Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

ARMO ndërron pronar ditën e Bajramit. Cila është kompania misterioze që merr pasurinë shqiptare?

Ditën e Bajramit, zyrtarisht një ditë pushimi, kompania ARMO ka ndryshuar pronarin e saj zyrtarisht në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.

Por çfarë ka ndodhur?

Sipas Top Channel, kompania “ARMO” në momentin e privatizimit pesë vjet më parë, është vënë në pronësi të kompanisë “Anika Mercuria Refinery Associated Oil”, e cila zotëron 85 për qind të aksioneve të rafinerisë, ndërsa shteti shqiptar pjesën e mbetur.

“Anika Mercuria Refinery Associated Oil” zotërohej nga kompania “Anika Enterprises”, që zotërohej nga familja e biznesmenit Rezart Taçi. Por me ndryshimet e ditëve dhe orëve të fundit, e vetmja pjesë pronësie që nuk ka ndryshuar është ajo e shtetit shqiptar, që përmes Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës vazhdon të mbajë 15 për qind të aksioneve.

Ndërsa 85% të aksioneve sërish i mbeten kompanisë “Anika Mercuria Refinery Associated Oil”. Por tek kjo kompani, referuar veprimeve të kryera në QKR, janë kryer ndryshime të pronësisë më datë 8 gusht.

Më konkretisht, 80% të aksioneve që ishin në pronësi të “Anika Enterprises” tashmë kanë kaluar në pronësi të kompanisë “Heaney Assets Corporation”, çka e bën këtë kompani pronare jo vetëm të “Anika Enterprises”, por edhe të “Anika Mercuria Refinery Associated Oil” dhe për rrjedhojë edhe të rafinerisë “ARMO”.

Gjithashtu, po më datë 8 gusht, është larguar administratorja e kësaj kompanie Anika Taçi dhe në vend të saj është emëruar sërish Fation Veizaj.

Edhe në këtë kompani rezulton që të jetë anëtare e Këshillit Mbikëqyrës avokatja Erinda Ballanca, e cila një vit më parë ka përfaqësuar Bankën Ndërkombëtare të Azerbajxhanit në padinë që kjo e fundit kishte bërë kundër Rezart Taçit. Banka azere kërkoi kthimin e shumës prej 75 milionë eurosh nga Rezart Taçi, shumë kjo e vendosur si garanci për blerjen e “ARMO”.

Por kush fshihet pas kompanisë Heaney Assets Corp.?

Dita shkruan se bëhet fjalë për një shtetas azer, me pasaportë iraniane, të quajtur Abe Halati, që ka firmosur kontratën.

Ai është përfaqësues i lartë në disa borde drejtuese të disa kompanive në Azerbajxhan.

Zyrtarisht Heaney Assets Corp. është e regjistruar në Ishujt Virgjine Britanikë, që do të thotë se është një kompani offshore, me pronarë që nuk njihen.

Por kush e ka dhënë autorizimin për shitjen e ARMO-s?

Mësohet se ka qenë pikërisht ministri aktual i Ekonomisë, Florion Mima, që më 31 korrik ka firmosur dokumentin me zarar ku thuhet se: “… dhe ku si shkak ju na paraqitët vështirësitë financiare që aktualisht po kalon shoqëria juaj, shprehemi dakord për kryerjen e transferimit”..

Gazeta Tema, 09.08.2013

50 milionë euro, Taçi i shet të gjitha

E mërkura e datës 31 Korrik 2013, me siguri që nuk ka qenë një ditë e zakonshme pune për ministrin e Ekonomisë së Shqipërisë, Florion Mima. Në këtë ditë ai duhej të firmoste një dokument. Një dokument me zarar. I duhej t’i jepte dritën jeshile biznesmenit Rezart Taçi për të bërë shitjen e aksioneve të tij në kompaninë ARMO. Taçi nëpërmjet një kërkese që ja kishte çuar ministrit që më 22 korrik, i kërkonte leje për shitjen, Taçi e kishte me ngut punën. Por edhe ministri nuk është se e lodhi shumë, vetëm 7 ditë e la të priste, më pas Mima firmosi një copë letre, duke i dhënë rrugë të lirë biznesmenit të shumëpërfolur shqiptar të kryente operacionin financiar për të cilin kishte mbi një vit që po punonte.

Si rrallë mund të ndodhë ndonjëherë me trajtimin që i bën një zyrtar i lartë shtetëror shitjes së një korporate strategjike, ministri Mima, jo vetëm që nxitoi ta firmoste, por në shkresë i shkruante biznesmenit se ia kuptonte hallin që e kishte zënë: “…dhe ku si shkak ju na paraqitët vështirësitë financiare që aktualisht po kalon shoqëria Juaj, shprehemi dakord për kryerjen e transferimit”, -shprehej ministri ndër të tjera në letër. Ndonëse kompanitë e Taçit rezultojnë debitore në shuma të mëdha në disa institucione shtetërore dhe me borxhe ndaj disa qindra punonjësve, funksionari i lartë publik shqiptar, ministri i Ekonomisë Florion Mima i shpërfilli të gjitha këto probleme dhe borxhe të kompanive të Taçit me shtetin shqiptar. Me të lexuar hallet e Rezart Taçit, ministri i harroi hallet e shtetit. Kjo “harresë” bëri që çdo gjë më pas të ishte thjesht një “rutinë” dhe kontrata e shitjes të lidhej përpara një noteri një javë më vonë.

