Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Berisha fton biznesmenët amerikanë të investojnë në energji

Kryeministri Berisha priti dje në takim një grup biznesmenësh amerikanë, që sëbashku me familjet po bëjnë një vizitë në Ballkan për qëllime turistike dhe investuese. Në përbërje të grupit janë Thomas L. Wentling nga kompania UBS, Stender E. Sweeney nga kompania Pasadena Angels, David McL. Hillman nga kompania PNC Riverarch Capital, Callie Wentling nga kompania Boulder Engineering Studio etj..

Kryeministri Berisha i falënderoi për interesin turistik dhe investues ndaj Shqipërisë dhe ju uroi mirëseardhjen dhe qëndrim të këndshëm në Shqipëri. Me kërkesën e tyre, Kryeministri u bëri një ekspozim të ekonomisë shqiptare, zhvillimeve të saj dhe potencialeve që ju ofrohen investitorëve. Ndër sektorët më pikantë për nga potencialet e zhvillimit, Kryeministri përshkroi turizmin e shumëllojshëm, detar, malor, kulturor dhe aventuror. Kryeministri identifikoi si një nga sektorët që ka bërë hop të madh në gjashtë vitet e fundit, energjinë dhe sidomos sektorin e prodhimit të energjisë hidro, përkrah interesit për energjinë e erës dhe asaj diellore. Projekte të mëdha tashmë kanë filluar në këtë sektor, janë rreth 60 hidrocentrale të vogla e mesme të përfunduara, 70 në ndërtim e dhjetëra të tjera në pritje për financim. Ka ende kaskada ujore për t’u shfrytëzuar dhe investimi në to është absolutisht i dobishëm dhe fitimprurës për të gjitha palët, në kuadrin e tregut të madh dhe kërkesave për energji të rinovueshme, sidomos nga Italia. Sektori i mineraleve po ashtu përbën një potencial tjetër të madh të ekonomisë shqiptare për nga pasuria e burimeve minerare si krom, bakër, hekur nikel, ar dhe platin. Rezervat e naftës dhe potencialisht të gazit kanë tërhequr tashmë shumë investitorë të huaj dhe ofrojnë mundësi zhvillimi të mëtejshëm, qoftë në det apo në tokë, – u shpreh Kryeministri në ekspozenë e bërë.

Kryeministri Berisha theksoi se më të vyera se burimet natyrore, Shqipëria ka burimet njerëzore, të rinj e të reja, specialistë të shkolluar dhe kualifikuar brenda dhe jashtë vendit. Po ashtu, klima e biznesit me taksën e ulët të sheshtë, lehtësimi i procedurave, heqja e taksave për inputet bujqësore e industriale si dhe kapitalin etj. janë një tjetër avantazh që ofrohet në Shqipëri për investitorët e huaj. Sikundër mbrojtja e investitorit, infrastruktura tashmë e zhvilluar dhe moderne, investimet e huaja ekzistues dhe ato në proces, hapat gjigande për përhapjen e teknologjisë së informacionit janë shina të sigurta për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë shqiptare dhe suksesin e investimeve të huaja dhe vendase.

Investitorët shprehën shqetësim nëse këta faktorë nxitës e tërheqës për ta do të mbahen nga qeveria e re në vazhdim. Kryeministri shprehu bindjen se arritjet e mëdha të ekonomisë shqiptare në këto fusha duhet të përbëjnë bazën e mëtejshme të zhvillimit të vendit dhe të mbajtjes së ekonomisë në ekuilibra dhe rritje ekonomike.

energjia.al, 23.07.2013