Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Çfarë duhet të bëjë kryeministri i ri me pasuritë kombëtare?

Çfarë duhet të bëj tani kryeministri i ri i Shqipërisë? Kësaj pyetje duhet t’i jap disa përgjigje në formë sugjerimesh.

Në planin politik në Shqipëri do të zbatoja modelin e kapitalizmit shtetëror. Ky model kapitalizmi ndodhet ndërmjet kapitalizmit dhe socializmit. Kapitalizmi shtetëror është rruga e mesme. Ai është rruga e artë. Atë po e zbatojnë me shumë sukses disa shtete, për shembull Norvegjia, dhe ajo ka zhvillim të jashtëzakonshëm. Populli norvegjez ka nivelin më të lartë të mirëqenies në botë. Nga ky shtet i vogël duhet të marrim shembull në shumë drejtime. Norvegjia është shtet i Evropës së Bashkuar dhe askush nuk e ka penguar atë për modelin që ka zgjedhur.

Çfarë do të bëja në ekonomi? Do të vendosja dy përparësi për investime: Bujqësinë dhe naftën. Në bujqësi do të mbështesja formimin e fermave private, të shkëputura nga shteti. Kjo kërkon bashkimin e trojeve. Për shembull, Republika Çeke dhe Republika Sllovake nuk i prishën kooperativat bujqësore të dikurshme, por i shndërruan në ferma private. Për organizimin e tyre mund të marrim shembull nga këto shtete.

Naftën dhe gazin, si dhe disa minerale strategjike, si kromi, bakër-ari etj. do t’i bëja pasuri shtetërore. Tani ato janë “privatizuar” (shitur, grabitur), ose janë dhënë me konçensione. Sikurse financat, të gjitha këto “privatizime” dhe konçensionet duhet të kontrollohen hollësisht nga shteti shqiptar dhe nga grupe ekspertësh evropianë. Konkluzionet e tyre do të jenë të padiskutueshme. Pse duhen bërë këto kontrolle? Sepse dyshohet se janë bërë shumë abuzime dhe se është grabitur pasuria kombëtare në bashkëpunim me të huajte. Në rastet, kur janë shkelur ligjet, dhe marrëveshjet janë në dëm të popullit shqiptar, të pezullohen marrëveshjet, liçensat, “privatizimet”. Pasuria t’i kthehet shtetit dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

Pse e konsideroj naftën si prioritare? Sepse kam shumë besim se Shqipëria shumë shpejt mund të bëhet vërtet një vend shumë i pasur me naftë dhe gaz (si Norvegjia). Nuk është vetëm Shqipëria jugore me perspektivë për naftë, por e gjithë Shqipëria lindore dhe Kosova. Bëhet fjalë për perspektivë të përafërt me Azerbajxhanin, i cili do të furnizojë Evropën me gaz dhe naftë. Gjendja në naftë është katastrofike. Kështu e katandisi naftën qëllimisht qeveria Nano dhe sidomos qeveria Berisha. A mund të rregullohet? Po. Të ringrihen, fillimisht me kuadër të kufizuar, Institutet dhe ndërmarrjet e dikurshme të naftës. Të fillojë kërkimi i naftës në strukturat e cekta të Shqipërisë jugore. Njohim të tilla struktura, të cilat janë të gatshme për shpim. Me një shpim me kosto rreth 4 milionë dollarë mund të zbulohet një vendburim i ri dhe shumë i rëndësishëm nafte. Ky vendburim mund të vihet në shfrytëzim brenda 2 vjetësh dhe me të ardhurat e tij nafta mund të rimëkëmbet. Kur pusi i parë të ketë zbuluar naftë, po qe nevoja, të gjitha bankat janë të gatshme të japin kredi. Për zbulime të reja nafte të mobilizohen të gjithë gjeologët, gjeofizikët dhe inxhinierët shqiptarë të shpimit, kudo qofshin. Në rast zbulimi, autorëve t’u jepet e drejta ekonomike. Për Shqipërinë lindore (brezi Mirditë-Kosovë) mendoj se nuk duhet as të shitet dhe as të jepet me konçensione. Pse? Sepse atje është pasuria më e madhe e pritshme e naftës dhe e gazit në Shqipëri. Atje janë të njohura strukturat, ku duhet kërkuar. Ne mund t’i shpojmë vet, gradualisht dhe t’i shfrytëzojmë për mirëqenien e popullit tonë. Për këtë qellim të krijohet kompania shtetërore e naftës shqiptare, me kapital të përbashkët me Kosovën. Të kopjojmë dhe zbatojmë ligjin e naftës që ka Norvegjia. Po t’i japim me konçensione, kompanitë e huaja do të na marrin qyl më shumë se gjysmën e naftës dhe të gazit. Në situata gjeologjike, të ngjashme me brezin Mirditë-Kosovë, në botë janë zbuluar rezerva shumë të mëdha nafte dhe gazi. Si shembull, për zbulime të mëdha nafte dhe gazi poshtë masivëve ultrabazikë, mund të shërbejë rajoni Coalinga në Kaliforni (USA). Prandaj, rekomandoj të kryhen punime gjeofizike (sizmike, gravimetrike dhe magnetometrike) në njërin masiv ultrabazik të brezit Mirditë-Kosovë. Këto punime mund të bëhen, me pagesë, nga një kompani e huaj prestigjioze, për shembull norvegjeze. Në rast se poshtë vërtetohet ekzistenca e strukturës gëlqerore, që është shumë e mundur, të shpohet një pus kërkimi. Rezultati i tij, shumë i pritshëm pozitiv, do të çonte në zbulime seriale në masivët e tjerë të shumtë dhe gjigantë në brezin Mirditë-Kosovë. Kështu do të hapej porta për një zhvillim të madh ekonomik në Shqipëri dhe në Kosovë. Ka shumë rëndësi që ky brez të jetë pasuri vetëm e shqiptareve. Kështu do të hapeshin fronte pune në mënyrë masive dhe të përhershme. Do të zgjidhej përgjithmonë problemi i punësimit jo vetëm për banorët e vendit, por edhe për shqiptarët që janë në emigracion. Të ardhurat e mëdha, që do të vinin nga këto pasuri, do të mbushnin arkën e shtetit dhe jo të hajdutëve. Shteti ligjor do t’i përdorte këto të ardhura për mirëqenien e popullit: Do të rriteshin pagat dhe pensionet, do të investohej në bujqësi, shëndetësi, mbrojtje, turizëm, arsim, kulturë, shkencë, art, sport….. Populli shqiptar do të jetonte i lumtur në trojet e veta. Pra, gjërat mund të rregullohen lehtë, po të ketë dëshirë dhe qellim të mirë. Nuk ka pse të jemi aspak pesimistë. Mirë thonë: “Djalli nuk është aq i zi sa e pikturojnë”. Populli ynë nuk është më pak i aftë se popujt e tjerë, që jetojnë të lumtur.

Prof. As. Dr. Vangjel Kici – Gazeta Tema, 16.08.2013