SKEMA

Rezart Taçi në fakt, kishte disa vite që ishte në probleme financiare. Ai e privatizoi ARMO-n me lekë të marra borxh dhe me shumë gjasa blerësit e rinj janë azerët të cilët ia dhanë atij këto lekë për ta privatizuar ARMO-n dikur.
Pasi u bë pronar, Taçi nisi të linte si kolateral në banka disa asete të ARMO-s për të marrë kredi në disa dhjetëra miliona euro, të cilën më pas e investonte, ndër të tjera i ka investuar edhe në tri kompani të cilat janë “Taçi Oil”, “KUID” dhe “Europetrol”, të cilat Taçi së bashku me interesat e ARMO-s, i shiti mëngjesin e së martës më datën 6 Gusht në një shumë totale prej 50 milionë eurosh. Rezart Taçi kontrollonte 85 për qind të aksioneve të paketës së aksioneve të ARMO-s. Pjesën tjetër e kontrollonte Ministria e Ekonomisë.
Këto aksione te ARMO, Taçi i kontrollonte nëpërmjet konsorciumit “AMRA Oil sha”. Në këtë konsorcium,Taçi zotëronte 70 për qind të aksioneve dhe pikërisht këto aksione shiti të martën në shumën e 35 milionë eurove, duke e bërë automatikisht blerësin pronar të paketës kryesore kontrolluese të ARMO-s. Por pjesë e operacionit të shitjes ishin dhe interesat e tij në tri kompanitë e tjera, që u shitën në një total prej 15 milionë eurosh, duke përmbyllur në këtë mënyrë shumën totale prej 50 milionë eurosh.

BLERËSI

Kompania blerëse quhet “Heaney Assets Corp”, ajo është një kompani e regjistruar në Ishujt Virgjinë Britanikë. Ç’ka do të thotë se është një kompani me pronarë të fshehur, një kompani “offshore”.
Në kontratën e shitjes kjo kompani ka lënë si adresë kontakti një zyrë në Evropë. Ajo është zyra e një firme të quajtur “Fortrust Global S.A” e cila ndodhet në Bulevardin “Royal” në Luksemburg. Si person kontakti në Luksemburg është caktuar një zonjë me emër rus, Elena Krotova quhet. Por diçka më tepër mbi identitetin e blerësve mund të mësohet nga personi që erdhi në Tiranë për të nënshkruar kontratën. Blerësi nga Ishujt e Virgjër Britanikë, kishte autorizuar dhe kishte veshur me të gjithë besimin e tij për nënshkrimin e kontratës një person të quajtur Abe Halati.
Zoti Halati ka lindur në Iran por disponon një pasaportë amerikane, ai është shtetas amerikan. Ndonëse i tillë, ai është një azer me origjinë dhe jeton në Baku. Emri i tij korrespondon si përfaqësues i lartë në bordet drejtuese të disa kompanive në Azerbajxhan, të cilat janë kryesisht kompani që operojnë në sektorin e mineraleve. Prezenca e tij është një gjurmë që orienton dhe përforcon pistën e një blerësi nga Azerbajxhani. Por edhe sikur blerësit të mos jenë të tillë, në të gjithë këtë operacion financiar ka diçka që duket kollaj fare: Ministri i Ekonomisë, qeveria shqiptare, ka bërë gjithçka për të lehtësuar Rezart Taçin që ta kryente këtë shitje. Se me çfarë fature publike e ka ndihmuar qeveria biznesmenin, ende nuk kemi një shifër, por me siguri që edhe kjo shifër duhet të jetë me miliona në euro, njësoj si fatura e shitjes që Taçi realizoi ditën e martë.

Zbardhet kontrata e shitjes së ARMO-s dhe detyrimet e Taçit
NENI 2. QËLLIMI I KONTRATËS
2.1 Blerja dhe shitja e Pjesëmarrësve. Në përputhje me kushtet dhe afatet e kësaj kontrate, në ditën në të cilën të gjitha kushtet e parashikuara nga Neni 4 i kësaj kontrate janë përmbushur prej Shitësit, ose kur Blerësi ka hequr dorë prej tyre, Blerësi do të blejë Pjesëmarrjet nga Shitësi dhe Shitësit do t’ia shesin Pjesëmarrjet Blerësit.
NENI 3. ÇMIMI I BLERJES
3.1 Çmimi. Si çmim për shitjen dhe transferimin e Pjesëmarrjeve nga Shitësit tek Blerësi, Blerësi pranon t’iu paguajë Shitësve një shumë totale prej 50.000.000. € (Pesëdhjetë milionë Euro) (Më poshtë, “Çmimi”), i ndarë mes Pjesëmarrjeve si vijon:
(a) € 35, 000, 000 (tridhjetë e pesë milionë) për Pjesëmarrjen në AMRA (70%)
(b) € 500, 000 (Pesëqind mijë) për Pjesëmarrjen Taci Oil (1%)

