Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Saraçini pret investitorët e hidrocentraleve të vogla

Ministri maqedonas i Ekonomisë Valon Saraçini, në kuadër të projektit “Hapur me biznesin” zhvilloi dje një takim me përfaqësues të kompanive që investojnë në ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël. Gjatë takimit u diskutuan për të gjitha përfitimet dhe çështjet e hapura që kanë investitorët, ndërsa në takim i ftuar i Ministrit Saraçini ishte Ministri i mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor Abdulaqim Ademi.

Në periudhën mes viteve 2009-2012, Ministria e Ekonomisë në bazë të pesë procedurave të kryera ka nënshkruar gjithsej 70 kontrata koncesionare për shfrytëzimin e ujit për prodhimin e energjisë elektrike nga hidrocentralet e vogla, nga të cilat 16 hidrocentrale të vegjël janë ndërtuar me kapacitet të instaluar prej 11 MW, ndërsa investimi total është 20 milion euro, dhe janë përshirë lokacione në shumë komuna në vend, siç janë Likova, Tearca, Struga, Resnja, Çuçer Sandevë, Mavrovë-Rostushë, Ohër etj.

“Në fazë të ndërtimit janë 14 hidrocentrale të vegjël me një kapacitet total të instaluar prej 16 MW, ndërsa investimi që presim të realizohet arrin shumën mes 25-30 milionë euro. Një pjesë e tyre do të kompletohen deri në fund të këtij viti, dhe tjetra në gjysmën e parë të vitit 2014-të, ndërsa procedurat për lokacionet ku do të ndërtohen 36 hidrocentralet e vogla, janë në fazë përfundimtare, atë të sigurimit të dokumenteve të nevojshme për të filluar ndërtimin. Shifrat tregojnë se bëhet fjalë për një investim serioz, të realizuar brenda dy viteve, me kapital të huaj dhe vendas, me ç’ rast të gjitha institucionet e përfshira ofrojnë mbështetjen maksimale gjatë realizimit”, tha Ministri Saraçini.

Sipas ministrit Saraqini ndihma më te madhe nga ana e Ministrisë së Ekonomisë në procedurat për sigurimin e dokumenteve të kërkuara, ka rezultuar nga komunikimi i vazhdueshëm me institucionet që lëshojnë leje apo licenca në mënyrë që të përshpejtojë procedurat, me çka përshpejtohet edhe ndërtimi i hidrocentraleve të vogla, me ç’rast me disa nga koncesionarët që kishin çështje të hapura me komunat dhe institucionet në sajë të këmbënguljes së Ministrisë së Ekonomisë ato janë tejkaluar, kështu që disa prej hidrocentraleve të vogla në këto komuna janë ndërtuar, dhe disa janë në ndërtim e sipër.

Ministri Ademi tha se kjo praktikë në masë të madhe kontribuon në shkëmbimin e përvojave për fusha të caktuara, dhe njëkohësisht informoi rreth bashkëpunim që ka filluar me Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC), e cila do të rezultojë me përgatitjen e dokumentacionit të tenderit dhe modelin e kontratës, si dhe me web-portalin, ku do të publikohen të gjitha informacionet e nevojshme për hidrocentralet e vogla.

“Deri në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit do të publikohet edhe tender i ri me lokacione të reja, nga të cilat 80 veç më janë gatshme për t’u ofruar për të interesuarit”, informoi ministri Ademi, duke shtuar se takime të tilla janë të dobishme për të gjithë, edhe për koncesionerët, por edhe për institucionet shtetërore, të cilat duhet të jenë të informuar me përvojat në terren, në mënyrë që të mund ti tejkalojnë të gjitha barrierat.

Përfaqësuesi i kompanisë ‘Hidroelektranat e vogla’ sh.p.k Shkup, informoi se kompania e tyre ka nënshkruar 7 marrëveshje koncesionare për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla dhe se ata janë të parët që kanë ndërtuar hidrocetral nëpërmjet koncesionit. Ai gjithashtu përshëndeti iniciativën e Ministrit të Ekonomisë për të nisur projektin “Hapur me biznesin”, sepse siç u shpreh kështu do të arrihet zbatimi më i shpejtë i projekteve në të ardhshme, edhe pse edhe deri tani institucionet shtetërore kanë mbështetur ata me të gjitha kapacitetet që posedojnë.

energjia.al, 03.09.2013