Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Jep dorëheqjen shefi i ERE-s, Berisha me VKM e emëron në… Ashta Energji

A kemi këtu një rast tipik kur kompani që kanë përftuar nga Qeveria në ikje favore në kundërshtim me ligjet dhe rregullat e konkurencës, bëhen strehë e njerëzve që nuk u ka thënë njeri ndonjëherë “puna e mbarë”?

Zyrtarë të lartë nuk po presin dekretimin e qeverisë së re, por po “sistemojnë” veten. Nje rast tipik që ngre disa pikëpyetje interesante për atë që po ndodh këto ditë është ai i drejtorit të ERE-s, Sokol Ramadani. Zoti Ramadani ka dhënë këto ditë dorëheqjen, pa i mbaruar mandati. Ai vetë e konfirmoi këtë lajm në një telefonatë të mbrëmshme nga DITA.

Një VKM e orëve të fundit

Por ajo që ka ndodhur, meriton pak më tepër vëmendje. Një VKM e shpejtë e firmosur nga Berisha e punëson zotin Ramadani tek… ASHTA. Ligji e ndalon që një anëtar bordi I ERE të punojë tek kompanitë e licensuara (deri në nje vit pas mbarimit të mandatit). Nje ekspert ligjor i fushës i pyetur nga DITA, shprehet në kushte anonimati: “Dorëheqja në rrethana të tilla bëhet për të mos mbajtur përgjegjësi për çfarë zyrtari ka bërë. Vërtet në ligj parashikohet që kur i mbaron mandati një anëtari të Bordit, duhet të marrë leje në Këshillin e Ministrave për të punuar tek të licensuarit. Por kjo vlen për operatoret shtetërore, pra jo tek privatet. Kjo është skandaloze”. “Kështu si e ka nisur Doktori, duke bërë emërimet tek kompanitë private, në fillim Sahiti tek kompania çeke, Ramadani tek Ashta, do i ketë gjetur edhe ndonjë vend tjetër dy drejtuesve të tjerë, atij të KESH dhe OST tek ndonjë tjetër operator privat” – ironizon një burim i DITA-s.

Një përjashtim vërtet interesant

Në fakt, ligji të cilit i referohet vendimi i firmosur nga Berisha, në pikën e tij të fundit ka një përjashtim vërtet interesant. Vendimi i Berishës thotë se rasti Ramadani është mbështetur “në nenin 6, të ligjit nr.9072, datë 22.5.2003, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit”.
Çfarë thotë neni 6? (shih tabelën përbri). Në pikën e fundit ky nen thotë: “Për një periudhë njëvjecare pas largimit nga detyra, anëtari i Bordit nuk ka të drejtë të punësohet ose të kompensohet në ndonjë mënyrë nga ndonjë shoqëri që ka qenë ose ka aplikuar për licencë, gjatë kohës që ai ka qenë anëtar i Bordit, pa miratimin paraprak të Këshillit të Ministrave”.

Pra Këshilli i Ministrave i ka njohur vetes me një fjali shpejt e shpejt në fund të nenit të drejtën të dalë mbi konceptin e konfliktit të interesit ku mbështetet një ligj i tërë!
Këtë fjali ka shfrytëzuar zoti Ramadani dhe zoti Berisha për të kryer këtë punë. Dhe në këtë pikë ngremë disa pyetje: E para, përse nxiton kreu i ERE-s të ikë me urgjencë pa i mbaruar mandati? E dyta, ç’ne që kryeministri gjen kohën në orët e tij të fundit të sistemojë zyrtarin në fjalë, duke shfrytëzuar në limit një nen të debatueshëm?
Dhe e treta, ç’ne që ASHTA e pranon këtë? Çfarë i bën “palët” kaq të ngrohta me njëra tjetrën?! Përgjigjet e këtyre pyetjeve “të reja” nxjerrin në pah fije që lidhin histori të vjetra. ̧

