobruna-Kryeziu.

Pos KEK-ut, është edhe bordi i Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), po ashtu me mandat të përfunduar që dy vite, që këto ditë pret emërimet e reja.

Fitim Krasniqi, sekretar në zyrën e kryeministrit të Kosovës, ka bërë të ditur se edhe për bord të ri të PTK-së shpejt do të dorëzohen rekomandimet në Qeveri.

“Besoj se në një nga mbledhjet e radhës së Qeverisë do të merren vendimet për emërimet e tyre”, është shprehur Krasniqi. Sipas burimeve të ‘Zërit’, për bord të ri në PTK, përveç kryetarit të deritanishëm të bordit Rexhë Gjonbalaj i cili nuk ka konkurruar, anëtarët tjerë kanë kandiduar përsëri, si Nuhi Ahmeti, Sahit Surdulli, Qami Buzhala.

Por ka edhe prej të tjerëve jashtë PTK-së që kanë konkurruar, por kur kanë parë se nuk mund të emërohesh pa qenë i afërt me qeverinë, janë tërhequr nga gara.

Një gjë të tillë e ka bërë ekonomisti Muhamet Sadiku.

“Për bord në PTK kam konkurruar para një viti e gjysmë, por më pas jam tërhequr vet. E kam parë se në Kosovë është e pamundur me konkurruar dhe me pas përzgjedhje të drejtë pa qenë në marrëveshje me njerëz të politikës, njerëz të Qeverisë”, tha Sadiku për ‘Zëri’.

Sipas tij, bordet e ndërmarrjeve publike nuk janë të ndërtuara me profesionistë, me ekspertë, por ato shkojnë përmes koalicionit qeverisës, për interesa të tyre të cilat në vend të zhvillimit të tyre përkundrazi shkatërrojnë ato.

Sadiku thotë edhe se arsyeja pse deri më tani kanë lënë këto borde pa mandat, është se kanë pritur fundin e mandatit të Qeverisë, që të i përzgjedhin njerëzit në fund, në mënyrë që edhe nëse i humbin zgjedhjet, njerëzit e tyre do të jenë në krye të këtyre ndërmarrjeve dhe për 4 vitet e tjera.

Gazeta Zeri, 20.09.2013