Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

SHBA mbështet fuqishëm projektin TAP

Njoftimi shënon arritje në përpjekjet evropiane për një korridor të ri jugor furnizimit që do të ketë qasje në rezervat e gazit në Detin Kaspik
Katërmbëdhjetë vjet më parë, u zbulua fusha e madhe e gazit në Shah Deniz në fund të Detit Kaspik, në Azerbajxhan. Muajin e kaluar, Azerbajxhani dhe partnerët e saj, kompanitë ndërkombëtare të energjisë që po punojnë në këtë fushë gazi, njoftuan se brenda 6 viteve të ardhshme, Azerbajxhani do të fillojë transportimin e gazit natyror në Evropë nëpërmjet tubacionit Trans-Adriatik, ose TAP. “Kjo është një arritje e madhe për Azerbajxhanin dhe një hap i madh përpara në realizimin e Korridorit Jugor të Gazit, i cili do të transportojë gazin kaspik te konsumatorët evropianë”, tha zëvendës zëdhënësi në detyrë i Departamentit të Shtetit, Patrick Ventrell.

Njoftimi shënon një arritje të madhe në përpjekjet evropiane për të krijuar një korridor të ri jugor të furnizimit që do të ketë qasje në rezervat e mëdha të gazit në Detin Kaspik, duke pakësuar varësinë e kontinentit ndaj importeve ruse. 10 miliardë metër kub gazit në vit do të transportohet nga Azerbajxhani përmes Kaukazit Jugor, Gjeorgjisë Jugore dhe tubacionit të planifikuar Trans-Anatolian, ose TANAP, në Turqi. Gazi pastaj do të transferohet në tubacionin TAP, i cili kalon përmes Greqisë, Shqipërisë dhe Italisë drejt Evropës Përëndimore duke shmangur Rusinë dhe Ukrainën.

“Korridori Jugor do të sjellë një burim të ri të furnizimit me gaz në Evropë, objektiv të cilin Shtetet e Bashkuara e mbështesin fuqishëm”, tha zëvendës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ventrell. “Kjo pasqyron përpjekjet e Evropës për të diversifikuar burimet e saj të energjisë, përfshirë hapat e guximshëm drejt konkurrencës dhe tregtisë të mishëruara në Paketën e Tretë legjislative të Bashkimit Evropian mbi Energjinë, që ka për qëllim promovimin e një integrimi dhe konkurrence më të gjërë të gazit në tregun e energjisë elektrike të Bashkimit Evropian.

“Përzgjedhja e projektit TAP për sjelljen e gazit nga Deti Kaspik në Evropë është një tjetër hap i rëndësishëm në procesin e avancimit të sigurisë së energjisë së Evropës dhe nxitjen e konkurrencës në tregun e furnizimit me energji.”

Zoti Ventrell vuri në dukje rëndësinë e Korridorit Jugor të Gazit për sigurinë globale të energjisë. “Kjo iniciativë do të kontribuojë në përmbushjen e kërkesave globale për energji, e cila është kritike në mbështetjen e rritjes ekonomike. Shtetet e Bashkuara e shohin rëndësinë e Korridorit Jugor të Gazit në këtë kontekst më të gjerë,” tha ai.

“Ne përgëzojmë Qeverinë e Azerbajxhanit dhe konsorciumin Shah Deniz për këtë arritje të madhe”.

Zeri i Amerikes, 10.07.2013