Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kalon nën tokë linja e tensionit të lartë tek bulevardi “Zogu I”

Pas 15 vitesh, linja ajrore e tensionit të lartë, që përshkonte bulevardin „Zogu I“ deri tek Hotel „Tirana“, do të bëhet nëntokësore. Bashkia e Tiranës ka marrë për të kryer punimet një ekip të specializuar nga jashtë, që e kanë konsideruar punën në zhvendosjen e linjës, si një ndërhyrje “kirurgjikale”. Zhvendosja do të përfundojë tërësisht brenda javës së parë të shtatorit.
Punimet po kryhen nga një firmë e specializuar zvicerane, në bashkëpunim me ekspertë të OST-së. Punimet janë në pikën përfundimtare, kur kryhet lidhja e kabllove. Brenda pak ditësh, linja nëntokësore “Tirana-1” – nënstacioni Qendër do të vihet në funksionim. Linja e re ka një gjatësi prej 2.3 km, është ndërtuar me parametra bashkëkohorë dhe i përgjigjet zhvillimit perspektiv të rrjetit të rajonit.
Ndërkohë ka reaguar dhe OST në lidhje me zhvendosjen e shtyllave të tensionit të lartë. “Do të zëvendësohet linja ajrore përgjatë Bulevardit ‘Zogu i Parë’. Kjo linjë shërben për të furnizuar qendrën e Tiranës. Pas disa ditësh përfundojnë punimet për këtë linjë. Linja ajrore ka qenë një zgjidhje emergjente në vitin 1998”, u njoftua zyrtarisht.

Shqiptarja.com, 03.09.2013