(c) € 14,000,000 (Katërmbëdhjetë milionë) për Pjesëmarrjen në Europetrol (28%)

(d) € 500, 000 (Pesëqind mijë) për Pjesëmarrjen në Kuid (1%)
3.2 Pagesa. Pagesa e çmimit, nga Blerësi për Shitësit do të kryhet me tri këste si më poshtë:
(a) Brenda 24 (njëzetekatër) orëve nga përmbushja ose heqja dorë me shkrim e Blerësit, nga kushti i vetëm i mbetur pa plotësuar e i parashikuar në Nenin 4.1 të kësaj Kontrate, Blerësi duhet të paguajë me transfertë bankare, në fonde të disponueshme menjëherë, shumën prej € 35,000,000(tridhjetë e pesë milionë euro) minus çdo shumë të treguar në Nenin 1 1.8(a), në llogarinë bankare të Shitësve të vënë në dispozicion me shkrim nga Taçi. Në rast se kjo pagesë nuk do të bëhet brenda afatit prej 24 orësh, kjo Kontratë do të konsiderohet e zgjidhur me efekt të menjëhershëm, pa qenë nevoja, për ndonjë njoftim tjetër me shkrim. Ajo do të konsiderohet se nuk ka ekzistuar që prej fillimit. Për qëllim të kësaj klauzole, pagesa do të konsiderohet e kryer me nisjen e fondeve nga banka nisëse. Për këtë qëllim kopja e “suiftit” të bankës dërguese me datë valute të njëjtën ditë, do të konsiderohet vërtetim pagese.
(b) Në datën kur mbushen 8(tetë) muaj nga data e Mbylljes (siç specifikohet në klauzolën 4.3 më poshtë) (nëse kjo ditë nuk do të jetë një ditë pune, pagesa do të kryhet në ditën e parë pasuese të punës), Blerësi duhet të paguajë me anë të një transferte bankare dhe me fonde të disponueshme menjëherë shumën prej € 5, 000, 000(pesë milionë euro) në llogarinë bankare të Shitësve të vënë në dispozicion me shkrim nga Taçi.
(c) Në datën kur mbushen 18 (tetëmbëdhjetë) muaj nga data e Mbylljes, Blerësi, duhet të paguajë me anë të një transferte bankare dhe me fonde të disponueshme menjëherë, shumën prej € 10,000,000(dhjetë milionë euro), në llogarinë bankare të Shitësve, të vënë në dispozicion nga Taçi.
(d) Për qëllimin e klauzolave 3.2(a) deri 3.2(c), më lart, pagesa do të konsiderohet përfundimisht e kryer prej Blerësit tek Shitësit, kur blerësi të ketë kryer transfertën bankare , me fonde të disponueshme menjëherë në shumat e specifikuara në paragrafet e lartëpërmendura , në llogarinë bankare të vënë në dispozicion të Blerësit nga Taçi. Titulli i Pronësisë së të gjithë pjesëmarrjeve do t’i transferohet Blerësit në momentin që do të kryhet pagesa e specifikuar në seksionin 3.2(a), si më lart. Çdo pagesë do të konsiderohet e kryer kolektivisht për të gjithë Shitësit, dhe do të ndahet nga Shitësit e Pjesëmarrjeve
në proporcion me përqindjet e specifikuara në Paragrafin 3.1, si më lart. Shitësit do jenë bashkarisht dhe personalisht përgjegjës për alokimin e çdo pagese dhe për shpërndarjen e porcionit monetar të çdo shitjeje që i takon secilit shitës, sipas kushteve të kësaj Kontrate. Me përjashtim të rasteve kur është parashikuar shprehimisht ndryshe në këtë Kontratë, dhe pa kufizuar ndonjë të drejtë apo kompensim të Blerësit, pagesat e parashikuara në paragrafet 3.2(b) dhe 3.2(c) do të jenë subjekt kompensimi dhe uljeje, euro për euro, në shumën e çdo zbritje kompensimi ose llogarie,garantuese të parashikuar në klauzolën 8.3
NENI 4. KUSHTET PARAPRAKE QË DUHEN PLOTËSUAR PËR TË TRANSFERUAR PJESËMARRJET
4.1
detyrimi i blerësit për të blerë Pjesëmarrjet, sipas kushteve dhe afateve të parashikuara nga kjo Kontratë, lind pas përmbushjes së të gjitha kushteve paraprake të mëposhtme:
a) Anika duhet të ketë firmosur dhe dorëzuar te AMRA, Taçi duhet të ketë firmosur dhe dorëzuar tek secila Shoqëri dhe duhet të ketë firmosur dhe dorëzuar tek Europetrol një dokument të vlefshëm dhe të noterizuar për heqjen dorë dhe shkarkimin nga çdo përgjegjësi dhe detyrim.
b) METE duhet të ketë miratuar transferimin e Pjesëmarrjes së AMRA-s nga ANIKA tek blerësi, në zbatim të 22.08.2008, mes Qeverisë së Republikës së Shqipërisë përfaqësuar nga METE dhe AMRA-s.
c) …..(vazhdon me të tjera kushte, shën redaksi.)
d) …..(vazhdon me të tjera kushte, shën redaksi.)