E para ai jep dorëheqje. Nuk i ka mbaruar mandati. Pse ky panik? Që të mos mbajë përgjegjësi për çfarë ka bërë? E dyta, Këshilli i Ministrave mund të miratojë një parim që e lejon të punojë për të licensuarit pa i mbaruar viti që parashikon ligji, po s’mund të dalë VKM që z. Ramadani të punojë te ASHTA që është kompani private. Anëtaret e tjerë të bordit po kërkojnë punë te TAP – e njejta histori. Më e rëndësishmja është që marrëveshja me ASHTA-n është nga ato marrëveshjet që të çudisin në termat e tyre. Përshembull, sot KESH ka për detyrim t’ia blejë energjinë ASHTES me 59 EUR/MËh për 20 vjet!
Vetë ERE dhe Qeveria në ikje spekullonin duke folur për konkurencë të ndershme dhe hapje të tregut. Të tjera fjalët, të tjera veprat. Sepse me këto lloj kontratash si me ASHTA-n (long term PPA) kjo qeveri e ka mbyllur tregun për 20 vitet e ardhshme. Nuk janë të paktë ata që mendojnë se derisa Berisha vetë angazhohet me kaq urgjencë, ky është një tregues i lidhjeve të përfolura që ka “Energji Ashta” me “Familjen”.
Historia na rrëfen se kompania Austriake Verbund mori me koncension ndërtimin e hidrocentralit në Vaun e Dejës – që sot është një operator në tregun shqiptar që operon nën emrin “Energji Ashta”, ose hidrocentrali i Ashtës.
Marrëveshja afatgjatë për blerjen e energjisë ndërmjet KESH (si furnizues publik me shumicë – FPSH) dhe Ashta, e miratuar me detyrim-përcaktim nga Këshilli i Ministrave dhe ERE më pas favorizojnë Ashtën. Siç e përmendëm edhe më sipër, sot ASHTA operon si prodhues i pavarur i energjisë, që ka mundësinë e madhe të shesë energjinë me çmimin 59 EUR/MËh tek FPSH – pra ka treg te garantuar. Ka të drejtë të tregtojë dhe të furnizojë klientë të kualifikuar gjithashtu. Favorin e fundit ia ka bërë pikërisht ERE duke e përjashtuar ASHTËN nga detyrimi për disballancat, detyrim ky i parashikuar për të gjithë pjesëmarrësit e tregut në rregullat e tregut të energjisë. A kemi këtu një rast tipik kur kompani që kanë përftuar nga Qeveria në ikje favore në kundërshtim me ligjet dhe rregullat e konkurencës, bëhen strehë e njerëzve që nuk u ka thënë njeri ndonjëherë “puna e mbarë”?

VENDIM PËR DHËNIEN E MIRATIMIT PARAPRAK PËR LEJIMIN E PUNËSIMIT, PAS LIRIMIT NGA DETYRA, TË NJË ANËTARI TË BORDIT TË KOMISIONERËVE TË ENTIT RREGULLATOR TË ENERGJISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 6, të ligjit nr.9072, datë 22.5.2003, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Dhënien e miratimit paraprak për lejimin e z. Sokol Ramadani, kryetar i Bordit të Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë (ERE), që, pas lirimit nga detyra, të punësohet në funksione tekniko-menaxhuese pranë kompanisë “Energji Ashta”, sh.a., Tiranë, Shqipëri.
2. Ngarkohet Enti Rregullator i Energjisë (ERE) për ndjekjen e zbatimit të këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
KRYEMINISTRI
SALI BERISHA

Më poshtë kemi cituar nenin 6 mbi të cilin mbështetet VKM e Berishës:
Neni 6
Konfliktet e interesave
1. Anëtari i Bordit ose i personelit teknik nuk mund të jetë:
a) pronar, aksioner i aseteve në pronësi të ndonjë të licencuari;
b) punonjës ose kontraktues i ndonjë të licencuari;
c) anëtar i bordeve ose bordeve mbikëqyrëse ose i organizmave të tjerë drejtues të ndonjë të licencuari;
c) drejtor, president ose menaxher i ndonjë të licencuari, si dhe nuk lejohet të ketë interes material ose interes tjetër në fushën e energjisë.
2. Kur anëtari i Bordit ose i personelit teknik gjendet në konflikt interesi gjatë procedurave të aplikimit për licencë, ai nuk merr pjesë në shqyrtimin e aplikimit.
3. Anëtari i Bordit ose i personelit teknik mund të jetë klient i ndonjë të licencuari, por ilicencuari nuk i ofron dhe anëtari i Bordit ose i personelit teknik nuk duhet të pranojë shërbim më të favorshëm ose të ndryshëm nga pikëpamja e tarifave dhe kushteve që zbatohen për publikun.
4. Për një periudhë njëvjeçare pas largimit nga detyra, anëtari i Bordit nuk ka të drejtë të punësohet ose të kompensohet në ndonjë mënyrë nga ndonjë shoqëri që ka qenë ose ka aplikuar për licencë, gjatë kohës që ai ka qenë anëtar i Bordit, pa miratimin paraprak të Këshillit të Ministrave

Gazeta Dita, 29.08.2013