Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Renta minerare, tatimi i perspektivës rritet me 40 % këtë vit

Renta minerare, një nga taksat më të reja në buxhet po rritet me shpejtësi ndryshe nga tatimet dhe taksat e tjera, duke dhënë një perspektive të mirë për rritjen e të ardhurave në buxhet në të ardhmen. Në fund të qershorit, të ardhurat nga renta shënuan 3.7 miliardë lekë, por deri në fund të vitit shuma do të jetë dyfish më e lartë, pasi qeveria ka miratuar një vendim që vjel rentën minerare si në eksport ashtu edhe në prodhim. Deri më tani taksa vilej vetëm në eksport.

Dyfishimi i rentës

Me një vendim të muajit qershor, qeveria vendosi të shtrijë aplikimin e rentës minerare 10 për qind si në eksport ashtu dhe në shfrytëzim. Me këtë masë automatikisht dyfishohen të ardhurat. Mirëpo vendimi ka kaluar pa shumë bujë dhe diskutime në grupet e interesit, për shkak se është marrë pak ditë pas zgjedhjeve të qershorit. Sipas këtij vendimi, nëse subjekti zotërues i lejes së shfrytëzimit eksporton mineralin e nxjerrë nga miniera apo nënproduktin e prodhuar nëpërmjet një subjekti tjetër të vetëm eksportues, renta në këtë rast paguhet si nga zotëruesi i lejes së shfrytëzimit, ashtu edhe nga eksportuesi. Renta për produktin e shitur paguhet nga zotëruesi i lejes së shfrytëzimit pranë drejtorisë rajonale tatimore ku subjekti është i regjistruar, ndërsa nga eksportuesi, pranë organit doganor, në çastin e eksportimit të mineralit apo nënproduktit të blerë nga zotëruesi i lejes së shfrytëzimit. Eksportuesi paguan rentën minerare në doganë, për diferencën midis vlerës së rentës së përllogaritur në bazë të vlerës së faturës së shitjes së mineralit apo nënproduktit të tij, në bazë të çmimeve të eksportit dhe vlerës së rentës së paguar brenda vendit.

Nga vilet renta

Shfrytëzimi i lëndëve të para në Shqipëri gjatë viteve të fundit është rritur ndjeshëm, veçanërisht për shkak të çmimeve më të larta të naftës e mineraleve në tregun ndërkombëtar. Deri në vitin 2009 mbi eksportin e këtyre produkteve nuk vilej asnjë taksë, për shkak se ato ishin të papërfillshme, por edhe Shqipëria nuk kishte traditë për këtë lloj fisku. Me fillimin e aktivitetit të ‘Banker Petrolium’, një nga kompanitë që nxjerr dhe eksporton naftë në vendin tonë dhe nisjen e eksportit të kromit, qeveria vendosi një tatim 10 %, të cilësuar si renta minerare në momentin që ato eksportoheshin. Nga viti në vit, të ardhurat në buxhet nga kjo taksë janë rritur ndjeshëm. Nga 277 milionë lekë që u morën nga ky tatim në vitin 2009 në gjashtëmujorin e parë të vitit, në gjysmën e parë të këtij viti të ardhurat arritën në 3.1 miliardë lekë. Të dhënat për rentën vijnë në proporcion të drejtë me eksportin e naftës.

Bankers Petroleum raporton bilanc pozitiv për gjysmën e parë të vitit. Sipas raportit financiar të kompanisë, për gjashtë muajt, në total shitjet e naftës ishin 17.310 fuçi naftë në ditë (me çmim mesatar 84.34 dollarë për fuçi), duke shënuar një rritje prej 26% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur shitjet ishin 13.724 fuçi në ditë (me çmim mesatar 80.57 dollarë për fuçi). Ky është një lajm i mirë për eksportet shqiptare në kushtet kur ‘Bankers Petroleum’ po ndikon pozitivisht në bilancin e eksporteve të grupit “minerale, lëndë djegëse”. Ky grup zë peshën kryesore të eksporteve shqiptare, me mbi 32% të tyre.

Gazeta Mapo, 09.08.2013