e) Shitësit do të kenë përmbushur të gjitha detyrimet e tyre thelbësore sipas Nenit 6 të kësaj kontrate. Blerësi ka të drejtën absolute që në çdo kohë të heqë dorë nga cilido prej kushteve të përcaktuar në Nenin 4.
NENI 8, Pika 3
(a)dëmshpërblime; Kompesimi. Shitësit, bashkarisht dhe veçmas, do ta sigurojnë dhe mbrojnë blerësin, nga dhe kundër, si dhe do ta rimbursojnë blerësin për: (i) çdo përgjegjësi a detyrim të secilës prej Shoqërive, ose ARMO-s, përfshirë dhe detyrimet e mundshme të cilat dalin/lindin në ose përpara datës së Mbylljes, e të cilat nuk janë treguar/përcaktuar/ deklaruar në mënyrë të saktë dhe të qartë në një ose më shumë nga shtojcat e kësaj Kontrate(bashkërisht “detyrimet e Padeklaruara”), dhe
(ii)
çdo dhe të gjitha kërkesat, padi, humbje, detyrim, kosto dhe shpenzim, që dalin nga ose kanë të bëjnë me (i) ndonjë shkelje nga secili prej Shitësve të ndonjërës prej pikave të Nenit 8 të kësaj kontrate, ose detyrimeve të marra përsipër në nenin 6.3 të kësaj Kontrate, ndonjë ngjarje, veprim, fshehje, kusht, fakt apo rrethanë që ka të bëjë me Shoqëritë, ARMO-n, bizneset, veprimtarinë, përgjegjësit dhe detyrimet përkatëse, qofshin ato të faturuara, absolute, të mundshme, të ndërvarura ose që kanë të bëjnë me ndonjë periudhë deri në datën e Mbylljes, përveç se në masën që është deklaruar qartë në ndonjërën prej Shtojcave bashkëlidhur.
NENI 11. Pika 11 Detyrime të tjera të Taçit
(a) Taçi n ë cilësinë e Garantuesit, garanton maksimalisht përmbushjen e detyrimeve të ndërmarra nga secili prej Shitësve në këtë Kontratë. Garantuesi pranon se Blerësi ka hyrë në këtë Kontratë, bazuar në garancinë e dhënë nga Garantuesi, se Shitësit, do të përmbushin plotësisht të gjitha detyrimet e përcaktuara nga kjo Kontratë.
(b)
Taçi ka deklaruar në paragrafin 8.1 se ai nuk ka asnjë interes, të drejtpërdrejtë a të tërthortë, në interesin e Pakicës së AMRA-s. Në rast se, në çfarëdolloj momenti, Taçi blen interesin e pakicës së AMRA -s, apo çfarëdolloj interesi tjetër në të, Blerësi do të ketë të drejtën, të zbatueshme për një periudhë një vjeçare pasi Blerësi vihet në dijeni të kësaj blerjeje, që ta blejë interesin e Pakicës së AMRA-s nga Taçi për çmimin prej Një Euro. Taçi duhet ta njoftojë blerësin për një blerje të këtij lloji.
(c)
Për një periudhë 5 (pesë) vjeçare, duke nisur nga data e kësaj Kontrate, as Anika e as Taçi nuk duhet të marrin pjesë, drejtpërdrejtë a tërthorazi, apo të kenë interes financiar apo tjetër, në ndonjë person juridik që merret me rafinimin, shitjen ose shpërndarjen e naftës, gazit apo çdo produkti a shërbim energjetik në Shqipëri me kusht që nëse Shitësit ushtrojnë të drejtën e tyre sipas klauzolës 8.3(d) të Kontratës për të hequr dorë. Ky kufizim nuk do të zbatohet për aktivitetin e Shoqërive të Kthyera që janë kthyer siç zhvillohej para datës së Mbylljes.
(d) Taçi në cilësinë e aksionarit të Alsat sha, deklaron se Alsat heq dorë nga çdo detyrim që kanë ndaj saj secili prej Shoqërive dhe/ose ARMO dhe se zoti Taçi do të shlyejë vetë dhe personalisht këto detyrime në favor të Alsat sha. Gjithashtu zoti Taçi heq dorë dhe nga çdo e drejtë e tij, si dhe çdo shpenzim të lidhur me to deri në ditën e nënshkrimit të kësaj Kontrate.

Gazeta Dita, 09.08.2013

“ARMO” ndërron zyrtarisht pronësinë 
Zërat e shumtë të javëve dhe ditëve të fundit në media lidhur me shitjen e kompanisë së përpunimit të naftës, “ARMO”, janë konfirmuar përfundimisht nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit.

Tashmë “ARMO” ka një kompani të re si pronare dhe një administrator të ri. Në të dhënat e publikuara në QKR për kompaninë “ARMO” rezulton se veprimet e fundit janë kryer më datë 8 gusht, prej ku është larguar administratori Rezart Taçi dhe në vend të tij është caktuar Fation Veizaj.

Po ashtu janë larguar dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës Gramoz Taçi, Drita Aliçka, Selfo Kapllani dhe Mustafa Taçi, të cilët janë zëvendësuar nga Ibrahim Hastopalli, Laurence Stroch, Abe Halati dhe avokatja e njohur Erinda Ballanca.

