Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Energjia, privatët dominuan në 6 mujorin e 2020, prodhuan 52% të totalit

Pavarësisht se 2020-a nuk po konsiderohet si një vit i mirë hidrik dhe përtej problematikave që mund të ketë sjellë pandemia kompanitë private të prodhimit të energjisë ia kanë dalë të prodhojnë më shumë energji sesa kompania publike.

Për herë të parë prodhimi total i kompanive koncesionare private ishte sa 52 për qind e totalit të energjisë së prodhuar në vend. Të dhënat zyrtare tregojnë se në janar-qershor u prodhuan në total mbi 2.73 milionë MWh dhe nga këto Korporata Elektroenergjetike Shqiptare që ka nën menaxhim kaskadën e Drinit ka prodhuar vetëm 48 për qind.

Të njëjtat të dhëna të raportuara nga insitucionet tregojnë se nga HEC-et private të lidhura në rrjetin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (një nga kompanitë e krijuara nën OSHEE) prodhuan 400  mijë MWh energji teksa prodhuesit me përparësi të lidhur në rrjetin e Operatorit të Sistemit të Transmetimit hidhën në rrjet  rreth 430 MWh.

Prodhuesit e pavarur si Ashta, Kurumi, Peshqeshi dhe Fangu i (Ayen Energji) kanë prodhuar një sasi të kosiderueshme gjithashtu por ajo që bie në sy është që nga marsi ka nisur prodhimi në Moglicë hidrocentrali më i madh privat i ndërtuar që nga koha e HEC-ve në kaskadën e Drinit. Devoll Hydropower që menaxhon edhe kaskadën e Devollit me HEC-et e Banjës dhe të Miglicës ka bërë të ditur më herët se futja në prodhim e Moglicës pritet të rrisë prodhimin në vend me 17 për qind.

Në katër muaj Moglica ka prodhuar rreth 53 mijë MWh energji apo rreth 2 për qind të energjisë totale të prodhuar në 6 mujorin e parë të vitit në vend.

Të dhënat tregojnë se ka vazhduar prodhimi i energjisë fotovoltaike nga 9 impiante të kësaj natyre dhe deri në fund të qershorit ishin prodhuar rreth 16 MWh energji, një sasi ende e papërfillshme në raport me sasinë totale të prodhimit të energjisë. Pavarësisht synimit për të shkuar drejt diversifikimit të burimeve Shqipëria ende varet masivisht nga prodhimi hidro teksa dy projekte të mëdha të fotovoltaikëve janë ende në letër.

Për impiantin e Kravastasë tashmë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nënshkuar një kontratë me francezen Volitalia ndërsa për parkun e Akërnisë ku u shpall fituese dy vjet më parë kompania India Power ende nuk ka asnjë të dhënë se çfarë ka ndodhur teksa në më shumë se një rast ministria ka deklaruar se çmimi i dhënë nga kjo kompani është shumë i lartë.

Monitor,  11.08.2020