Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Deda: Pacolli e Kusari më thanë se paratë e KEK-ut i morën qeveritarët

Ish-këshilltari i presidentes aktuale, Atifete Jahjaga, Ilir Deda, në rrëfimin prej një insajderi në Rubikon të KTV-së, ka rrëfyer detaje të padëgjuara ndonjëherë në media. Ai ka bërë të ditur se aksioni i 25 korrikut ishte bërë pa dijeninë e presidentes së vendit. Sipas tij, ndarjen e Kosovës e kanë penguar kancelarja gjermane, Angela Merkel, por edhe Ali Ahmeti. Deda ka thënë se idenë e ndarjes kryeministri aktual Hashim Thaçi në 2002-ën e kishte diskutuar me ish-kryeministrin serb, Zoran Gjingjiq.

Ilir Deda, që gjatë 15 vjetëve është i përfshirë në zhvillimet politike, në cilësinë e njeriut që i ka parë zhvillimet nga brenda, ka rrëfyer detaje, gjatë rrugëtimit të tij politik në institucionet e Kosovës.
Ai në emisionin Rubikon të KTV-së ka rrëfyer se si presidentja Atifete Jahjaga nuk kishte qenë e informuar për aksionin e 25 korrikut në veri, të ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës. Ndërkaq ka bërë të ditur se në vitin 2002, kryeministri aktual i Kosovës, Hashim Thaçi, në një takim me ish-kryeministrin e Serbisë, Zoran Gjingjiq, ishte shprehur i gatshëm për një rivizatim të kufijve.
Deda ka thënë së ndarjen e Kosovës ndër vite e ka ndaluar kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila ka deklaruar se trupat gjermane janë në veri dhe nuk lejojnë ndarjen, por edhe kryetari aktual i BDI-së në Maqedoni, Ali Ahmeti, i cili është angazhuar kundër kësaj.
Ai e ka akuzuar kryeministrin Thaçi, për të cilin ka thënë se deri tani interesi i vetëm i tij ka qenë mbetja në pushtet, ndërkaq tani ai të vetmin interes që ka është të mos ndiqet penalisht.
Kurse marrëveshjen e 19 prillit e ka quajtur më të keqe se atë të Dejtonit.
Drejtori i KIPRED-it ka folur edhe për një sërë çështjesh të tjera, siç është privatizimi i KEK-ut, paratë e të cilit thotë se i kanë marrë njerëzit në pushtet. Për këtë ka thënë se ka marrë edhe konfirmimin nga njerëz brenda Qeverisë, siç janë Mimoza Kusari-Lila dhe Behgjet Pacolli.

Gazeta Koha Ditore, 12.09.2013