Çfarë ka ndodhur?

Kompania “ARMO” që në momentin e privatizimit, pesë vjet më parë, është vënë në pronësi të kompanisë “Anika Mercuria Refinery Associated Oil”, e cila zotëron 85 për qind të aksioneve të rafinerisë, ndërsa shteti shqiptar pjesën e mbetur.

“Anika Mercuria Refinery Associated Oil” zotërohej nga kompania “Anika Enterprises”, që zotërohej nga familja e biznesmenit Rezart Taçi. Por me ndryshimet e ditëve dhe orëve të fundit, e vetmja pjesë pronësie që nuk ka ndryshuar është ajo e shtetit shqiptar, që përmes Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës vazhdon të mbajë 15 për qind të aksioneve.

Ndërsa 85% të aksioneve sërish i mbeten kompanisë “Anika Mercuria Refinery Associated Oil”. Por tek kjo kompani, referuar veprimeve të kryera në QKR, janë kryer ndryshime të pronësisë më datë 8 gusht.

Më konkretisht, 80% të aksioneve që ishin në pronësi të “Anika Enterprises” tashmë kanë kaluar në pronësi të kompanisë “Heaney Assets Corporation”, çka e bën këtë kompani pronare jo vetëm të “Anika Enterprises”, por edhe të “Anika Mercuria Refinery Associated Oil” dhe për rrjedhojë edhe të rafinerisë “ARMO”.

Gjithashtu, po më datë 8 gusht, është larguar administratorja e kësaj kompanie Anika Taçi dhe në vend të saj është emëruar sërish Fation Veizaj.

Edhe në këtë kompani rezulton që të jetë anëtare e Këshillit Mbikëqyrës avokatja Erinda Ballanca, e cila një vit më parë ka përfaqësuar Bankën Ndërkombëtare të Azerbajxhanit në padinë që kjo e fundit kishte bërë kundër Rezart Taçit. Banka azere kërkoi kthimin e shumës prej 75 milionë eurosh nga Rezart Taçi, shumë kjo e vendosur si garanci për blerjen e “ARMO”.

Përfshirja e avokates Erinda Ballanca, e cila ka mbrojtur interesat e azerëve, si anëtare e Këshillit Mbikëqyrës, si tek kompania “ARMO” ashtu dhe tek “Anika Mercuria Refinery Associated Oil”, është për momentin e vetmja indicje që përforcon zërat e përhapur në media se “ARMO” tashmë është në pronësi të një kompanie zzerbajxhanase.

Nëse është kështu, duhet parë nëse “ARMO” është shitur dhe cili është çmimi i shitjes së kompanisë, apo është falur si peng për moskthimin e parave azerëve nga biznesmeni Rezart Taçi.

A është “Heaney Assets Corporation” përfaqësuese e interesave të azerëve?

Edhe kjo nuk është ende e qartë, sepse kompania nuk rezulton në asnjë kërkim, nuk ka një profil të sajin në internet dhe nuk dihet se ku është e regjistruar.

Këto pikëpyetje mund t’i shuajë vetëm pronësia e vjetër dhe e re nëse bëjnë publike kalimin e aksioneve dhe shteti shqiptar përmes METE-së, që ka miratuar ndryshimin e pronësisë së një ndërmarrjeje që u konsiderua si privatizim strategjik në fundin e vitit 2008.

Top Channel, 08.08.2013

Manovra “ARMO”, i mbeten pas hijet e Taçit dhe Berishës

Pozicionimi i Erinda Ballancës në këshillin e ri mbikëqyrës të kompanisë së re ARMO është një manovër, e bërë nga Rezart Taçi – apo nga dikush tjetër – për të shpëtuar nga situata e vështirë financiare, në të cilën ndodhet.

Kjo ishte avokatja e bankës nga Azerbajxhani, që hodhi në gjyq Rezart Taçin, pasi i nuk kthente një kredi të marrë prej saj, para se të blinte aksionet e ARMO-s, me vlerën 75 milionë euro. Ballanca është e njohur si e afërt me të bijtë e kryeministrit në ikje, Argita dhe Shkëlzen Berisha, me të cilët është kolege.

Në gjyqin, e zhvilluar në Gjykatën e Tiranës, që drejtohej nga një tjetër “mik i familjes” Berisha, Ilir Çeliku, u vendos menjëherë masa e sekuestros mbi pasuritë e Taçit dhe të ARMO-s, masë që pastaj u pezullua dhe atij iu dha mundësia edhe një herë që të punonte e të shlyente detyrimet.

Rezart Taçi ka tentuar të manovrojë, duke thirrur përfaqësuesen e Berishës në ARMO, për të marrë nga ai OK dhe për të krijuar një urë me të afërmit e kryeministrit në ikje, duke i afruar ata në kompaninë më të lakmuar të naftës në Shqipëri. Edhe Erinda Ismailaj, tjetër prurje në këshillin mbikëqyrës, është një avokate, që ka punuar me Ballancën.

