Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

TAP, entet rregullatorë të Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë “ekzaminojnë” projektin

Autoritetet kombëtare rregullatorë të energjisë së tri vendeve nga ku do të kalojë gazsjellësi Trans Adriatic Pipeline, Italisë, Greqisë dhe Shqipërisë publikuan një opinion të përbashkët mbi analizën e detajuar që kanë realizuar të këtij projekti. Arritja e këtij vendimi erdhi si rezultat i një bashkëpunimi prej gati dy vjetësh ndërmjet autoriteteve rregullatore të palëve të tri shteteve dhe palës kontraktuese të Komunitetit të Energjisë, që bazohet në Paketën e 3-të, mbi të cilën bazohet strategjia evropiane e energjisë.

Dokumenti paraqet vlerësimin e autoriteteve “gjithëpërfshirëse” të kërkesës së TAP duke marrë në konsideratë edhe rezultatet e testit që i është bërë tregut. Ai përfshin kushtet e përcaktuara nga Komisioni Evropian, nën vendimin e tyre C (2013) 2949 të datës 16 maj 2013 dhe Opinionit 1/2013 të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë të datës 14 maj 2013.

Vendimi përfundimtar i autoriteteve krijon një kornizë të qëndrueshme, të harmonizuar, transparente dhe fleksibël, rregullatore për zhvillimin dhe funksionimin e gazsjellësit TAP, si pjesë e një rrugë të gjatë të furnizimit me gaz. Krijimi i kësaj kornize rrit besimin ndaj TAP, që është rruga nga do të transportohet gazi azer në Europë, siç u dëshmua edhe nga zgjedhja përfundimtare e konsorciumit të Shah Deniz.

Me përfundimin e tij TAP do të shërbejë si linja më e madhe e interkonjeksionit për Korridorin Jugor të Gazit, për furnizimin e Europës me gaz nga burimet e detit Kaspik. Këto vëllime të reja të gazit janë një perspektivë mjaft e rëndësishëm për tregun evropian të gazit, si një mënyrë për të reduktuar varësinë e Bashkimit Europian nga burimet tradicionale, siç janë gazi rus, ai algjerian dhe norvegjez, veçanërisht kur kombinohen me burimet të tjera të importuara në Itali nga Afrika Veriore dhe gjetkë. TAP që ka si pikë fundore Italinë do të rrisë konkurrencën në tregjet e gazit italiane dhe do të nxisë sigurinë e furnizimit të vendit përmes krijimit të një kanali të importit alternativë. Përveç kësaj, kuadri rregullativ i hartuar krijon mundësi për të shtuar pika të reja, hyrëse dhe dalëse për furnizim e Evropës Juglindore. Kjo do të lehtësojë gazifikimin e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, do të ulë varësinë e tyre nga një burim i vetëm i furnizimit dhe do të kontribuojë në zhvillimin e infrastrukturave të gazit, siç është edhe gazsjellësi Adriatik Jon, krijimi i Unazës së madhe të Gazit, krijimi i linjave të reja të interkonjeksionit etj. Për më tepër, TAP do të kontribuojë në krijimin dhe zhvillimin e tregut të gazit shqiptar, duke i dhënë fund izolimit të tij nga tregjet evropiane.

Së fundmi, thuhet në këtë dokument TAP do të kontribuojë në maturimin e tregut të gazit grek dhe do të krijojë një urë lidhëse mes burimeve të gazit lindor dhe tregjeve perëndimore.

Revista Monitor, 26.07.2013