Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Letër presidentit. Mbështetje për ARMO-n edhe nga sindikatat

Mijëra punonjës të rafinerive të ARMO-s në Fier dhe Ballsh u mblodhën këtë të martë përpara zyrave të prefekturës në protestën e tyre paqësore që zgjat prej disa javësh. Që prej bllokimit pa asnjë arsye ligjore dhe të bazuar vetëm në urdhra verbal, si në asnjë vend tjetër, nga organet tatimore, mijëra punëtorë të këtyre rafinerive dhe familjet e tyre janë lënë pa punë.

Të indinjuar nga heshtja e strukturave shtetërore që duhet të mbrojnë të drejtat e tyre, punëtorët kanë vendosur t’i drejtojnë një letër të hapur publike Presidentit të Republikës, zotit Bujar Nishani, me shpresën se do të gjejnë zgjidhje.

“I nderuar zoti president! Ju drejtohemi ju si kreu i shtetit shqiptar me shpresë të plotë se ju në përputhje të plotë me ligjet e Kushtetutën e shtetit dhe ligjet ndërkombëtare të të drejtave të qytetarit, duke gëzuar gjithë të drejtat e kompetencat përpara ligjit e qytetarëve të këtij vendi, të reagoni ndaj situatës së krijuar prej më shumë se tre javësh në shoqërinë ARMO sha. Ne punonjësit e shoqërisë kërkojmë nga ju i nderuar president të na mundësoni një takim përmes përfaqësuesve tanë për të njohur nga afër shqetësimin tonë. Ashtu siç ju kemi bërë me dije edhe përmes peticionit të firmosur nga qindra punonjës më 16 korrik 2013, prej më shumë se dy javësh puna në rafineritë e Ballshit e të Fierit është ndërprerë në mënyrë arbitrare nga strukturat e shtetit. Nisur nga fakti se në jetën tonë personale dhe familjare e kemi lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me këto uzina, që prej ndërtimit të tyre në Fier e Ballsh, ju informojmë se tani jemi duke përjetuar një nga situatat më të vështira në familjet tona”- thuhet në letrën e lexuar nga kryeinxhinieri i rafinerisë së Ballshit, Gogo Sava.

Në protestën e paqësore të mbajtur në qendër të qytetit të Fierit, punonjësit theksojnë se ata nuk do të dorëzohen dhe nuk do të përkulen përpara këtij represioni të strukturave shtetërore që kërkojnë të shkatërrojnë këtë investitor strategjik.

Në mbështetje të protestës së punëtorëve të dy rafinerive të ARMO-s kanë ardhur edhe drejtuesit e Konfederatës së Sindikatave. Kreu i saj Kol Nikolla garantoi se 100 mijë punonjësit që përfaqëson kjo strukturë do të rreshtohen krah naftëtarëve për plotësimin e kërkesave të tyre dhe për t?i dhënë fund heshtjes dhe shurdhërisë së qeverisë.

“Ju garantojmë se nuk jeni vetëm, por jeni bashkë me punëtorët e gjithë Shqipërisë. Mos e ulni kokën e mos i kërkoni lëmoshë askujt sepse po luftoni për të drejtat tuaja themelore. Po kërkoni të drejtën themelore të punën e mbijetesës. Po kërkoni mirëqënien tuaj e të fëmijëve tuaj. Nëqoftëse presidenti i republikës do të bëjë vëshin e shurdhët, nëqoftëse presidenti i republikës nuk do të jetë në përmbushje të detyrës së tij kushtetuese për t’i dhënë rrugëzgjidhje një problemi kaq madhor, ateherë Konfederata e Sindikatave do të hedhë në grevë gjithë punëtorët shqiptarë. Ju garantoj se përkrah jush janë 100 mijë anëtarë të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë. Greva do fillojë nga Fieri, ne do paralizojmë shkollat, do paralizojmë institucione të tjera, administratën publike, transportin, gjithë ekonominë e vendit derisa naftëtarëve t’u jepet e drejta e tyre. I bëjmë thirrje publike kryetarit të opozitës dhe opozitës progresiste në tërësi e cila tashmë duhet të ishte prononcuar për këtë problem. Ashtu siç premtoi në fushatë, jo vetëm për të hapur vende pune, por sëpaku për të ruajtur vende pune. Është detyrë dhe ia kërkoj me insistim PS, ja kërkojmë zotit Edi Rama si kryeministër i ardhshëm i Shqipërisë, ja kërkojmë zotit Ilir Meta si kryetar i parlamentit të Shqipërisë që menjëherë të shqetësohen për këtë problem, menjëherë tëp resin edhe ata naftëtarët”- thotë Nikolla.

“Ne do t’ju mbështesim,kudo që ju të veni,këtu apo në Tiranë. Ju bëjmë thirrje njerëzve të shtetit shqiptar që të ndjekin me vëmendje këtë problem të madh social që ka lindur këtu në qarkun e Fierit. Të bëhet një politikë profesioniste nga ana e qeverisë. Të stimulohet ARMO duke I dhënë mundësi që të vijë produkti për të punuar uzina”- tha sindikalisti, Agron Koçiu.

Prej javësh mijëra punëtorë të rafinerive të vetme në vend, për përpunimin e naftës në Ballsh dhe Fier dhe që zotërohen nga investitori strategjik ARMO nuk lejohen të punojnë si rrjedhojë e bllokimit të punës në mënyrë flagrante dhe antiligjore nga segmente shtetërore që kërkojnë përfitime ekstraligjore në dëm të interesave të shtetit dhe të vetë punëtorëve.

TV Albanian Screen, 30.07.2013