Ndërkohë, Fation Veizaj, që merr çelësat në duar, është një bashkëpunëtor i vjetër i Taçit, me të cilin ka kohë që zhvillon biznes, me të ardhura të konsiderueshme. Kështu, Taçi është përpjekur sërish të ruajë një farë pozicioni në kompani, por nuk dihet ende se a ka mbetur në lojë, apo është spostuar nga Berishët, amerikanët, azerët ose ndonjë bankë e fuqishme, që ka paguar për të.

Skema drejtuese e ARMO-s, pas kësaj lëvizjeje, mund të përkthehet kështu: njerëzit e Taçit, përfaqësuesi i METE-s aktuale, përfaqësuesi i Azerbajxhanit, përfaqësueset e Berishës, përfaqësues të amerikanëve që deri tani kanë bashkëpunuar me Berishën (Podesta, etj), përfaqësues të kompanisë të Teksasit, do të komandojnë kompaninë e vetme të rafinimit të naftës bruto në vend. Ndërkohë, shteti do të vazhdojë të mbajë vetëm 15 për qind të aksioneve, ndonëse më parë ka tentuar t’i shesë edhe ato, por është tërhequr. 85 për qind do t’i ketë Anika Mercuria Refinery Association Oil, ku administrator është Fation Veizaj, i njejti person që do të drejtojë edhe ARMO-n, kompaninë-mëmë.

Qeveria e re që do të krijohet do të gjendej kështu përpara një fakti të kryer, të kalimit të pronësisë dhe ajo mund të ndryshojë vetëm përfaqësuesin e saj në këshillin mbikëqyrës. Por në fakt heshtja e saj, ndonëse mund t’i ketë ditur më parë nga të gjithë veprimet që po kryheshin, le të kuptohet se është e prirur të mbajë një qendim neutral.

Kjo, nisur nga interesi i madh që përbën mundësia e pagesës së detyrimeve financiare nga pronarët e rinj, për borxhet që ARMO ka krijuar tek shteti. Fjala është për 70 milionë euro, që do të ishin një shifër e konsiderueshme për buxhetin, në ditë të hallit.

Por, ajo që e komplikon situatën është prania e dukshme e njerëzve të Berishës ndër drejtuesit e rinj të ARMO-s. Në këto kushte, Edi Rama dhe ministri i tij i Energjetikës e ai i Financave duhet të mendohen mirë se çfarë drejtimi do të marrë kjo kompani jetike për ekonominë e vendit në rast se ajo bie në duar të tjera nga ato të biznesit normal, për të mbetur në duar të politikës së vjetër, që e përdor biznesin në kushte jonormale.

Ajo që bie në sy, është fakti që deri tani asnjë kompani me emër nga bota nuk po hyn në industrinë e vendit. Kjo situatë mund të ndryshojë vetëm me krijimin e standardeve të tjera, politike dhe ekonomike, ndryshe nga më parë, për të cilët janë të interesuar të gjithë.

Gazeta Shqiptarja.com, 09.08.2013

QKR zyrtarizon shitjen e ARMO-s nga Rezart Taçi

Më në fund, është zyrtarizuar kontrata e shitjes së aksioneve të kompanisë së rafinimit të naftës, që kalon nga pronësia e Rezart Taçit, në duart e një subjekti të panjohur, që nuk ekziston i regjistruar në internet si biznes privat në ndonjë vend të botës. Edo të jetë Heaney Assets Corporation që do të marrë në duar këtej e tutje drejtimin e rafinerisë së Ballshit dhe asaj të Fierit, që deri tani ishte në pronësi të manjatit shqiptar të naftës.

Pas njoftimit në media për shitjen e aksioneve të Rezart Taçit në kompaninë ARMO të rafinimit të naftës, vjen më në fund edhe konfirmimi zyrtar se një gjë e tillë ka ndodhur me të vërtetë. Në fakt, regjistrimi paraqet dy problematikë. Së pari, nuk kuptohet se si është arritur që të kryhet regjistrimi, duke qenë se dje ka qenë ditë pushimi zyrtar, festa e Bajramit të Madh. Megjithatë, Qendra Kombëtare e Regjistrimit është hapur për të regjistruar ndryshimin e pronësisë dhe atë të drejtuesve të rinj të kompanisë, për pjesën e zotëruar nga Taçi. Së dyti, me ligj deri në fund të muajit shtator nuk mund të bëhet një shitje aksionesh në ARMO dhe, në se kjo bohet, nuk mund ta regjistrojë QKR-ja. Këtu duket se procesi i regjistrimit është bërë “me urdhër nga lart”.

Rezart Taçi rezulton se i ka lënë vendin si administrator Fatjon Veizajt, emër i njohur në sektorin e hidrokarbureve. Janë regjistruar njëkohësisht edhe largimet e anëtarëve të Këshillit të deritanishëm Mbikëqyrës Gramoz Taçi, Drita Aliçka, Selfo Kapllani dhe Mustafa Taçi, të cilët janë zëvendësuar nga Ibrahim Hastopalli, Laurence Stroch, Abe Halati dhe avokatja e njohur Erinda Ballanca.

