Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ahmetaj: Po ndërhyhet në sistemin e faturave të energjisë

Partia Socialiste e vlerëson si tejet shqetësuese situatën energjetike në vend. Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ahmetaj, në një prononcim për mediat tha se keqmenaxhimi i Entit Rregullator dhe qeverisë është shkaku kryesor i kësaj situate. Por një tjetër arsye mbetet edhe rritja e borxheve, që ka kaluar çdo lloj parashikimi. 
Ahmetaj jep edhe një rekomandim, që të ruhet niveli në Kaskadën e Drinit, duke qënë që parashikimet tregojnë se vjeshta pritet të jetë stinë e thatë.

“Menaxhimi i keq e ka përkeqësuar situatën energjetike dhe ka vënë një pikëpyetje shumë serioze të dy elementëve primarë. Ka vënë një pikëpyetje në buxhetin e shtetit për atë që do të ndodhi në vjeshtë dhe ne kemi qenë dëshmitarë të rialokimeve serioze, gati 150 milionë euro nga buxheti i shtetit, nga investimet shumë të nevojshme në pagesat për energjetikën. Eshtë detyrë emergjente e institucioneve të përfshira që të ruajnë nivelin e Kaskadës së Drinit sot dhe të ruajnë një ekuilibër jashtëzakonisht shumë të monitoruar në mënyrë të përditshme midis asaj që importohet dhe asaj që eksportohet.”- deklaroi Ahmetaj.

Ahmetaj ngre edhe një tjetër shqetësim që ka të bëjë me mbledhjen e faturave, duke thënë se Partia Socialiste ka prova konkrete që po ndërhyhet në sistemin e faturave. Ndërsa akuzon qeverinë Berisha, se në këto muajt e fundit po ndërmerr masa ekonomike që do të kenë efekte tejet negative në të ardhmen. Në lidhje me këtë problem Ahmetaj sqaron se qeveria socialiste do të liberalizojë tregun e shpërndarjes.

“Kemi informacione që sistemi i klientelës në CEZ është prekur për keq dhe mbledhja e faturave është kthyer në një negociatë abuzive në dëm të situatës financiare të CEZ-it. Në fakt nga çfarë po monitorojmë, shohim një praktikë jashtëzakonisht të rëndë dhe abuzive nga qeveria në ikje. Sali Berisha dhe sot duke ikur, kërkon që t’i lerë qeverisë së re një rrugë të minuar në energjetikë, në financa dhe një rrugë të minuar në investimet publike e marrëdhëniet me partnerët tanë ndërkombëtarë.”-u shpreh Ahmetaj.

Ndërsa përsa i përket auditimit të financave, do të jetë një proces, që do përfshijë çdo kënd të ekonomisë së vendit.

www.balkanweb.com, 18.07.2013