Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Shoqatat mjedisore i thonë BERZH-it në Beograd: Qymyri Vret!

Ndërkohë që BERZH-i mban sot në Beograd një konsultim publik mbi strategjinë e re të kreditimit të energjisë, shoqata mjedisore (SEE Change Net, CEE Bankwatch, Cekor, Fractal dhe 350.org) kanë paralajmëruar bankën të ndërpresë financimin e qymyrit, i cili së fundmi është treguar se shkakton 23,000 vdekje në vit në gjithë Europën, përpos të qënit një kontribues i rëndësishëm në ndryshimet e rrezikshme klimatike. Pavarësisht kësaj, BERZH-i midis vitit 2006 dhe 2011 dha kredi më shumë se 675 milion euro për projekte qymyri në të gjithë rajonin që mbulon. 

Banka Botërore dhe Banka Europiane e Investimit (BEI) kanë marrë masa së fundmi për të hequr qymyrin nga politikat e tyre të kreditimit për energjinë, por draft-politika e re e BERZH-it tregon se banka ka në plan të vazhdojë financimin e qymyrit dhe të burimeve të tjera fosile. .

“Tani që BEI pothuajse nuk do të financojë më qymyrin, rradhën e ka BERZH-i, dhe konsultimet publike që po mbahen në Beograd në 4 shtator janë një mundësi për të rishikuar strategjinë e tij të kreditimit në mënyrë që të njohë dhe nevojat e shoqërisë dhe të mjedisit”, deklaron Pippa Gallop, koordinatore kërkimi në Rrjetin Vëzhgues të Bankave (CEE Bankwatch Network).

Megjithëse Kroacia hyri në BE këtë vit, kurse vendet e tjera aspirojnë gjithashtu të futen në BE, një raport i disa OJF-ve, “Investimi me nxitim, pendimi me nge” i publikuar në qershor tregon se vendet e Ballkanit Perëndimor janë duke shkuar në drejtim të kundërt me objektivat e BE-së për vitin 2050 për ndryshimet klimatike. Ndryshimi i drejtimit do të kushtojë shumë kur legjislacioni i BE-së do të bëhet i detyrueshëm edhe në këto vende.
“Për sa i përket investimeve në energji, BERZH-i, i cili është kreditori më i madh publik në sektorin energjitik në Ballkanin Perëndimor midis 2006-2012, po njihet si ‘banka e keqe’. Kjo sepse pothuaj gjysma e totalit prej 1.09 miliard eurove janë dhënë për burimet fosile. Për më tepër, BERZH-i aktualisht po planifikon mbështetjen e dy termocentraleve të reja në rajon, përfshirë Kolubara B në Serbi”, shpjegon Garret Tankosic-Kelly, drejtori i OJF-së rajonale “SEE Change Net”. Investimet e BERZH-it për energjinë në Ballkanin Perëndimor nuk tregojnë ndonjë përpjekje për shtimin e mbështetjes për efiçencën e energjisë dhe energjitë e rinovueshme.

Vetëm në Serbi kostot sociale dhe shëndetësore nga përdorimi i qymyrit llogariten të jenë çdo vit 4.99 miliard euro, sipas Aleancës për Shëndetin dhe Mjedisin, OJF lidere europiane e cila studion efektin e mjedisit në shëndet në BE. Sipas të njëjtës OJF, çdo vit në Serbi ka 2100 vdekje të shkaktuara nga qymyri. “Serbia mori 80 milion euro nga BERZH-i për qymyrin në periudhën 2006-2012, por vetëm 4.9 milion euro për energjitë e rinovueshme jo-HEC. Megjithë dëmeve në shëndet nga linjiti, nevojës së Serbisë për tu harmonizuar me politikat klimatike dhe të ç’karbonizimit të BE-së dhe potencialit të madh të vendit për kursimin e energjisë, BERZH-i duket i vendosur për të financuar termocentralin me linjit, Kolubara B”, thotë Zvezdan Kalmar, përfaqësues i OJF-së CEKOR.

Shoqatat mjedisore u kanë shpërndarë sot përfaqësuesve të BERZH-it një peticion të inicuar nga “350.org”. Peticioni “BERZH, mos investo në burimet fosile” është nënshkruar nga 16750 persona në gjithë botën, dhe i kërkon BERZH-it të ndërpresë mbështetjen për burimet e pista fosile, të cilat po sjellin ndryshime klimatike të rrezikshme. Sikurse tregon raporti i vitit 2012, “Vëzhguesi i Karbonit”, nëse duam që temperaturat të mos rriten me më shumë se 2oC, duhet që 80% e rezervave të burimeve fosile të mbeten nën tokë.

“Vitin e kaluar sektori financiar filloi të kuptojë se investimet në bizneset e burimeve fosile janë me risk dhe se me pasojat e ndryshimeve klimatike që po ndjehen nga njerëzit në gjithë botën, aksioni nuk pret. Veprimet pro burimeve fosile janë veprime kundër një të ardhmeje të jetueshme,’ këmbngul aktivisti i 350.0rg, Tom Ratcliffe.

BERZH-i duhet të përmirësojë draft-strategjinë e energjisë me qëllim që të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve dhe të ndalojë pasojat e tmerrshme të qymyrit dhe të ndryshimeve klimatike në këtë rajon. Presim që BERZH të tregojë përkushtim të sinqertë për parandalimin e vdekjeve nga qymyri dhe për një të ardhme më të pastër dhe më të shëndetshme.

EKO Levizja, 04.09.2013