80% të aksioneve të kompanisë, që ishin në pronësi të “Anika Enterprises” – firmë kyç e Taçit, që drejtohej nga motra e tij, Anika juridikisht – tashmë kanë kaluar në pronësi të kompanisë “Heaney Assets Corporation”, çka e bën këtë kompani pronare jo vetëm të “Anika Enterprises”, por edhe të “Anika Mercuria Refinery Associated Oil” dhe për rrjedhojë edhe të rafinerisë “ARMO”.

Po më datë 8 gusht, rezulton të jetë larguar administratorja e kësaj kompanie Anika Taçi.

Avokatja Erinda Ballanca, e cila një vit më parë ka përfaqësuar Bankën Ndërkombëtare të Azerbajxhanit në padinë që kjo e fundit kishte bërë kundër Rezart Taçit, bëhet sërish anëtare e re e këshillit, sëbashku me shefin e kabinetit të ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, Florjon Mima, Ibrahim Hastopalli. Banka azere kërkoi kthimin e shumës prej 75 milionë eurosh nga Rezart Taçi, shumë kjo e vendosur si garanci për blerjen e “ARMO”.

Po kështu, në këshill do të marrë pjesë edhe një këshilltar i presidentit të ndërmarrjes së minierave të Azerbajxhanit, Abe Halati, ku dihet se shteti dhe vetë presidenti i Republikës së atij vendi kanë interesa direkte.

Nga ana tjetër, në këshill është emëruar edhe një personazh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Laurence Storch, emri i të cilit për shqiptarët thotë edhe më pak se emri i blerësit. Ndërkohë, 20% të aksioneve në AMRA do të vazhdojë t’i mbajë si më parë kompania Reffinery Associates of Texas.

VLERA

Rezulton që kompania fantazmë që ka blerë ARMO-n ka derdhur në arkën e kompanisë ARMO për këtë transaksion vetëm 16 milionë lekë të vjetra. Në fakt, vetë kompania mëmë figuron me një kapital qesharak prej 20 milionë lekësh të vjetra 

E PANJOHURA E BLERESIT DO ZBULOHET ME PAS

Emri Heaney Assets Corporation nuk përkon me asgjë, po të kërkosh në internet. Gjithshka të le të kuptosh se ai është një subjekt i krijuar enkas për këtë transaksion. Rezart Taçi gjithnjë ka dalë në skenë me emra të sajuar kompanish, madje edhe kur fjala ishte për të fituar tendera me vlerë gjigande, si rasti i Albpetrolit, kur kërkesat nga ana e shtetit për pjesëmarrësit në garë ishin jashtëzakonisht të larta.

Më pas, ka dalë se blerësi i vërtetë ka qenë tjetërkush nga ai që prezantohej. Në rastin e industrisë së naftës, që përbën një sektor strategjik, qeveria e re nuk mund t’i lejojë vetes të përsëritë gabimin, të cilin i ka kritikuar më shpesh në këtë drejtim të vjetrës, mungesën e transparencës. Kjo duhet të nisë nga verifikimi dhe publikimi i përfituesit të vërtetë të shitjes së aksioneve. 

PYETJE – PERGJIGJE

Përse shiten aksionet e ARMO-s?

Duket qartë se kjo është e vetmja mundësi që i ka mbetur Rezart Taçit. Prej disa kohësh, ai nuk po respekton detyrimet, as ndaj shtetit, as ndaj punonjësve, kontraktorëve e klientëve të tij. Ajo që mbetet të mësohet është se me çfarë kushtesh po e shet ai pjesën e tij në këtë kompani, pra fiton gjë nga transaksioni, apo gjithshka shkon për të shlyer detyrimet.

Do ta miratojë qeveria e re këtë lëvizje?

Kjo është një pikëpyetje e madhe, pasi lëvizja vetë, po të nisesh nga nxitimi, nga mungesa e transparencës, nga emrat që dalin në skenë si drejtues, nuk jep shenja transparence, që duhet t’i sqarojë shteti për opinionin.

Kush mund të fshihet pas kompanisë që deklarohet si blerëse?

Në të ka azerë, amerikanë, por edhe nëpunës qeveritarë e njerëz pranë familjes Berisha. Mund të mendohet se Taçit i rimerret pasuria, por ajo kalon në duar të njerëzve që po lenë pushtetin ekzekutiv. Në një rast të tillë, nëse kjo verifikohet, qeveria e re duhet të ndërhyjë për të anuluar veprimet, ose të paktën për t’i pezulluar derisa të sqarohet gjithshka.

Gazeta Shqiptarja.com, 09.08.2013

Rritja dhe rënia e “manjatëve” nga Sejdia tek Taçi “i Milanit”

Opinioni shqiptar, i panjohur para vitit 1991 me rregullat e ekonomisë së tregut, ka parë të ngrihet me shpejtësi “ylli” i disa biznesmenëve, që kanë arritur majat, për t’u zhdukur sërish në anonimitet. Pas një ngritjeje të pashembullt, pas hyrjes në treg në vitin 2000, deri në vitin 2013, Rezart Taçi nuk ka bërë përjashtim nga “klubi” i manjatëve që u rritën më shpejt se sa mund të mendohej dhe po as me shpejtësi do të largohen nga tregu.

Taçi doli nga hiçi dhe në krye të pesë viteve u bë nr.1 në një treg shumë të vështirë si ai i tregtisë së nënprodukteve të naftës. Më pas, bleu edhe rafinimin e vetëm e do të kishte marrë edhe naftën bruto, në rast se do kishte gjetur 850 milionë euro, duke plotësuar një cikël të mbyllur industrial e tregtar, duke marrë kështu një pozitë dominante ekskluzive. Pavarësisht nga njoftimet se do të blinte skuadra si Milan, Bolonja, Malaga apo Kaljari, u duk se këto ishin thjesht bllofe, ndërkohë që Taçi përdorte bujarisht paratë edhe për qëllime politike, si sjelljen e gruas së Toni Blerit apo Gorbaçovit në Shqipëri.

AJDIN SEJDIA

Biznesmeni kosovar, hyri i pari fuqishëm në Shqipëri, që në fillim të tranzicionit, në sajë të lidhjes që krijoi me ish-presidentin Ramiz Alia. Sejdia, në vitin 1991, ishte emëruar këshilltar ekonomik e tregtar i kryeministrit të atëhershëm shqiptar, Fatos Nano. Nano u burgos nën akuza për korrupsion e abuzim detyre. Njëra prej pikave të akuzës ishte favorizimi i këshilltarit të tij Ajdin Sejdisë, i cili kishte krijuar “Iliria Holding”-un, e cila në atë kohë nënshkroi një marrëveshje me qeverinë shqiptare. Shteti shqiptar i jepte kësaj kompanie të drejta në shumë fusha për të kryer investime që prej infrastrukturës (rrugë, ura, hekurudha, energjetikë, ujë etj.), turizmit, minierave, sistemit bankar, industrisë, ndërtimit, artit, mediave private, tregtisë (supermarketeve, fastfood-eve etj.), hoteleri.

Pavarësisht se Nano akuzohej për favorizimin e tij, një vit më pas, Ajdin Sejdia u bë këshilltar për ekonomi i presidentit Sali Berisha. Një numër i bizneseve lokale në Shqipëri morën si depozita paratë e qytetarëve dhe nuk ia kthyen më. Sejdia do të bëhej i njohur në Shqipëri për shkak se nuk arriti të ndërtonte pallatin në qendër të Tiranës, por vetëm gropëzoi vendin ku planifikonte ndërtimin. Sejdia do të largohej nga Shqipëria në vitet ‘90. Në Zvicër kishte vuajtur shtatë vjet burg.

Ai u arrestua më 15 prill në kufi me Kosovën dhe, me këtë rast, opinioni mësoi se një kompani e tij kishte fituar një tender të qeverisë në qershor të vitit 2012. Kompania “Sky Master Projekt Holding” sh.a ishte shpallur fituese për të marrë me koncesion një park industrial në Durrës, përkatësisht në zonën e Spitallës. Sejdia zotëron 100 për qind të aksioneve në këtë kompani. Megjithatë, Sejdia është aktualisht vetëm një lojtar periferik në biznesin shqiptar.

VEHBI ALIMUÇA

Ndryshe nga bosat e tjerë të piramidave financiare, që u shkatërruan, duke marrë pas gjithë institucionet e shtetit më 1997, Vehbi Alimuça arriti që të krijojë edhe një bankë, më 5 tetor 1995, të regjistruar rregullisht në Gjykatën e Tiranës: banka “Artedi”. Në këtë kohë mungonte madje edhe ligji për bankat. Në aktivitetin tregtar të Alimuçës, përveç bankës, spikatin kompani që ai i ka krijuar në vitet 1993-1996, në të cilat ka qenë në ortakëri me disa kompani të fuqishme ruse dhe hungareze.

Një prej kompanive më të mëdha të Alimuçajt ka qenë kompania “Alba Vefa Kuban sh.p.k.”, një kompani ku Alimuça zotëronte 51 për qind të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër ishte në pronësi të një korporate ruse të quajtur “Krasnodarglavlavsnab”, e cila ishte në pronësi të Vladimir Melnikov, një oligark dhe sipërmarrës i fuqishëm rus i rajonit të Krasnodarit.

Sërish në vitin 1996, korporata ruse ortake me Alimuçën, e quajtur “Krasnodarglavlavsnab”, fitoi një koncesion prej 60 milionë dollarësh në Serbi për shfrytëzimin e minierës së Trepçes, e cila sot ndodhet në territorin e Kosovës. Por, një tjetër ortakëri e fuqishme e bosit të VEFA-s ishte ajo me hungarezët. Në vitin 1993, Alimuça krijoi firmën “Hungovefa”, të cilën e kishte në bashkëpronësi me dy sipërmarrës hungarezë, që rezultojnë se kanë qenë ndër eksportuesit më të fuqishëm të Hungarisë të atyre viteve dhe bashkortakë me disa biznesmenë të fuqishëm rusë të kohës.

Me paratë e shqiptarëve dhe duke sponsorizuar PD-në e Sali Berishës deri në 1996, Alimuça arriti të blejë me bono të privatizimit gjysmën e Shqipërisë, para se të përfundontë 10 vjet në burg për mashtrim në rrethana të cilësuara.

Gazeta Shqiptarja.com, 08.08.2013